Nga Basma Atassi
Sami Angaviu nuk pranon ta quajë Mekën një qytet, sepse Meka e tij nuk mund të shndërrohet kurrë në një metropol, sado thellë të ngulen turjelat, apo sado e ashpër të jetë beteja mes qiellgërvishtësve dhe reve.
Meka është një “shenjtërore,” thotë ai. “Eshtë shtëpia e Zotit, streha e njerëzve, vendlindja e Islamit.” Eshtë shenjtërorja e ngritur nga arkitipi i muslimanit të përsosur, profeti Ibrahim, shton ai.
Dhe për këtë arkitekt të pasionuar, të gjallë, është në të njëjtën kohë vendi i rrënjëve të tij, objekti i dashurisë së vet. I ati i Angaviut ishte një mutavef, një udhërrëfyes për pelegrinët që ndërmerrnin udhëtimin spiritual të haxhit. Si një djalë, ai do ta ndihmonte atë, nganjëherë duke mbajtur këpucët e pelegrinëve për t’i shpëtuar ata prej humbjes në hapat e Xhamisë së Madhe.
Shtëpia e tyre gjendej në Shaab-ı Ali, në mëhallën që thuhet të ketë qenë në vitet 600 vend ndenje për Muhammedin, Profetin e Islamit, e një pasardhës i profetit Ibrahim. Ai e kujton atë si një mëhallë të ngushtë, por plot lëvizje, që një kohë i bënte vend një prej tregjeve të hapura më të ngarkuara në Mekë, “Suku’l-Lejl”-it (tregut të natës). Rrugicat e saj kundërmonin nga temjani dhe erëzat, thotë ai.
Por shtëpia e familjes Angavi u shkatërrua gjatë viteve 1950, ndërsa familja sunduese e vendit, es-saudët, nisi ta zgjerojë Xhaminë e Madhe, me qëllim që ta rriste numrin e haxhinjve që ajo mund të nxinte. Eshtë një program zgjerimi që ka vijuar që prej asaj kohe, duke e transformuar zonën që Angaviu e njihte dikur si shtëpi.
Arkitekti nxiti debat në vitin 2006, kur i tha një kanali televiziv rajonal se aty ku dikur kishin qenë vendet historike, shtëpia e Profetit Muhammed dhe shkolla më e vjetër e Islamit, Daru’l-Erkam-i, tani kishte rrugë dhe objekte publike. “Këto vende kanë qenë gjithmonë të njohura për mekasit,” thotë ai, duke shtuar, “dhe tani unë po përpiqem të përdor harta të vjetra dhe të reja për t’i gjetur në mënyrë shkencore këto vende historike.”
“Unë pata mundësinë ta caktoj dhe të bëj gërmime në shtëpinë e Sejjide Hatixhesë (gruas së parë të Profetit Muhammed), dhe zbulova gjurmë ndërtimesh që kishin ekzistuar para periudhës abaside (në shekullin e tetë). Unë përdora libra dhe harta të vjetra për të lokalizuar shtëpinë e Profetit, dhe gërmova e gjeta gjurmë dyshemesh që ekzistonin gjatë periudhës abaside.”
“I fotografova këto vende dhe ua paraqita autoriteteve zbulimet e mia,” vazhdon ai. “Por mendoj se autoritetet i donin këto hapësira për t’u bërë vend adhuruesve.”
Haxhi është një nga shtyllat e Islamit, me çdonjë prej 1.5 miliardë muslimanëve anembanë botës të obliguar fetarisht për ta kryer atë së paku një herë në jetë nëse është në gjendje nga pikëpamja financiare, fizike dhe shpirtërore. Arabia Saudite lejon aktualisht rreth 1.5 milionë njerëz të vijnë në vend gjatë periudhës së haxhit, duke caktuar përqindje të ndryshme shifrash për nacionalitete të ndryshme. Shumë njerëz presin me dekada në listat e gjata që t’u vijë radha. Në fakt, me normën aktuale, një muslimani i duhen 500 vite për të siguruar mundësinë për të vajtur në Mekë.
