Pak ditë pas miratimit me konsenus të ligjit për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së, flet se si funksionojë ky ligj, kë do përfshijë dhe se si do mund t’i pastrojë partitë nga prania në gjirin e tyre e individëve me të kaluar kriminale. Bylykbashi thotë se një ligj i tillë nxorri dhe Berluskonin nga politika. Bylykbashi ishte i ftuar në “Shih Programin” në TVSH, përballë gazetarit Enkel Demi…
Janë ditë protestash, por edhe konsensusi për opozitën, apo jo?
Konsesusi i para pak ditëve ishte i paevitueshëm për mazhorancën, nuk kishte opsione shumica që të shprehej në të kundërt të atij procesi që opozita e udhëhoqi, por mbi të gjitha është në mes interesi i opinionit publik shqiptar, largimi i kriminelëve nga politika dhe administrata në këtë stinë protestash që sapo ka filluar.
Megjithatë ju ishit të prirë për konsensus, sepse hoqët dorë nga testi i drogës apo jo?
Ajo që është e rëndësishme është që ne të heqim nga administrata dhe politika të gjithë të korruptuarit që kanë penetruar në Kuvend, në institucione, të cilët për fat të keq tashmë po penetrojnë dhe në strukturat partiake me bekimin e kryeministrit që do të thotë se problemi po përshkallëzohet. Por, për shkak të nevojës që ne kemi se duhet arritur një zgjidhje përfundimtare përsa i përket instrumentave ligjorë që do të mundësojnë largimin e kriminelëve, na duhej kompromisi që t’i hiqnim, ndaj dhe u hoq dorë nga propozimi i testit të drogës. Që në fillim ne ndeshëm në rezistencën e shumicës përsa i përket testit të drogës. Ishte e qartë që për arsyet e tyre që tashmë janë publike nuk donin në asnjë rrethanë që të miratonin testin e drogës.
Çështja e testit të drogës ha diskutim, por e rëndësishme është që ligji u miratua. Një ditë më vonë, me të drejtë opozita tha se kjo është fitore e saj, por kryeministri thotë se po prêt me padurim janarin të shikojë se cilët janë këta kriminelët tanë. Pyetja është e thjeshtë. Si do të funksionojë në praktikë ky ligj?
Ne shumë shpejt, me hyrjen në fuqi të dekriminalizimit do të miratojmë dhe aktet nënligjore të tij. Në mënyrë të qëllimshme që të mos ia linim vullnetit negativ të shprehur deri më sot nga ekzekutivi, sepse është pikërisht kreu i qeverisë që me dëshirë dhe vullnet të plotë i mori nga fundi i rrugës këta individë, i solli në struktura të forcës së tij pikërisht në ato zona që ishin bastione të Partisë Demokratike me një pakt shumë të qartë: “Ju do më jepni këtë shërbim, unë do t’ju jap poste politike dhe më gjerë”. Në këtë aspekt, neve na duhen të miratojmë disa akte në Kuvend që të mos i lihen në dorë Kryeministrit. Shumë shpejt Parlamenti do të përcaktohen rregullat e këtij procesi, i cili ka një element shumë të rëndësishëm siç është vetëdeklarimi.
Do të miratohet një formular vetëdeklarimi që do të do të plotësohet nga të gjithë zyrtarët e të gjitha niveleve, si ato kushtetuese ashtu dhe ato jokushtetuese dhe në këtë deklarim do të thonë nëse kanë ndonjë nga pengesat që parashikon ligji për të mbajtur detyrën. Kush është i pastër e ka të thjeshtë të thotë se nuk ka pengesa të tilla. Por nëse dikush do të gjendet se nuk ka deklaruar një të dhënë të rëndësishme, atëherë kjo përbën vepër penale, ndaj këta persona do të vuajnë edhe ndjekjen penale deri në burgim. Pra, në varësi të së shkuarës ose e mban funksionin ose largohesh.
Çështja është se mund të kenë bërë diçka dhe i kanë kryer të gjitha shkallët e gjyqësorit e kanë vuajtur një herë dënimin. A nuk është ky një ridënim?
