Në numrin e fundit të 2024-s, Gazeta DITA përzgjedh Njeriun e Vitit sipas saj.
Për 2024-ën, a zgjedhur Dr. Erilda Xholin, një vajzë nga Dibra, e rritur në një familje të nderuar dentistësh në Tiranë. Ajo është diplomuar në një nga universitetet më të mirë në Shtetet e Bashkuara dhe i pari në botë për kërkime shkencore në fushën e stomatologjisë.
Dhe cila është jeta e saj, nga ëndrra për mjekësi në Shqipëri, tek shqiponja me duar, në ceremoninë e diplomimit, si shqiptarja e parë, në historinë e UCSF-s.
Në fillim të qershorit të këtij viti që po mbyllet, në një nga sallat e Universitetit të Kalifornisë – San Francisko, i njohur si UCSF, spikerja që drejtonte ceremoninë e diplomimit të mjekëve të rinj, thërret me forcë emrin: “Doktor Erilda Xholi…”.
Në podium ngjitet një vajzë e hijshme dhe elegante që i afrohet me buzëqeshje të pandërprerë mikrofonit, dhe pasi merr diplomën, bën shqiponjën me duar të mbledhura në kraharor.
Është shqiptarja e parë e diplomuar në historinë e UCSF, një nga universitetet më të mirë në Shtetet e Bashkuara dhe universiteti i parë në botë për kërkime shkencore në fushën e stomatologjisë.
Për doktore Erildën ishte kurorëzimi i viteve të shumta studimi dhe pune. Një sakrificë e heshtur, mijëra kilometra larg Tiranës, ku për të ndjekur ambiciet profesionale dhe njeriun me të cilin krijoi familje, edhe ky një ish-student shqiptar i shkëlqyer, Erilda la klinikën e themeluar nga babai i saj, mjeku i njohur stomatolog Naim Xholi.
E lindur në Peshkopi, në 1989 dhe e rritur në një familje dentistësh, Erilda Xholi u diplomua fillimisht në vitin 2013 për stomatologji në Universitetin e Tiranës, ku ndoqi ëndrrën e saj të mjekësisë, pasi kishte mbaruar me rezultate të larta Kolegjin e njohur turk Mehmet Akif.
Njohëse e katër gjuhëve të huaja, pas diplomimit, ajo u specializua për dy vjet në Universitetin Aquila të Romës, për ortodonci, për t’u kthyer më pas në Tiranë dhe për tju bashkuar stafit të klinikave Xholi, të themeluara dhe drejtuar nga babai dhe vëllai i saj Dr. Florjan Xholi, ky i fundit me karrierë të spikatur profesionale dhe akademike brenda dhe jashtë vendit.
Megjithë vitet e gjatë të shkollimit dhe ushtrimit të profesionit, ambiciet profesionale të dr.Erinda Xholit ishin për më tej.
Në 2020 ajo dha dy provime për të hyrë në botën universitare amerikane për Mjekësi të Përgjithshme dhe më pas për Stomatologji. Rezultatet e larta e lejuan të aplikonte dhe fitonte të drejtën e studimit në Universitetin e Kalifornisë (UCSF).
Nga 2500 aplikues nga e gjithë bota, fituan vetëm 20, ndër të cilët edhe shqiptarja Erilda Xholi, ose doktoreshë Ilda, sic i thërrasin miqtë dhe familjarët.
Pas diplomimit në 2024, Ilda punon në profesionin e saj në Neë Xhersi dhe është nëna e një vajze, të cilës i ka vënë emrin e bukur shqiptar Era.
Studentët shqiptarë në botë janë bërë “lajm” më së shumti kur i janë dashur politikës.
Suksesi i tyre në botë është përdorur në varësi të nevojave politike të momentit, por shoqëria shqiptare e këtushme di pak ose aspak për dhjetëra e qindra vajza e djem nga Shqipëria që kanë shkëlqyer në universitetet më të mirë të botës e që më pas kanë shënuar rekorde profesionale në komunitete dhe tregje të mëdha, që pak janë mbajtur shënim këtu në vendin ku lindën dhe kanë familjet.
Të gjithë u befasuam përshembull kur mësuam se një nga kreatoret e programeve të Inteligjencës Artificiale që po ndryshon planetin, ishte shqiptare.
Por të tillë, ka edhe të tjerë, që duhen nxjerrë nga heshtja për t’u bërë shembull, në një botë të mbushur me paragjykime për shqiptarët.
Janë me dhjetëra studentë dhe studiues shqiptarë që në heshtje dhe me shumë sakrifica me rezultatet dhe jetën e tyre ngrenë lart imazhin e Shqipërisë në botë. /DITA/