Nga Nada Dosti
Nën moton “Për mbrojtjen e familjes tradicionale,” Koalicioni për Familjen, një lëvizje dhe subjekt politik i ri në Kosovë, mund të thuhet se është risia e zgjedhjeve të pritshme, atyre të 9 shkurtit.
Nuk është një nismë politike e sforcuar, por tejet e natyrshme, si imperativi kryesor për një shoqëri që po i kërcënohet familja nga axhenda të frikshme degjeneruese, promovuar e mbështetur, fatkeqësisht, nga vetë pushteti, qeverisja.
Për Kosovën, familja ka qenë ashti i krenarisë së saj kombëtare. Me të ka luftuar, ka rezistuar e ka ngadhnjyer ndaj një armiku të egër. E tani, ajo është nën kërcënim të hapur, nga një lloj tjetër armiku.
Për kreun e lëvizjes, Eman Rrahmani, një figurë rezatuese në politikën kosovare, prej një integriteti moral të pashoq, është një nisëm vullnetare e cila synon e gjitha kauzën e çështjes së familjes se sa interesa për të zënë vend në parlament në zgjedhjet e shkurtit.
Lëvizja tashmë ka publikuar edhe listën e kandidatëve për deputetë. Pjesë e kësaj liste janë 72 kandidatë, te e cila veccojnë një numër të madh personalitetesh nga fusha të ndryshme, ndër to edhe gra muslimane me veccori të spikatura shoqërore.
Po cilat janë ato?
Imrane Morina
Prof. Dr. Imrane Morina, prej vitesh e angazhuar në jetën akademike, si profesoreshë universitare dhe eksperte e shkencave politike, sjell një kontribut të jashtëzakonshëm falë përvojës së saj të pasur akademike dhe angazhimeve publike.
Imrane Morina ka qenë e angazhuar si profesoreshë universitare drejtimi Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, kandidate për deputete për zgjedhjet e vitit 2020 në Maqedoninë e Veriut, asambleiste dhe aktiviste.
Ajo fitoi gradën master në Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në vitin 2017, ndërsa gradën doktor në fushën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në vitin 2023. Ajo ka shërbyer si pedagoge në Universitetin Amerikan të Evropës “FON”, në Universitetin “MIT”, dhe tashmë në Universiteti “Nënë Tereza”.
Mesazhi që ajo përcjell në lidhje me kandidaturën e saj:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, vëllezër e motra…
Kam nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë të jem pjesë e listës #KoalicioniPërFamiljen për zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025 në Kosovës
Politika është një angazhim për vendin tënd e përvoja ime në politikat publike dhe puna akademike do të ma mundësojnë të krijojmë politika sa më të mira për mirëqenie sociale për një shoqëri sa më të shëndoshë.
Bashkë, na priftë e mbara!”.
Xheneta Sali Venhari
Një tjetër kandidate është Xheneta Sali Venhari. Ajo ka lindur në Prizren, ku përfundoi shkollën e mesme në Medresenë Alaudin. Ajo vijoi studimet në Universitetin Publik të Prizrenit për Gjuhë dhe Letërsi Gjermane. Më pas u punësua në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Vushtrri, ku ka kontribuuar për më shumë se nëntë vjet, duke dhënë mësim në lëndën e gjuhës gjermane.
Përvoja e saj e pasur në arsim dhe lidhja e ngushtë me nxënësit dhe prindërit ka bërë që Xheneta të jetë gjithmonë e vëmendshme ndaj nevojave të familjeve kosovare. Ajo ka mësuar se çdo familje ka sfida të ndryshme dhe kërkon mbështetje dhe mundësi për t’u zhvilluar.
Vizioni i Xhenetës është që të kontribuojë për kushte më të mira për çdo familje në Kosovë, të promovojë arsim cilësor dhe të investohet në zhvillimin e brezave të rinj, duke u ofruar atyre mundësi për një të ardhme më të mirë. Ajo beson se mbështetja e familjeve dhe përfshirja e tyre në zhvillimin e shoqërisë është çelësi për një Kosovë më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Merita Lezi Aliçkaj
“Martesa nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të jetë në mes personave të një gjinie, sepse kjo shkel arsyen dhe logjikën e shëndoshë. Pra shkel me të dyja këmbët modelin që duhet t’iu shërbejë fëmijëve tanë në të ardhmen, duke i bërë ata konfuzë dhe të paqartë në orientimin e tyre jetësor. Kjo mendësi shkatërron traditën njerëzore të shtimit dhe të pasardhësve.
Unë jam bashkuar me Koalicionin për Familjen, për të mbrojtur familjen nga dëmi që po i bëhet asaj nga agjenda që po e shkatërron folenë tonë më të ngrohtë. T’i mbrojmë fëmijët tonë, ta mbrojmë brezin e ri. Tash është koha!”, thotë Merita Lezi Aliçkaj, juriste, një tjetër kandidate në listën e Koalicionit për Familjen.
Gyltene Dërguti, psikologe klinike
“Heshtja ose neutraliteti përballë atyre që kanë në agjendë shkatërrimin e familjes është tradhëti ndaj idealeve për një shoqëri të shëndoshë dhe të drejtë. Këmbanat e alarmit po bien! Përballë nesh qëndron një agjendë agresive, e cila po u thotë fëmijëve tanë se burri mund të martohet me burrë dhe gruaja me grua, se një e re mund të zgjohet në mëngjes si vajzë dhe të bëhet djalë në mbrëmje.
Po përpiqen të na imponojnë ligje që lejojnë surrogacinë, duke trajtuar gratë si skllave, si një inkubator laboratori pa ndjenja, duke u dhënë mundësinë çifteve nga fundi i botës të vijnë dhe të marrin mitrën e një gruaje në Kosovë me qira, duke e shkatërruar mendërisht e emocionalisht.
Pakoja e këtyre ndryshimeve shkatërruese është shumë më e thellë dhe e gjerë se sa mund ta mendojmë. Jemi në alarm! Për ta ndaluar këtë agjendë, kemi nevojë për një rreshtim të qartë dhe të menjëhershëm. Unë u bashkova me Koalicionin për Familje, duke qenë në ballë të kësaj beteje.
Tash është koha!”, thotë zonja Dërguti, një figurë me profil të admirueshëm në jetën publike të Kosovës.
Mehreme Bajoku
Mehreme Bajoku, një mësuese e pasionuar dhe edukatore me përvojë shtatë vjeçare, ia ka dedikuar jetën e saj edukimit dhe mirëqënies së fëmijëve dhe familjeve. Në mesazhin e saj parazgjedhor ajo shprehet: “Si nënë dhe grua, e di se sa e rëndësishme është mbështetje e fortë nga familja, dhe si ajo është bërthama e zhvillimit të një individi. Aktualisht, si edukatore me parashkollorë, unë angazhohem për një mjedis të sigurt dhe frymëzues për fëmijët, ku ata mund të rriten dhe të lulëzojnë. Po ashtu, angazhimi im përmban në vete edhe mbështetjen për familjet në nevojë dhe promovimin e arsimit cilësor që çdo fëmijë meriton.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, prioriteti im është mbrojtja dhe mbështetja e familjes – themeli i shoqërisë sonë. Shtyllat e angazhimit tim janë: Arsim dhe edukim cilësor për të gjithë fëmijët; Mjedis i sigurt dhe mbrojtje për zhvillimin e tyre; Mbështetje sociale dhe ekonomike për familjet. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të lumtur dhe të sigurt për çdo fëmijë!”. /tesheshi.com/