Nga Shkëlzen Rrecaj
“Para disa vendosa me mshelë fb për disa arsye të cilat nuk po due me i spjegue. Kjo qese me trombocite më shtyni sot me çelë prapë fb dhe me iu falënderue këtij personi, i cili nuk e di a më njef dhe i cili kishte vizatue një zemër në shenjë përkrahjeje për mue.
Gjatë viteve prej se jam i sëmurë dhe posaçërisht gjatë vitit të fundit kam pasë dhe ende kam përkrahje nga njerëz të njofshëm dhe të panjofshëm.
Due me ju falënderue nga zemra dhe shpirti të gjithë juve njerëz të mirë.”
Ky status i bërë para ca kohësh Facebook, preku shumëkënd që e lexoi, sidomos ndër banorë të Kosovës, sepse dhe statusshkruesi është kosovar. Por kush janë këta heronj, të cilët nuk bëjnë as më pak e as më shumë, përpos se shpëtojnë jetë njerëzish, siç ka ndodhur dhe në këtë rast?
Ata, përveç personelit të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, nuk i njeh askush, parapëlqejnë të qëndrojnë larg publicitetit e as që kërkojnë ndonjë mirënjohje dhe kompensim për këtë.
Kjo armatë, mbase e vogël në numër, u del në ndihmë mijëra të sëmurëve dhe atyre personave që pothuajse çdo ditë vdekjen e shohin me sy. Mirëpo, për të arritur ky gjak destinacionin e duhur përkujdeset një kolektiv i specializuar punjonësish mjekësorë, të cilët çdo ditë janë atje ku ndodhen këta dhurues gjaku. Nuk kalon ditë që kjo qendër të mos organizojë qoftë edhe një aksion simbolik të mbledhjes së gjakut.
Të premten që lamë pas, një aktivitet i tillë u mbajt në xhaminë në lagjen “Mati 1” të Prishtinës. Me të përfunduar namazi i xhumasë, shumë besimtarë iu përgjigjen ftesës për të dhuruar gjak.
Pjesë e këtij aksioni ishte edhe imami Fadil Musliu, i cili është edhe një dhurues i rregullt.
“Të dhurosh gjak do të thotë t’ua lehtësosh gjendjen të tjerëve. Ai që ia lehtëson dikujt dhimbjen apo gjendjen e rënduar, Allahu ia lehtëson atij gjendjen në këtë botë dhe në botën tjetër. Pra, Allahu i ndihmon njeriut, gjersa ai është duke i ndihmuar vëllait të tij. Nuk ka punë më fisnike se dhurimi i gjakut, ngase kjo vepër manifeston lidhjen emocionale në mes të krijesave të Zotit”, u shpreh hoxhë Fadili.
Më tej ai shtoi se: “Duke e parë nevojën e madhe për gjak dhe ndikimin që e ka te të sëmurët, ne i përgjigjemi apeleve të këtilla pa kurrfarë hezitimi. Duke dhuruar gjak, ne ndihmojmë së pari vetveten, e pastaj të tjerët. Dhurimi i gjakut është investim kapital, rezultatet e të cilit i shohim në këtë botë dhe në tjetrën.”
Hoxhë Fadili këtë praktikë e kishte filluar qysh si nxënës, për të vazhduar më pas si student e deri më sot, por nga modestia ai nuk ka pranuar që të mbajë ndonjë evidencë se sa herë ka dhuruar gjak.
“Kam dhuruar shumë herë që nga shkolla e mesme. Atëherë nuk mbanim shënime për këtë punë dhe numrin e saktë sinqerisht nuk e di. Po as që duhet të mburremi për një punë të tillë”, tregohet modest ai.
Imami Fadil Musliu e ka grupin e gjakut “0 negativ”, i cili ndryshe njihet edhe si grup universal dhe bën pjesë në grupet më të rralla të gjakut, prandaj edhe është më vështirë të gjendet. Grup identik të gjakut ka edhe ish-ushtari i UÇK-së, Sabedin Agushi nga fshati Gadime e Lipjanit, i cili pas një aksidenti të rëndë komunikacioni kishte rënë në gjendje kome për një muaj rresht.