Arabia Saudite ka ngulmuar prej kohësh se është e angazhuar t’ua japë më tepër muslimanëve mundësinë për të kryer haxhin. Dhe për këtë qëllim iu fut zgjerimit të katërt të Xhamisë së Madhe, zgjerimit më të madh në historinë e xhamisë. Pas përfundimit, zgjerimi do të krijojë hapësira faljeje për dy milionë adhurues në një rast të caktuar.
Lënia e Mekës
Familja e Angaviut lëvizi dy herë të tjera brenda Mekës, ndërsa qyteti vazhdonte të transformohej. Më pas ata u vendosën në Xheda, një qytet në Detin e Kuq, që shërben si portë hyrjeje për shumë prej pelegrinëve.
Angaviu qe shumë i ri për ta kuptuar arsyen e lëvizjes. “Thjesht e gjeta veten në një tjetër shtëpi të re,” kujton ai. “Por një gjë për të cilën isha tepër i vetëdijshëm qe fakti se ndalova së shikuari Xhaminë e Madhe.”
Xheda është një hapësirë ku janë përzier ide dhe njerëz. Muslimanë nga e gjithë bota kanë kaluar përmes qytetit; ca duke ndaluar, për ta bërë atë shtëpi të tyren. Dhe pikërisht në këtë mjedis hodhi shtat dashuria e të riut Angavi për arkitekturën.
Arkitekti tashmë 65-vjeçar filloi ta ndërtojë shtëpinë e tij me duart e veta në mesin e viteve 1980. E gjendur në një lagje të qetë të Xhedës, ajo kërkoi 15 vite për t’u mbaruar.
E vendosur mes një duzine vilash që nuk dallojnë nga njëra-tjetra, dhe nën një palmë gjigande, krijimi i tij spikat si një kremtim i arkitekturës tradicionale të Hixhazit, emri i lashtë për pjesën perëndimore të Arabisë Saudite, që përfshin Xhedën dhe qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës. Ndërsa pelegrinë nga e gjithë bota janë lëshuar në rajon, gjurmët e vendeve të tyre kanë ardhur me ta. Ndikimet nga Levanti, Jemeni, Afrika Lindore dhe India mund të gjenden të ngulitura në ndërtesat e saj; dhe brenda shtëpisë së Angaviut, me koralin e saj të bardhë dhe muret e gurit në të verdhë shkretëtire, me dyert dhe dritaret e gdhendura, e me verandat e zbukuruara.
Fasada prej guri në hyrje të shtëpisë së tij është nga Meka, dhe rreth 350-vjeçare. Ajo u shpëtua nga një shtëpi që po shkatërrohej në vitet 1980. “Kjo ishte një nga pjesët e fundit historike të mbetura nga Meka,” thotë ai, ndërsa më pret tërë përzemërsi brenda.
Shkatërrimi po ngjiste me një shpejtësi të tillë, shpjegon ai, sa askush nuk mendonte të shpëtonte rrënojat.
Porta prej druri është gjithashtu nga Meka. Ai e gjeti atë në një treg në Xheda rreth njëzet vite të shkuara. “Shitësi e pa që unë mezi prisja ta bëja timen atë, prandaj e shiti me një çmim të kripur,” kujton ai me një ngërdheshje.
Larmia e Hixhazit reflektohet në çdo qoshe brenda tempullit të Angaviut.
Skicimi i Mekës
“Ideja e ndërtimit të kësaj shtëpie nuk synonte të qenit diçka ndryshe apo e veçantë,” shpjegon ai. “Ideja ishte të vija në zbatim filozofinë time në jetën reale.” Eshtë një filozofi që ai e quan el-Mizan, apo balanca.
Në rrënjë të kësaj është besimi i tij se projekti dhe stili bashkëkohor mund të ekzistojnë në mënyrë harmonike me natyrën dhe traditën.
