“Këto nuk janë kuota, janë jetë njerëzore”. Kjo fjali hedhur në Facebook nga kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau, në shenjë proteste nga asaj që e përshkroi si përgjigje patetike e qeverisë spanjolle ndaj krizës së refugjatëve, tashmë është një mendim që po përndjek pjesën më të madhe të Europës.
Numri i paprecedent i njerëzve që kalojnë Mesdheun, duke rrezikuar jetën, imazhet e fëmijëve të mbytur në det dhe familjeve të dëshpëruara që kacavirren në trena, kanë ndarë njerëzit dhe qeveritë në Europë, të rinjtë me të vjetrit dhe lindjen me perëndimin e kontinentit.
Në shumë vende ka pasur demostra solidariteti. Në Gjermani, gjatë fundjavës, parrullat në ndeshjet e futbollit të Bundesligës, shkruanin thjesht: Mirëseerdhët refugjatë!
Kampioni gjerman, Bajerni i Mynihut njoftoi planet për ngritjen e një kampi stërvitor për fëmijët e refugjatëve ku ata mund të luajnë dhe ushqehen.
Policia gjermane thotë se kanë marrë sasi të mëdha ndihmash e donacione nga qytetarët për refugjatët.
Në Britani, peticioni për të pranuar më shumë azilkërkues e që mbështeste refugjatët, u nënshkrua nga gati 300 mijë njerëz. Ndërsa në Barcelonë, në përgjigje të apelit të kryebashkiakes, me qindra banorë ofruan dhoma nga të shtëpive të tyre për emigrantët që mund të pranohen në Spanjë.
Por, këto dhoma mund të mos mbushen. Emigracioni, i ligjshëm dhe klandestin, është një problem toksik për shumë vende europiane, duke llogaritur edhe rritjen e partive të ekstremit të djathtë në Skandinavi, në Britani apo Frontit Nacional në Paris.
Qeveritë konservatore në Britani dhe në Spanjë mbështesin linjën e ashpër sa i takon qasjes ndaj refugjatëve, duke këmbëngulur se fokusi i përpjekjeve europiane duhet të jetë targetimi i trafikantëve, i atyre që mundësojnë krizën, dhe përmirësimi i kushteve për emigrantët në vendet e origjinës.
Në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy refuzoi idenë e kuotoave për secilin shtet të BE-së. “Disa vende nuk dëshirojnë refugjatë”, tha ai. “Nuk mund t’i detyrosh”.
Spanja ka rënë dakord vetëm për pranimin e më pak se 3 mijë personave.
Refugjatë apo emigrantë ekonomikë?
Ka nga ata që argumentojnë se pjesa më e madhe e njerëzve që mbërrijnë në Europë nuk janë refugjatë që i largohen persekutimit politik, por emigrantë që kërkojnë kushte më të mira ekonomike. Ndryshimin e ka vënë në dukje kryeministrja polake, Ewa Kopecz.
“Vendimi ynë duhet të jetë së pari për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë vërtet nevojë, jo atyre që kapin shansin për një jetë më të mirë në Europë”, deklaroi ajo të enjten në një konferencë shtypi.
Për të tjerë, problem nuk është material. Europa është e madhe, e pasur, por një kontinent që po plaket dhe që aktualisht përfiton nga emigracioni, sikundër edhe Amerika.
Për disa analistë, menaxhimi i krizës së refugjatëve shihet më së shumti si një retorikë për veprim kolektiv, ndërthurur me një tërheqje të druajtur në nacionalizma. “Kombet e pasura të Europës kanë gjëra të tjera në mendje, masa kursimi, recesion dhe krizën e pazgjidhur të euros.
Por, kriza nuk trokiti papritur në dyert e Bashkimit Europian. Në nisje të vitit, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Junker bëri thirrje për një politikë të përbashkët për azilkërkuesit, duke u ankuar se “një aplikant mund të ketë deri në 75 për qind shanse për pranin në një vend të BE-së dhe më pak se 1 për qind në një vend tjetër, për të njëjtat arsye”.
