Një raport vjetor i OKB-së vë në pah me shqetësim se numri i refugjatëve në botë ka arritur rekorded e veta.
Me një rritje prej pesë milionë në një vit, raporti çmon se në fund të vitit 2015 kishim 65.3 milionë njerëz që o ishin refugjatë, o azilkërkues, o të zhvendosur brenda vendit.
Eshtë hera e parë, sipas raportit, që numri i refugjatëve në tërë botën i kalon të 60 milionët. Më tepër se gjysma e tyre vijnë nga zona ku ka konflikte apo varfëri të thellë, si Siria, Afganistani dhe Somalia.
86 për qind e këtyre refugjatëve kanë gjetur strehë në vende me të ardhura të ulëta apo të mesme, edhe pse e tërë vëmendja ka qenë e përqendruar në krizën e refugjatëve në Europë.
Nga vendet europiane, Gjermania ka pranuar më shumë kërkesa për azil, pasojë dhe e gatishmërisë së vendit për t’i pritur refugjatët.
Ksenofobia në Europë është një prej shqetësimeve të OKB-së. Grupet e ekstremit të djathtë dhe politikat kundër emigracionit kanë bërë vend në një numër vendesh europiane si rezultat i numrit të madh të refugjatëve të ardhur. /tesheshi.com/