Më së shumti, teknogjia, joshja patologjike pas saj, i jep efektet e veta negative në sisteme arsimore anemike. Kështu dhe në Kosovë, ku ka një rënie të ndjeshme të interesit shkollor për dije të mirëfillta.
Sigurisht, është dhe problemi i mbingarkesës me nxënës të klasave të qytetit, për shkak të zhvendosjeve të popullatës, por kjo është vetëm njëri nga shkaqet e shumta të problemeve në arsimin kosovar.
Njohësi i arsimit, prof. Rinor Qehaja, i cili është edhe drejtor i institutit EdGuard që merret me hulumtimet në edukim dhe arsim, rendit shkaqet që po e çojnë në rënie shkollën si burim dijeje dhe edukimi…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Prof. Qehaja, disa hulumtime të bëra kohëve të fundit tregojnë se ka një rënie të madhe të interesimit për mësim, qoftë në shkollat fillore ashtu dhe ato të mesme. Cilat janë arsyet e kësaj rënieje?
Rënia e interesimit për mësim nga nxënësit është evidente. Në fakt, ky trend ka vite që është duke u përkeqësuar dhe jo shumë vëmendje i është kushtuar. Kontribut në këtë drejtim patjetër që ka trendi global i fokusit të të rinjve në teknologji. Ky trend mund të ishte shumë dobiprurës poqese do të mirëmenaxhohej, mirëpo në mungesë të ndërlidhjes së të mësuarit shkollor me teknologjitë dhe internetin, kjo e fundit është shumë më e dëmshme sesa në dobi të fëmijëve.
Në anën tjetër, është e rëndësishme edhe përgjegjësia që bartin institucionet shkollore dhe prindërit. Suksesi ose jo i fëmijëve në shkollë, është matës i profesionalizmit të mësimdhënësve në shkollë dhe përkushtimit të prindërve në shtëpi.
Si duhet t’i shfrytëzojnë nxënësit dhe mësimdhënësit pushimet e tyre?
Jam shumë kurioz të shoh se me çfarë në të vërtetë e kalojnë kohën e lirë nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Kam frikë që prapë, shumëçka edhe këtu është shumë e ndërlidhur me shqetësimin e lartpërmendur. Janë mësimdhënësit që medoemos duhet të investojnë dhe të avancohen në profesionin e tyre, dhe jo gjithherë vetëm mësimi formal është i mjaftueshëm. Shpresoj që ndër vite ka ndryshuar të menduarit e mësimdhënëseve dhe përkushtimi i tyre për avancim profesional.
Ku qëndron problemi i mungesës së rezultateve të mira nga nxënësit?
Problemi i rezultateve jo të mira nuk ka një burim të vetëm. Në fakt, në masë të madhe më shumë ndërlidhet me shumëçka tjetër dhe fare pak me fëmijët. Është sistemi arsimor që u servohet të rinjve që ka ndikimin kyç në mësimnxënie dhe në rezultatet e tyre. Unë nuk besoj në atë që ka nxënës me suksese jo të mira; në mendimin tim ka nxënës të mirë që për arsye të jashtme nuk mund të përformojnë mirë në shkollë. Duhet të dallojmë, që jo gjithmonë një nxënës me sukses jo të mirë paraqet indikator të matjes së dijes. Është përgjegjësi e sistemit të intervenojëm pasiqë rezultatet e nxënësve janë output i punës së institucioneve. Përtej kësaj, e domosdoshme është pjesëmarrja e vazhdueshme prindër, mësimdhënës dhe shkollë.
Rrjedhimisht, burimin e problemit e shoh në trekëndëshin prindër/mësimdhënës/shkollë. Është përgjegjësia që kanë prindërit në shtëpi dhe mbi të gjitha mësimdhënësit në shkollë matësi kryesorë i rezultateve dhe arritshmërisë reale të nxënësve.
A menaxhohen shkollat në mënyrë profesionale dhe si ndikon mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm në suksesin e nxënësve?
