Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, e vlerësoi Gjykatën Speciale, atë që po merret me mbledhje dëshmish për krime të mundshme lufte nga UÇK, si një tregues i faktit se nuk ekziston asnjë lloj frike ndaj saj.
“Gjykata Speciale luan një rol të rëndësishëm, jo vetëm në procesimin e drejtësisë ndaj individëve, por edhe në dëshminë se Kosova si komb nuk ka frikë që të shikojë në të kaluarën. Është një institucion i rëndësishëm dhe unë mendoj se do të vazhdojë të dëshmojë vlerën e tij në muajt në vazhdim”, ka thënë Kosnett në një intervistë për Radio Kosova.
Siç dihet, kjo gjykatë u bë shkak për shkuarjen e Kosovës në zgjedhje të parakohshme, pas ftesës që ajo i bëri kryeministrit Haradinaj për paraqitje në të. Më pas, erdhi dorëheqja e Haradinajt.
Drejt Speciales po shkojnë një e nga një shumë ish-figura të UÇK-së, ndërkohë që ende nuk ka një ftesë për presidentin Thaçi, si më i përfoluri që mund te ishte objekt hetimesh.
Gjykata Speciale për UÇK-në, e ngritur me bekim ndërkombëtar por e kontestuar ashpër nga faktori kosovar, konsiderohet si një padrejtësi e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës. /tesheshi.com/