Një tjetër monument i shquar fetar, me saktë i traditës islame, mund të shkojë drejt rehabilitimit të plotë.
Është fjala për një kompleks islam, i pari i këtij lloji në trojet shqiptare, ai i Xhermëhallës në Delvinë.
“Përfundojnë punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit, në monumentin e kulturës së kategorisë I “Kompleksi Urbanistik Islamik – Xhermëhallë”. Ky kompleks ndodhet në Bashkinë Delvinë, daton rreth shek. XVI dhe është i vetmi për nga arkitektura në territorin shqiptar.
Punimet u shtrinë në hamam, tyrbe, rrënoja, duke ua kthyer ato komunitetit të zonës dhe turizmit kulturor.
Lajmi u dha nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila publikoi në rrjetet sociale një album fotografik të monumentit, që do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm për trashëgiminë kulturore të qytetit të Delvinës, por edhe në funksion të plotë për shërbesat fetare të besimtarëve të zonës, si dhe i aksesueshëm për të gjithë vizitorët”, shkruhet nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit(IETT).
Kujtojmë se e njëjta gjë ndodhi me xhaminë tjetër historike në Delvinë, atë të Gjin Aleksit, e cila nga një degradim i vazhdueshëm, iu kthye shkëlqimi dhe funksionaliteti pas një restaurimi të thellë dhe të plotë. /tesheshi.com/