Është e vështirë të gjykojmë të menaxhuarit nëpër shkolla në mungesë evidence, mirëpo të përgjithësuar mund të argumentojmë që mungesa e cilësisë në arsimin para universitar, përtej tjerash, varet shumë nga mungesa e menaxhimit profesional në shkolla. Janë për çdo lëvdatë shkollat e mirëmenaxhuara gjithandej Kosovës, ku si rezultat i një menaxhimi të tillë edhe rezultatet e mira të nxënësve janë evidente. Këto raste na dëshmojnë që një mirëmenaxhim do të ketë impakt edhe në proces të mësimnxënies, kryesisht si rezultat i rritjes së përgjegjësisë brenda institucionit dhe bashkëpunimit me prindër.
Ç ‘mendim keni për testin e maturës?
Testi i maturës, në formatin ekzistues është jofunksional dhe me rezultate jo reale. Në fakt burimi i plot problemeve që pasojnë edhe në arsimin e lartë, vijnë si rezultat i testit të maturës. Problemi, nuk ndërlidhet shumë me suksesin e nxënësve në test, por shumë më shumë në përmbajtjen dhe menaxhimin e tij. Në rastin tonë, një kalueshmëri e larte është indikator i keqadministrimit të testit, dhe kurrsesi mburrje për sukses. Neve edhe mund të krijojmë iluzionin e gjeneratave që suksesshëm i futen shkollimit universitar mirëpo për fat të keq realiteti është shumë i hidhur, me nxënës tërësisht të papërgatitur për të vijuar tutje shkollimin.
A keni ndonjë informatë sesa është numri i atyre që kanë braktisur shkollimin, Nëse po, atëherë cilat janë arsyet?
Numri i nxënësve që braktisin shkollën është reduktuar dukshëm viteve të fundit, me trende të luhatshme në rajone dhe grupmosha të caktuara. Mirëpo me zhvillimin shoqëror, shqetësuese tashmë nuk është braktisja e shkollës, por të përfunduarit e saj pa ndonjë qëllim dhe kuptim për të rinjtë për të përfituar dije e aq më pak të qenurit i dobishëm për shoqërinë.
Prof. Qehaja, a mund të na tregoni sa duhet të jetë numri i nxënësve në një klasë sipas standardeve bashkëkohore?
Ka plot rekomandime dhe shumë sisteme përdorin numër të ndryshëm të nxënësve në klasa, por sipas mendimit tim, duke ditur përparësitë, numri ideal nuk duhet të tejkaloj 23 nxënës për klasë, me idealen prej 18 nxënës të thirrur nga plotë hulumtime. Mirëpo, shumë i rëndësishëm është proporcioni mësimdhënës-nxënës, që dallon shumë prej numrit të studentëve në klasa, pasi që një mësimdhënës me 12 paralele me plotë 23 nxënës ka po të njëjtën ngarkesë dhe shpërqendrim sikurse të një klase me 35 nxënës, dhe si të tillë numri i limituar, cilësisht, nuk paraqet ndonjë ndryshim.
Një ndër problemet që nxënësit ballafaqohen janë edhe disa lëndë në të cilat nxënësit nuk arrijnë t’i kuptojnë temat përkatëse e si pasojë as zgjidhjen detyrave. Ku qëndron problemi?
Problemi është tek kurrikulat jo të përshtatshme, që për mendimin tim, kurrsesi nuk nxisin të menduarit tek nxënësit, përkundrazi imponojnë të mësuarit përmendësh, dhe si të tilla, mësimi dhe detyrat nuk janë fare atraktive për nxënësit. Kur kësaj i shtohet edhe përgatitja jo e duhur e mësimdhënësve, atëherë nuk është aspak për t’u çuditur dhe aq më pak nxënësit për t’u fajësuar.
Çfarë masash duhet të ndërmerren që të përmirësohet gjendja në arsimin fillor dhe atë të mesëm?
Çfarëdo ndryshimi është i kotë nëse iniciativa nuk ka burim nga institucionet qeverisëse, dhe mbi të gjitha vullnetin dhe përkushtimin për ndryshim nga vetë mësimdhënësit. Është për keqardhje, pas shumë vitesh dhe tërë atyre investimeve të thirrura në përmirësim të cilësisë së arsimit, situata shumë pak ka lëvizur. Në bindjen time sistemit para universitar në Kosovë i nevojitet një rifreskim substancial në mënyrën që ndryshimet të kenë efekt. Fokus i veçantë duhet t’i kushtohet modifikimit dhe implementimit të suksesshëm të kurrikulës si dhe përzgjedhjes dhe tërheqjes së mësimdhënësve të duhur./tesheshi.com/