Jo, kjo është një lloj karantine, masa mbrojtëse që i vendosen institucioneve që të funksionojnë me integritet. Në jetën civile dikush edhe mund të reabilitohet, por në jetën publike ka vepra penale që nuk mund të reabilitohen. Për shembull, një person që ka kryer krime të rënda si trafik droge, prostitucion, vrasje, apo dhe armëmbajtje pa leje, këto lloj veprash nuk mund të “amnistohen” më dhe personat që i kanë kryer nuk mund të jenë në pjesë e administratës apo dhe të gjitha formave të pushtetit. Por, ndalimet për kryerjen e funksioneve publike në ligjin e sapomiratuar kalojnë shkallë-shkallë.
Ne për këtë ligj i jemi referuar ligjit Severino që është i fundit të 2012-ës, por për shkak të situatës shumë të rënduar shqiptare në raport edhe me Italinë ne bëmë atë që ambasada amerikane e konsideroi si ligji më i ashpër në këtë fushë në rajon. Rasti i Berlusconit është më tipiku, i larguar nga politika për shkak të këtij ligji, por nuk është vetëm ai. Me këtë ligj mbrohen institucionet. Në jetën private kushdo që në një moment të jetës së tij ka kryer një krim mund edhe të rehabilitohet, por nuk mund t’i shërbejë publikut, aq më tepër në funksione kushtetuese dhe politike të zgjedhura.
Ju keni thënë se tek shumica ka të paktën 19 kriminelë. Cilët janë ata?
Unë besoj se gjëja më e mirë është që numrat t’ia lëmë funksionimit të ligjit.
Ideja është se mos na kthehet ndonjë flluskë sapuni…
Jo, nuk ka flluskë sapuni, sepse e kemi tashmë të qartë. Një numër deputetësh janë larguar tashmë nga salla e Parlamentit, duke e ditur se ky ligj do t’i kapte. Fakti që ligji u vonua, u tërhoq zvarrë për një vit, tregon që kryeministri kishte nevojë të thekshme për kohë për t’i bindur që të japin dorëheqjet apo dhe duke i dhënë funksione të tjera. Rasti më i fundit është rasti i zëvëndësimit të deputetit Mark Frroku. Ai ishte zgjedhur me një pjesë të votave të socialistëve dhe mbi bazën e një marrëveshjeje lokale parazgjedhore. Gjëja interesante është se me heqjen dorë të këtij deputeti do të zëvëndësohej nga deputeti i ardhshëm Arben Frroku, por në mënyrë shumë të qartë ky u zëvëndësua nga deputeti i renditur pas tij, në një kohë kur Kushtetuta është krejt e qartë në këtë pike; mandatin duhej ta merrte numri dy në listë. KQZ nuk ka opsion përzgjedhjen, ndaj mandati duhet t’i shkonte Arben Frrokut, ai duhej të paraqitej në Kuvend ose jo sepse siç e dini ai është i dënuar me burgim të përjetshëm të formës së prerë dhe është në arrati në dijeni dhe leje të plotë të kësaj qeverie.
Nëse do të ishte ndjekur rregulli kushtetues ky do të ishte një ndër rastet që do të hiqej nga funksioni për shkak të këtij ligji. Arsyeja se përse KQZ bëri këtë kapërcim tregon shumë. Kemi dhe një deputet tjetër që ndoshta për shkak të bindjes që kryeministri nuk do ta lëshonte bëri një skenë prej far west-i brenda një komisariati policie, ku qëlloi me armë dhe plagosi njerëz, i bindur se do të kishte mbrojtjen e kryeministrit. Por, ai është ndër ata persona që në një mënyrë ose në një tjetër është akuzuar nga opozita se mund të binte në rrjetën e ligjit. E kuptoni çdo të thotë se të kesh një numër prej 5, 10, 15 apo 19 personash? Në fund fare çështja që shtrohet është kjo: A na duhet ne një ligj për t’i penguar këta njërëz?
