Sa më shumë sanksione ndërkombëtare i imponohen Koresë së Veriut për t´a detyruar të ndërpresë programet e saj të armatimit bërthamor dhe konvencionl, aq më shumë Pheniani përpiqet t’i anashkalojë, thekson një raport i ekspertëve të OKB-së i publikuar fundjavën që kaloi.
Publikimi i këtij dokumenti vjen në kuadër të një vendimi që pritet të merret në Këshillin e Sigurimit mbi një seri të re sanksionesh kundër Koresë së Veriut.
“Vendi vazhdon të anashkalojë embargon mbi armët, sanksionet financiare dhe ato sektoriale të imponura nga OKB-ja, duke treguar se sa më shumë rritet regjimi i sanksioneve, më të shumta janë anashkalimet”, thonë ekspertët.
Periudha e analizimit shtrihet nga shkurti në gusht, një periudhë kjo që Koreja e Veriut ka zhvilluar një progres të konsiderueshëm në çështjen e armëve të shkatërrimit masiv, pavarësisht regjimit më të plotë të sanksioneve të realizuar ndonjëherë në historinë e Kombeve të Bashkuara. /tesheshi.com/