E pajisur teknologjikisht, por e projektuar sipas traditës, shtëpia ngjan të jetë mishërim i kësaj teorie. Dhe është pikërisht çka ai imagjinon për Mekën; qytetin që dikur ishte një luginë e zhveshur mes malesh shkëmbore dhe të qendërzuar nga xhamia më e shenjtë në Islam, e në arkitekturën e së cilës mund të gjenden shenjat e kulturave dhe qytetërimeve shumë të ndryshme.
Por në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, ndërsa bumi i naftës e solli teknologjinë moderne në Arabinë Saudite, arkitektura karakteristike islame e Mekës filloi të zhdukej. Ndërtimet tradicionale që kishin mbijetuar për qindra vite, përgjatë periudhave abaside, omejade dhe otomane, u zëvendësuan me rrokaqiejt.
Nga 15 mëhallat e vjetra të Mekës, 13 janë shkatërruar plotësisht. Shtëpi, kafene, dyqane, e madje vende arkeologjike paraislame, thjesht janë zhdukur. Dhe në vend të tyre është ngritur diçka që pak prej banorëve e pranojnë.
Siç tha gazetari kashmiras, Besharat Pir, në 2012-ën, pas vizitës së tij në Mekë, se qyteti modern dukej sikur ishte ndërtuar nga një popull pa histori apo traditë.
“Gjatë asaj kohe, ndërsa njerëzit po mblidhnin para, unë po mblidhja të dhëna,” shpjegon Angaviu në dhomën e miqve, ku një tavolinë xhami mban brenda saj një shatërvan të vogël prej guri, një karakteristikë e e një shtëpie të vërtetë Hixhazi, me zhurmën e ujit që çurgon dhe vendos ritmin e vendit.
Në vitin 1975, me t’u kthyer nga SHBA-të dhe Gjermania, ku përfundoi studimet pasuniversitare në arkitekturën islame, Angaviu hapi një qendër në Xheda për të ruajtur mjedisin natyror dhe islam të vendeve të shenjta të Mekës, të vendlindjes së Muhammedit, dhe të Medinës, që mbante xhaminë dhe varrin e Profetit.
Qendra, e cila tërhoqi duzina dijetarësh nga e tërë bota, kreu studime gjeologjike, arkeologjike dhe antropologjike. Ata përvijuan gjithashtu strategjitë për t’i administruar shërbimet e duhura për plotësimin e nevojave të numrit gjithnjë e në rritje të pelegrinëve, ndërsa respektohej natyra dhe historia e dy vendeve. “Haxhiologji,” pëlqen ta quajë atë Angaviu. Më pak se një dekadë më vonë, ai dha dorëheqje nga qendra, duke besuar se ajo ishte përfshirë nga kaosi burokratik që e paralizoi punën e saj. “Unë marr frymë dhe ëndërroj për Mekën dhe Medinën,” thotë ai. “Pikërisht kur lashë qendrën qe momenti kur shëndeti im nisi të marrë tatëpjetën.”
Në hyrje të shtëpisë së Angaviut janë dy harta të mëdha: njëra e tregon Mekën përpara bumit të ndërtimeve, tjetra e paraqet atë në gjendjen aktuale. Ai i ka bërë me shenjë vende të ndryshme me rëndësi historike, si xhamitë dhe shtëpitë e sahabeve të Profetit; shumë prej tyre janë tani nën hotele apo nën qendra tregtare. “Puna hartografike që po bëj kërkon qeveri,” shprehet ai. “[Por] unë po e bëj vetë.”
Që nga vitet 1980 janë shkatërruar më tepër se 95 për qind e vendeve historike të Mekës, me shumë prej tyre që datojnë në vitet e para të Islamit, në shekullin e shtatë, duke hapur rrugën për kulla dhe hotele me pesë yje. Pastaj, sigurisht, kemi Kullën e Sahatit të Mekës, e cila është 46 herë më e lartë se Qabja aty pranë, kubikja e zezë, e konsideruar të jetë struktura më e shenjtë në Islam, e rreth së cilës muslimanët sillen për të shprehur harmoninë në adhurimin e Zotit. Rezultati është therës.