Unë them që vullneti politik dhe dispozitat e 2008 mjaftonin që kriminelet të mos kishin vend në Kuvend. Kjo, sepse listat kanë një rend të fiksuar dhe kryetari i partisë që ka vënë firmën për to. Ai mban përgjegjësinë politike dhe kushtetuese. Nëse nuk është i bindur për pastërtinë politike mos ta vërë, të presë dhe një mandat tjetër. Përse janë kandiduar persona që të gjithë e dinë se çfarë kanë bërë në të kaluarën e tyre brenda apo jashtë Shqipërisë? Unë besoj që është vullneti politik që ka munguar në këtë rast, pa patëm nevojën e këtij ligji.
Ju më thoni se në bazë të ligjit do të ketë dhe aktet nënligjore që do të sjellin zbatimin e këtij ligji. Po cilët do jenë ata që do ta zbatojnë dhe do bëjnë kontrollin e deklarimeve?
Të drejtën për të kërkuar verifikim ia kemi dhënë një numri të madh subjektesh, kryetari i Kuvendit, kryeministri për ministrat e tij dhe kemi parashikuar dhe të drejtën e jo më pak se 500 zgjedhës që kanë të drejtën të kërkojnë verifikim për një figurë publike. Është ndërmarrë kjo nismë për të patur mundësi që edhe vetë opinion publik të këtë të drejtën të pastrojë politikën që mesa duket nuk ka dëshirë që të vetëpastrohen. Këto kërkesa depozitohen në një sërë institucionesh, të cilat brenda një afati të përcaktuar me ligj ka për detyrë që t’ia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme. Institucionet vetëm do t’ia kalojnë Prokurorisë së Përgjithshmë këto kërkesa dhe në rastet kur nuk e bëjnë do të përgjigjen për shpërdorim detyre.
Për të bërë një krahasim, Prokuroria e Përgjithshme do të shërbejë si një motor kërkimi për faktet e proceseve penale, pasi t’i mbledhë këto fakte bën dokumentacionin gati dhe ia kthen institucionit që kishte bërë kërkesën fillestare. Këtu ka një element të rëndësishëm. Përveçse të dhënat e gjetura duhet të përputhen me të dhënat e deklaruara, pra nëse dikujt i del se ka qenë i dënuar dhe nuk e ka deklaruar. Por, dhe nëse dënimi nuk i përbën pengesë për të mbajtur funksionin, vetëm fshehja në vetvete përbën vepër penale dhe për këtë do të humbasë mandatin. Kjo është pjesa e parë. Por ju e dini debatin e gjatë që mazhoranca u përpoq me çdo kusht ta bllokonte të verifikimit të individëve nëpërmjet shenjave të gishtërinjve. Jo për nevojën e marrjes së një dokumenti qëndrimi në një shtet fqinj, ku kanë ndryshuar emër apo mbiemër, por sepse kanë kryer vepër penale dhe më pas kanë ndryshuar emra, sot ne kemi një numër të madh individësh. Janë disa individë të tillë në pushtetin qendror apo vendor. Atëherë për të shmangur që dikush të thotë se ke gjetur një vendim, por ai nuk jam unë, shenja e gishtërinjve është instrumenti që kemi në dispozicion për ta saktësuar.
U përpoq Rama ta bëjë qesharak dhe të frikshëm këtë proces, por nuk është i tillë. Në harkun e 5-6 viteve të fundit të gjithë ne kemi lënë shenjat e gishtërinjve për pasaporta dhe karta identiteti, kështu që mund të krahasohen këto shenja kryesisht për çëshje penale jashtë Shqipërisë. Nëse dikush e ka kryer krimin me një emër dhe sot e ka ndryshuar, këta persona do të bien në kurthin e ligjit dhe do të lënë mandatin, kushdo qoftë që nga Presidenti deri tek specialistët më të thjeshtë të administratës. Në fund fare qëllimi është që të kemi administratë të pastër dhe të pengojmë nesër hyrjen e këtyre personave në strukturat shtetërore.
Meqë jemi në vigjilje të Krishtlindjeve, Jezusi ka thënë se kush është pa mëkat le të hedhë gurin e parë. Ju të opozitës nuk keni asnjë?
Në dijeninë time, më të mirë ne nuk kemi asnjë rast të këtillë. Ne ushtruam një kontroll para zgjedhjeve të fundit dhe një nga kandidatët tonë u largua nga vetë PD-ja nga kandidimi. Edhe vetë partitë kanë të drejtë me këtë ligj që të kërkojnë verifikimin e personave që do të kandidohen për poste apo funksione të ndryshme.