“Sabedini derisa ishte duke kryer punët e përditshme me të cilat e mban familjen e tij, kishte pësuar një aksident me ç’rast jeta e tij ishte vënë në një rrezik të madh. Pas një trajtimi të gjatë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në repartin e kujdesit intensiv, fatmirësisht, Sabedini e kaloi rrezikun dhe tani është kthyer te familja në gjendje më të mirë”, na rrëfen Zekiri, vëllai i Sabedinit.
Por as ky trajtim nuk kishte kaluar pa peripecitë e tij. Sigurimi i dozave të mjaftueshme të këtij grupi të rrallë të gjakut dhe ilaçet e kushtueshme ishin sfidë në vete.
“Sabedini ka marrë mbi 40 doza gjak dhe sigurimi i tyre ishte mjaft i vështirë për shkak të grupit të rrallë të gjakut. Situata vërtet komplikohej në ato momente kur vëllai duhej t’i nënshtrohej operacionit dhe paraprakisht kishte nevojë që të siguroheshin doza të mjaftueshme të gjakut. Por pas njoftimit të shpallur në rrjetet sociale, ftesës iu përgjigjën qytetarë nga e gjithë Kosova, madje dhe nga Shkupi. Kjo na e lehtësoi në masë të madhe gjendjen tonë.”
Duhet theksuar se Sabedini dhe Zekiri kanë qenë ushtarë të UÇK-së, ndërsa ky i fundit është edhe invalid lufte.
Familja e Sabedinit është mirënjohëse për të gjithë ata që kanë kontribuar në shërimin e tij.
“Falënderojmë nga zemra të gjithë bashkëluftëtarët e Sabedinit, e në veçanti shokët e luftës që na qëndruan pranë në çdo kohë. Kujdesi i tyre nuk mungoi asnjëherë gjatë gjithë kohës sa ishte i shtrirë vëllai. Gjithashtu, falënderojmë të gjithë ata burra e gra që vullnetarisht dhuruan gjak si dhe të gjithë ata që na kontaktuan dhe ishin në pritje për ta bërë këtë. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe stafin mjekësor të QKUK-së dhe bashkëkombësit që na ndihmuan edhe financiarisht për ta tejkaluar këtë periudhë të rëndë për ne”, u shpreh Zekiri në emër të familjes së tij.
Jeton Zenuni është doktor në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut. Atë dhe kolegët e tij i shohim çdo ditë duke vizituar institucione shtetërore dhe publike, sheshe, objekte kulti, e organizata të ndryshme me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve përkitazi me rëndësinë e dhurimit të gjakut.
“Megjithëse janë bërë zbulime dhe shpikje të jashtëzakonshme në të gjitha disiplinat shkencore, ne ende nuk jemi në gjendje që të prodhojmë ilaçin ‘magjik’ – gjakun. Pasi që gjaku i njeriut nuk ka zëvendësim e as alternativë tjetër, furnizimi i spitaleve me gjak varet ekskluzivisht nga dhuruesit vullnetarë. Kërkesa për gjak të sigurt po rritet dhe dhurimet e rregullta vullnetare të gjakut janë jetike për shërbimet e transfuzionit”, shprehet dr. Jetoni për tesheshi.com.
Gjatë vizitës që i bëmë atij, ne ishim kureshtarë që të dinim më shumë rreth dhurimit të gjakut, dobive si dhe arsyeve që i shpijnë qytetarët t’i bashkohen aksioneve të kësaj qendreje të rëndësishme shëndetësore.
“Dhurimi i gjakut është një nga kontributet më domethënëse që një person mund të bëjë për komunitetin e tij. Krahas aspektit human, dhurimi i gjakut ndikon në uljen e nivelit të hekurit tek dhuruesi duke zvogëluar kështu rrezikun nga kanceri, hemokromatoza, dëmtimi i mëlçisë dhe pankreasit, sëmundjet kardiovaskulare, etj. Për më tepër, ky akt stimulon në mënyrë të natyrshme edhe prodhimin e qelizave të reja të gjakut, që është dëshmuar të jetë e shëndetshme për njeriun. Gjaku mund të ruhet për një periudhë të kufizuar kohore, prandaj Qendra e Transfuzionit ka nevojë për një koleksion të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të sasive të gjakut”, përgjigjet doktor Jetoni.