Shkëlqimi i qiellgërvishtësve reflekton në fytyrat e adhuruesve, vinçat bëjnë hije në dyshemetë me mermer. Dhe ishte një nga këto vinça që u rrëzua mbi territorin e xhamisë në shtator, duke vrarë më shumë se 100 njerëz. “Ky është mishërim i prishjes në el-Mizan,” pëshpërit Angaviu, duke bërë gjeste me dorën e tij, sikur të drejtonte një orkestër, për të theksuar çdo fjalë.
Ai e quajti kullën e sahatit “budallaqe”, i paaftë për ta fshehur neverinë për strukturën, pavarësisht faktit se ajo ishte projektuar nga një mik i vjetër dhe ish-koleg në Qendrën Kërkimore të Haxhit, Mahmoud Bodo Rasch, një arkitekt gjerman i kthyer në Islam katër dekada të shkuara dhe i përfshirë në një numër projektesh në qytetet e shenjta.
Angaviu i kishte mëshuar idesë së ngritjes së ndërtesave shkallë-shkallë, me më të shkurtrën të vendosur më pranë qendrës së Mekës. Ai dëshironte që hotelet të ndërtoheshin milje larg dhe të përmirësohej transporti. “Edhe kur Profeti Muhammed erdhi nga Medina për të kryer haxhin në Mekë, ai qëndroi në një zonë të quajtur Abtah, që ishte pesë kilometra larg xhamisë,” shpjegon Angaviu.
Për shumë banorë të Mekës, zgjidhjet e bazuara në buldozerë dhe në dinamit përbëjnë një rrezik jo vetëm për strukturat, por për diçka njëherësh më personale dhe më universale: për kujtimet e fëmijërisë, të shtëpisë dhe të kujtesës kolektive islame.
“Eshtë shembulli i parë i lakmisë që e mund besimin,” thotë Mexhid esh-Shibiu, mekasi fisi i të cilit u shërbeu pelegrinëve për shekuj, edhe përpara fillimit të Islamit.
“Toka rreth Xhamisë së Madhe në Mekë është një prej më të shtrenjtave në botë. Prandaj ndërtuesit, Zoti i udhëzoftë, do të ndërtojnë sa më lart të munden mbi të,” thotë esh-Shibiu, i cili ka fotografi bardhë e zi të Mekës dhe të të parëve të tij, që e veshnin kubiken e shenjtë dhe e pastronin pjesën e brendshme të saj me ujë trëndafili.
Angaviu këmbëngul se nuk dyshon në qëllimet e udhëheqësve të vendit për t’u siguruar lehtësirat më të mëdha të mundshme pelegrinëve. Por ai shton, “mjeti nuk justifikon qëllimin.”
Ai kërkon që qeveria ta mbështesë atë në misionin e tij për të shpëtuar atë çka është ende e shpëtueshme nga Meka që ai njeh dhe dashuron, dhe po nxit që ndërtimi të ndalojë për pak muaj, për të lejuar një rivlerësim të shkallës së dëmit.
“Në dashtë Zoti, unë mund të gjej zgjidhje shkencore për Mekën dhe për pelegrinazhin që janë në linjë me el-Mizan-in,” thotë ai. “Unë jam dikush që ëndërron për Mekën, në ëndrra dhe zgjuar.”
“Unë dua të jepet një mundësi,” flet ai. “Dhe Profeti Muhammed thotë se nëse keni një filiz në duar, e është e mundur ta mbillni atë përpara se të vijë Dita e Gjykimit, duhet ta mbillni.”
Por a beson ai vërtet se ka ende shpresë për Mekën e ëndrrave të tij, kur prej historisë së saj është zhdukur aq shumë tashmë?
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com