Nuk janë vetëm partitë jashtëparlamentare ata të cilët kërkojnë kyçjen në bisedime politike së bashku me liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni për dalje nga kriza politike, së fundmi edhe përfaqësuesit e mbi 88 organizatave joqeveritare kërkojnë inkuadrim në këto bisedime.
Sot, të gjithë këto përfaqësues kanë dalë me një kërkesë të përbashkët para rezidencës së ambasadorit të SHBA-ve.
Siç shprehen ata, kërkojnë që të jenë pjesë e bisedimeve në marrëveshjen politike. Jo me qëllim që të sillen vendime, por që të monitorojnë procesin politik në Maqedoni, dhe si qytetarë aktiv, të ofrojnë alternativa, poqëse përfaqësuesit e partive politike ngecin në ndonjë çështje për të cilën po bisedohet.
Ndryshe, përfaqësuesit e katër partive politike në Maqedoni, BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO-DPMNE, sot në rezidencën e ambasadorit amerikan, Xhes Bejli, i kanë vazhduar bisedimet politike të njohur si “Përzhino 2” të cilët kanë për qëllim gjetjen e një marrëveshje përfundimtare për zhbllokim të ngërçit politik.
Duke iu referuar aktivitetit që bëjnë organizatat joqeveritare në këtë drejtim, si duket më shumë ata insistojnë që të jenë pjesë e bisedimeve për marrëveshje politike, se sa partitë jashtëparlamentare, që nuk po ndërmarrin asnjë aktivitet tjetër më të ashpër përveç deklaratave. /tesheshi.com/