Do të ishte tronditëse të dilte qoftë dhe një deputet i inkriminuar prej opozitës. A u keni bërë “skaner” aleatëve?
Ne kemi mbi 2 vjet që luftojmë për këtë kauzë. Të gjithë e dinë tashmë, edhe aleatët tonë. Nëse qëllimi i Ramës është që nëpërmjet një bote kriminale të kapet pushteti, ne bëmë një ekspoze të madhe të këtij problem duke e kthyer në stad politik. Ky ligj përmirëson të gjitha partitë politike.
Kërkohet konsensus edhe për reformën në drejtësi, a do ta jepni?
Ju e kujtoni se në 2010 opozita e atëhershme, mazhoranca e sotme, bllokoi një sërë ligjesh që kërkonin shumicë të cilësuar. Iu deshën dy vite që të bindeshin dhe të hiqnin dorë nga bllokimi. Konsensusi nuk jepet, konsensusi gjendet. Procesi duhet të ketë transparencë, duhet të këtë ekspertizë dhe t’i japë akses të gjitha palëve. Fatkeqësisht, mazhoranca në këtë proces nuk është aspak transparente, po luan me “kapjen e papërgatitur të opozitës” për të avancuar në tezat e tyre. Por shumicës po i mbaron në këtë proces dhe inercia. Reforma në drejtësi është e domosdoshmë si uji për një qënie të gjallë, sepse është e papranueshme që ky sistem të qndrojë në gjendjen që është sot. Me këto kushte opozita është e gatshme që të bëjë një reformë 360 gradë, por kjo reformë duhet të garantojë drejtësi dhe të mos kapet nga politika. Kush na garanton ne se një ministër i korruptuar do të dalë i gjykuar siç duhet…
A janë shteruese për opozitën konkluzionet e Komisionit të Venecias?
Vetë ky komision ka bërë një raport interim, jo përfundimtar që shprehet për pikat kryesore. Do t’i studiojmë të gjitha në detaj, por shpesh herë ka një përputhje me shqeësimët që kemi ngritur ne. Nuk besoj se të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar. Pjesa e zezë e drejtësisë shqiptare duhet të dalë nga ky sistem.
Dikur thonit që kjo reform nuk mund të bëhet ngha ky Parlament. I qëndroni kësaj teze?
Nëse kemi një shumicë, e cila është e njollosur me deputetë kriminelë, legjitmiteti i kësaj shumice është i rënë. Por nuk është çështja a i ka votat mazhoranca. Për ta bërë mirë duhet ta bëjmë bashkë këtë reformë.
A është i preferueshëm referendum?
Është një opsion. Reforma është një paketë komplekse që shumica e shqiptarëve nuk do ta kuptojnë si legjislacion, por do ta kuptojnë vetëm kur të mbarojnë punë në pak seanca. Referendimi nuk duhet të jetë rrugëdalja e mazhorancës për të miratuar ndryshimet kushtetuese.
Protestat e demokratëve së fundmi duket se janë rrudhur…
Pas protestave të dhjetorit ishte caktuar që bëhesin protesta para Parlamentit për t’i dhënë mesazh të qartë politikës. Ajo që sot është e rëndësishme është që kësaj mazhorance po i shpërthejnë protesta të vogla të njëpasnjëshme spontane çështje të ndryshme. Detyra jonë është që këto protesta t’i kanalizojmë në shtratin pollitik. I ka ardhur fundi kontratës së kësaj qeverie me qytetarët. Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme, por kjo qeveri nuk mund të organizojë zgjedhje të lira, ndaj duhet qeveri teknike.
Basha a është frymëzues?
Unë mendoj se është. Mendoj se është një lider që do ta çojë opozitën në fitore. Berisha është çdo ditë në PD dhe është motor frymëzimi. Gjithë eksperienca e Berishës dhe frymëzimi i tij është çdo ditë më ne. PD po kanalizon çdo ditë e më mirë jo vetëm energjitë e saj, por edhe të popullit që po ngrihet në protesta. /tesheshi.com/