Nga Mensur Krasniqi
Pas natës së kobshme të 27 prillit në kuvendin maqedonas, deri në përgjakje, Shkupi po vizitohet nga një personalitet me peshë të rëndë në politikën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Brajan Hojt Yee, z\ndihmëssekretari i shtetit të SHBA-ve pёr Evropё dhe Euro-Azi.
Takimet e para ai i ka realizuar me përfaqësuesit e BDI-së dhe BESËS.
Ali Ahmeti tha se vizita e Brajan Yee dëshmon për përkrahjen morale që i bëhet vendit e se zyrtari i lartë amerikan ka qenë shumë i qartë në takim me të duke thënë se vendit i duhet stabilitet dhe zhvillim të proceseve në rrugë të mbarë deri në funksionimin e institucioneve.
“Sigurisht kthim pas nuk ka. Për të gjitha këto zhvillime nëse ne nuk ndërgjegjësohemi, nuk vetëdijësohemi, sigurisht që do ta pësojnë gjithë qytetarët e Maqedonisë, prandaj, duhet pranuar ky realitet i ri: zgjedhja e kryetarit të ri të kuvendit, të mbështetet edhe nga ato forca që kontestojnë emrin e Xhaferit, sepse zgjedhja është bërë në rrugë legale dhe legjitime”, ka thënë Ahmeti para mediave.
I pyetur në lidhje me komunikimin e tyre me VMRO-në, Ahmeti tha se kjo duhet të bëhet e mundur.
“Sigurisht që ne duhet të komunikojmë, edhe do komunikojmë, sepse jemi forca politike të një vendi, kemi interesa madhore për ta futur vendin në binarë dhe rrugë të mbarë dhe nuk do t’i shmangemi asnjëlloj komunikimi dhe dialogimi”, ka përfunduar Ahmeti.
Nga ana tjetër, Lëvizja BESA në takim me Brajan Yee është përfaqësuar nga një delegacion i i kryesuar nga kryetari Bilall Kasami, dhe deputetët Afrim Gashi dhe Fadil Zendeli.
“Përfaqësuesit e BESËS e kanë njoftuar zyrtarin e lartë për rolin konstruktiv që ka luajtur BESA në gjithë këtë proces dhe për angazhimin e saj në zhbllokimin e këtij ngërçi politik. Me këtë rast Lëvizje BESA ka theksuar se ajo mbetet e përkushtuar më zgjidhjen e krizës, duke bërë thirrje që të respektohet vullneti i shumicës, që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet e shtetit dhe kështu të fillojë realizimi i reformave të domosdoshme që do ta rikthenin vendin në agjendën euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e kësaj partie pas takimit me Brajan Yee.
Tashmë, ky i fundit pritet të takohet dhe me liderët kryesorë, Gruevskin dhe Zaevin, në përpjekje për t’i dhënë një zgjidhje krizës.
Po si po shikohet kjo vizitë e diplomatit të lartë amerikan në Maqedoni? A mundet që ai të ndikojë në uljen e tensioneve dhe futjen e vendit në normalitet.
Komentatori politik Abdylvehab Ejupi thotë se vizita të tilla bartin gjithsesi shpresë, edhe pse situata duket pa rrugëdalje, sidomos kur është fjala për një njeri të Uashingtonit.
“Kjo vizitë e diplomatit amerikan bart rëndësi të veçantë pas faktit se krerët dhe institucionet e BE-së dështuan në misionin e tyre të zgjidhjes së nyjës që paralizon Maqedoninë dhe njëkohësisht opinioni i brendshëm tashmë i sheh si të pafuqishëm e mbi të gjitha si bashkëfajtore, sepse me fondet e marra nga BE-ja dhe mbylljen e syve e injorimin para akteve të tij(Gruevskit) jodemokratike, ata lejuan të rritet një diktator dhe autokrat i tillë. Nga këtu, atë që BE-ja nuk e bëri me diplomacinë e saj sporadike, të ngathtë e jo-konkrete, shpresojmë që ta bëjë SHBA me qasjen e saj pragmatike dhe konkrete, duke takuar presidentin Ivanov dhe duke i bërë presion atij për dhënie të mandatit shumicës parlamentare dhe kështu të formohet qeveria, të kalohet ngërçi institucional dhe vendit të paktën formalisht t’i kthehet normaliteti”, thotë Ejupi.
Ndërsa Ariton Rama, po ashtu komentator zhvillimesh politike, thotë se vizita e z\ndihmëssekretarit Hojt Yee, ka brenda presionin dhe garancinë
“Agjenda e ndihmës sekretarit Hojt Yee në gjuhën e diplomacinë nënkupton garanci dhe presion për atë se kush është legjitimi, dhe legjitimit t’i jepet qeverisja me shtetin. Gjuha e ashpër e DASH ndaj dhunës së 27 prillit, tregon qartë se tashmë me çdo kusht e gjithë bota diplomatike ndërkombëtare ofron mbështetjen e krijmit të qeverisë së re nga shumica parlamentare me krye në Zoran Zaevin dhe përkrahjen e partive shqiptare. Theksi i vizitës do jetë takimi me kryetarin e ri të parlamentit, z.Xhaferi, duke simbolizuar njohjen e tij, si dhe presioni që do iu imponohet Ivanovit dhe Gruevskit për dorëzimin e mandatit dhe parandalimin e çdo skenari të mundshëm jashtë kësaj që po realizohet drejt zgjidhjes së ngërçit politik me anë të krijimit të qeverisë reformuese. Pra si përfundim ardhja e Hojt si personalitet i lartë diplomatik do ketë relefektimin e duhur në kohën e duhur për krijimin e stabilitetit në vend dhe funksionalizimin e institucioneve”, përfundoi Rama.
Kjo e hënë e vizitës së Hojt Yee në Shkup, do jetë padyshim përcaktuse në zhvillimet e mëtejshme politike në vend.
Dhe siç është nuhatur tashmë, Moska ka dorën e saj në këto zhvillime dhe kjo e bën më delikate këtë vizitë. /tesheshi.com/