Dy ndjesi të shoqërojnë teksa sheh masa turistësh në Shqipëri: ngazëllimi që ata vijnë këtu, i tërheq ky vend, duan ta eksplorojnë, ta shijojnë, që mund të jenë një resurs ekonomik për ne – nëse vërtet mbeten të surprizuar për të riardhur – ose promovuar Shqipërinë tek të tjerë si ata; e nga ana tjetër një lloj trishtimi se ç’mund ta hasin prej paudhësive tona, gjë që mund t’i çojë në zhgënjim, në përshtypje negative të tipit “mos ia shoh bojën këtij vendi”, ku shkaqet për këtë janë me shumicë.
Sa për ilustrim po sjellim atë që fare mirë mund të quhet “rruga e turpit” e turizmit shqiptar. Janë 13 kilometra ferri, ku me dhjetra automjete e bëjnë pa dashjen e tyre, por krejt për fajin e një shtetit pa pikë ndjeshmërie, pa pikë kreativiteti… çfarë? ndjeshmëri apo kreativitet?…oh, këto janë fjalë të mëdha dhe të pamundura për një luzmë rrogëtarësh që përbëjnë shtetin, që veç rrogës nuk u intereson asgjë. Mjaft që shteti thjesht të bënte detyrën, pra njerëzit që e përbëjnë atë të bëjnë punën për të cilën paguhen, dhe çdo gjë do merrte zgjidhje lehtësisht. Por dreqi e morri kjo nuk do të thotë se nuk nevojitet dhe pak përkushtim tejzyrtar.
Për të qenë më konkret: nëse jeni duke shkuar në Sarandë nga Gjirokastra ose e kundërta, edhe me planin për t’u ndalur tek Syri i Kaltër, e për këtë itinerar do i referoheni GPS-it dhe jo tabelave në rrugë – që gjithsesi janë të mangëta – ato do t’u drejtojnë në një segment që prej vitesh nuk funksionon më. Ajo është llahtara vetë dhe lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e Koço Kokëdhimës. Bëhet fjalë për aksin Delvinë – Qafë e Muzinës, për të cilën vite më parë Kokëdhima pati fituar – siç përflitet – dy herë tenderin e rehabilitimit të saj, por – gjithashtu siç përflitet edhe nga njerëz afër punëve të tij të dikurshme – me fondet e tyre u ndërtuan pallate në Sarandë.
Kokëdhima, para se të dalë e të shesë moral politik apo atdhedashuri politike në media, do bënte mirë të sqaronte se përse nuk e ktheu në terezi atë rrugë, pasi morri fondet përkatëse nga buxheti i shtetit.
Në fakt, ajo kalon në një zonë mjaft piktoreske, dhe, nëse do ish e rregulluar, do qe cytazi me turistë, pa llogaritur lehtësinë e qarkullimit, në një zonë që gëlon gjatë periudhës së verës.
Por në realitet, ajo çfarë ndodh është një makabritet i vërtetë që iu bëhet qeflinjve që vijnë të shijojnë bregdetin shqiptar duke ardhur ngamos.
Sepse, me udhërrëfyes GPS-in dhe jo tabelat në rrugë, ata shkojnë si “cjapi te kasapi” tek rruga e Koços, që në fakt është rruga që shfaq fytyrën e vërtetë të një shteti pa gjakim, pa shpirt, gati inekzistent. Janë me dhjetra automjete në ditë, me targa gjithëfarësoje, që ose rrijnë të tulatur kur iu del para ajo palo rrugë, ose e marrin atë duke iu bindur teknologjisë, për t’u penduar që erdhën asaj ane.
Por dhe pa iu referuar kësaj të fundit, hartat në duar i orientojë po aty. Ata nuk e dijnë se në Shqipëri gjërat janë kaq përsëprapthi, dhe, nëse jua shpjegon “gabimin” që bëjnë, mbeten nën hutim pa kuptuar asgjë.
13 kilometrat Delvinë – Qafë e Muzinës, i përkasin itinerarit të dikurshëm Sarandë – Gjirokastër – Tiranë, funksional deri në mesin e viteve ’80, kur nisi frekuentimi i aksit nga Syri i Kaltër . Por GPS-ia dhe hartat vijon të të orientojnë drejt rrugës së vjetër, aty ku dhe dhia nuk do preferonte të kalonte, ndërsa në çdo orë të ditës apo natës has në gjatësinë e saj deri dhe automjete luksoze sportive, me drejtues të llahtarisur brenda saj që e kanë humbur fare.
A ka zgjidhje?
Sigurisht që po. Një ndër to është vendosja e një tabele me të madhe se kjo aktualja, e ndodhur në rrethrrotullimin e Gajdarit, aty ku del nga Saranda dhe merr rrugën për Gjirokastër apo Delvinë.
Siç mund të vihet re, nga drejtimi i Gjirokastrës, është dhe Kakavija e Qafë Bota, por nuk ndodhet Syri i Kaltër, destinacioni kryesor i sezonit, shkaku pse merret një tjetër udhë nga ajo e duhura.
“Por kush ta bëjë?”, thuhet në të tilla raste.
Zyrtarisht i takon Autoritetit të Rrugëve t’i japë zgjidhje, e që varet nga Ministria e Transporteve. Dhe këtu cinizimi nuk ka fund, kur sheh të të dalë përpara LSI.../tesheshi.com/