Ministria e punëve të Jashtme e Kosovës e ka arsyetuar, siç tha, “gabimin teknik” të bërë nga ambasada turke në Beograd, ku u postua në Facebook një fotografi ku lakohej emri i Kosovës me shtesën aspak të dëshiruar – Metohija.
Ambasadori turk në Beograd, Tanju Bilgiç, mbase nuk e dinte impaktin që kjo shprehje ka për të dyja shtetet – për Serbinë ku qëndron si ambasador dhe për Kosovën ndaj së cilës Metohija shprehimisht paraqet pushtimin e territorit sovran.
Fotografia ishte postuar me rastin e takimit të Bligiç me drejtorin e zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriç.
Këshilltari pranë MPJ-së, Jetlir Zyberaj, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se institucioni diplomatik i vendit e konsideron si “keqkuptim dhe gabim teknik”, dhe si i tillë nuk ndikon në prishjen e miqësisë mes Kosovës dhe Turqisë.
“Turqia është vend mik dhe partner i Kosovës. Është ndër të parat që ka njohur Kosovën dhe ka mbështetur njohjen tonë ndërkombëtare. Gabimet teknike dhe keqkuptimet nuk ndikojnë në lidhjen e miqësisë sonë dhe nuk janë pasqyrë e cilësisë së partneritetit tonë që është i fortë”, tha Zyberaj.
Menjëherë pas vërejtjeve, ambasada turke në Beograd ka fshirë shtesën “Metohi” dhe e ka lënë vetëm emrin Kosovë. /tesheshi.com/