Në prill, kryeministri italian, Matteo Renzi foli për valën e parë të mbërritjeve nga deti sapo kushtet e motit u përmirësuan në Mesdhe.
“Eshtë e pamendueshme që përballë një tragjedie të tillë, nuk ka ndjenja solidariteti të cilat Europa i ka treguar në rrethana të tjera”, tha ai.
Prej prillit, shumë pak ka ndryshuar. Propozimet e Juncker u refuzuan në samitet europiane të prillit dhe të korrikut.
Në samitin e fundit, plani i Komisionit Europian për të ndarë në kuota 32 mijë azilkërkues mes shteteve europiane u hodh poshtë. Vetëm dy muaj më vonë, Komisioni u kërkon vendeve anëtare të ndajnë barrën e 160 mijë azilkërkuesve.
Ajo që ka ndryshuar është gatishmëria e Europës për të patrulluar Mesdheun, pasi fondi i agjencisë kufitare u trefishua në prill dhe shtetet anëtare kontribuan më shumë për anije dhe avionë.
Kjo politikë mund të ketë ndikuar në kapjen e një numri më të madh trafikantësh, por aspak në ndaljen e valës së refugjatëve dhe udhëtimeve të tyre të rrezikshme në Mesdhe.
Pas ndarjes për krizën e borxheve, Europa po e gjen veten sërish në ndasi të thella.
Gjermania përgatitet të marrë 800 mijë kërkesa për azil këtë vit, katër herë më shumë se numri i aplikimeve në vitin 2014 dhe më tepër sesa aplikimet në të gjitha vendet e BE-së vitin e shkuar. Nuk ka surprizë pse sirianët e lodhur e të uritur thërrasin “Gjermani” në fushat e Maqedonisë dhe stacionet hekurudhore të Hungarisë.
Kancelarja Merkel e cilësoi çështje parimore. “Nëse lidhja e ngushtë me të drejtat civile universale thyhet”, tha ajo për të drejtën e azilit, “nuk do të kemi më Europën që dëshironim”.
Suedia ka qenë një ndër vendet e pakta europiane që ndan të njëjtën qasje me Gjermaninë.
E vogël në numrin e popullsisë, ajo pranoi barrën më të madhe të më shumë se 600 mijë azilkërkuesve që mbërritën në Europë në vitin 2014.
Por, kjo qasje nuk ndahet nga vendet e tjera dhe e artikuluar, po i afrohet edhe Gjermanisë e Suedisë, ku ka zëra që thonë se bujaria vetëm sa e ka përshkallëzuar problemin.
Më i prerë në qëndrime, është kryeministri hungarez, Viktor Orban që kërkon më së pari forcimin e masave për kontrollin e kufijve. Ndërsa, Sllovakia, me eksperiencën e saj të pakët në pritjen e refugjatëve, ka frikë se mund t’i tronditen balancat, e thotë se do të pranojë vetëm refugjatë të krishterë.
“Të gjitha vendet kanë të drejtën të vendosin nëse dëshirojnë të jetojnë me një numër të madh muslimanësh. Ne nuk e duam këtë dhe kemi të drejtën të vendosim se nuk duam një numër të madh muslimanësh në vendin tonë”, tha Orban në mbështetje të Sllovakisë, e duke krijuar kundërshti të mëdha mes liderëve europianë.
Zgjidhja që propozohet nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Hollande përfshin kuotat e detyrueshme. Përballë shkallës së krizës, dhe imazheve tronditësve që përcjellin ekranet dhe media sociale, gjuha e politikanëve ka nisur të ndryshojë. Edhe kryeministrja polake pranoi se ka një detyrim moral për të marrë refugjatë, edhe pse i rezistoi idesë së vendosjes së kuotave.
Britania që do të pranonte vetëm 1 mijë refugjatë, po rishikon vendimin e saj.
Ajo fotografi, e trupit të pajetë të vogëlushit sirian Aylan Kurdi, ka prekur me mijëra njerëz, mes tyre edhe presidentë e kryeministra. Mund të ndihmojë që Europa të hyjë në veprim. /tesheshi.com/
Përgatiti: Juli Prifti