Por edhe kjo qendër nuk kalon pa probleme. Mungesa e gjakut gjatë muajve të verës është një e dhënë e faktuar. Në këtë periudhë ulet dhurimi i gjakut, ndërkohë që nevoja për të është jashtëzakonisht e madhe. Me sa duket ikja e njerëzve për pushime ndikon në uljen drastike të dhurimit dhe të grumbullimit të gjakut.
“Kërkesat më të mëdha për gjak vijnë nga Qendra Emergjente për personat që kanë pësuar trauma dhe aksidente komunikacioni, nga pacientët të cilët iu nënshtrohen intervenimeve kirurgjike, nga ata me anemi kronike dhe sëmundje të tjera të gjakut jeta e të cilëve varet nga transfuzionet periodike të gjakut, nga personat e prekur nga kanceri, nga gratë shtatzëna, të porsalindurit dhe fëmijët të cilët mund të kenë nevojë për gjak në raste emergjente, etj.”, sqaron ai.
Nevojat e qendrave tona spitalore në nivel të vendit për gjak, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por gjatë tërë vitit, përbëjnë një sfidë të vërtetë të furnizimit të tyre për QKKTGJ-në. Kjo sasi nuk mund të sigurohet përveçse prej dhuruesve vullnetarë dhe familjarëve të atyre që janë nevojtarë për të. Por a janë qytetarët të vëmendshëm për këtë akt të lartë human apo kërkohet akoma më shumë sensibilizim për ta ngre vetëdijen e tyre përkitazi me të. Kureshtjes sonë lidhur me këtë çështje, doktori ynë i përgjigjet: “Sipas disa statistikave të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, 80% të nevojave të pacientëve mbulohen nga dhuruesit vullnetarë të gjakut, ndërsa 20% nga familjarët. Dhuruesit e rregullt të gjakut janë individë që dhurojnë gjak të paktën dy herë në vit, në baza të rregullta. Ata janë dëshmuar të jenë burimi më i sigurt i dhurimeve të gjakut. Këta persona i nënshtrohen kontrolleve të rregullta shëndetësore me rastin e çdo dhurimi, andaj edhe kanë një stil të shëndetshëm jetese. Ne njihemi si vendi me përqindjen më të madhe të popullatës së re në Europë, ndërsa me një vetëdijesim të mirëfilltë dhe përmes instalimit të një shprehie të dhurimit vullnetar të gjakut, çfarë është synimi i Qendrës sonë, ne deri në vitin 2020 parashikojmë që ta eliminojmë tërësisht nevojën për dhurim familjar dhe që 100% e nevojave të pacientëve për gjak të përmbushen ekskluzivisht nga dhuruesit vullnetar”.
Një punë kaq e vogël, por me të cilën mund të krenohesh përjetësisht. Thjesht, heq nga trupi yt lëngun më të çmuar dhe i jep atij që ka më së shumti nevojë për të. Për më tepër siguron edhe dobi shëndetësore. Ky na qenka dhurimi i gjakut. Prandaj, a ia vlen që të presim derisa ne apo më të dashurit tanë të kenë nevojë për të apo qysh tani duhet t’i përgjigjemi apelit të QKKTGJ-së: “Dhuro gjak, shpëto jetë!” dhe në këtë mënyrë të shpëtojmë jetët tona sa s’është bërë vonë? Në kohën në të cilën jetojmë ku ka zënë fill egoizmi e dyshimi, lakmia e xhelozia, indiferenca e konkurrenca, syefaqësia e ekspozimi, e çfarë jo tjetër, dhurimi i gjakut do të ishte një kurë për të gjitha këto vese – një mision fisnik për ata që të gjitha këto u duken aq të pavlera krahasuar me një pikë gjaku që do t’u mundësonte që të shihnin edhe një ditë të re./tesheshi.com