Takimi i sotëm i Lulzim Bashën me përfaqësues të CDA-së holandeze, ka përforcuar zërat se ka nisur një lëvizje e fortë e PD-së drejt ndryshimit të kursit të aleancave të saj në Europë.
Problemet me mjaft aleatë të Partisë Popullore pas çadrës, por edhe rezultatet elektorale, duket se po shtyjnë ideologët e selisë blu që të kryejnë ndryshime drastike për një imazh të ri të Partisë Demokratike, imazh që në fakt Lulzim Basha ka tentuar që t’i japë që me aksionin e çadrës-një parti trumpiste, populiste që synon të arrijë sukses duke përdorur tema të prekshme të njerëzit, duke sulmuar politikën e vjetër dhe atë klasike.
Një politikë që ndjek një axhendë qytetare, e ngjashme me “Cinque stele” të Beppe Grillos etj.
Basha, që e njeh mirë Holandën për shumë arsye, tashmë prej muajsh ka afruar marrëdhëniet me CDA-në Partinë Kristiandemokrate holandeze, e cila sot ka qenë në Tiranë e ftuar nga Basha dhe kanë takuar personalisht kryetarin e PD-së.
Në njoftimin zyrtar të PD-së thuhet se “Basha shprehu shqetësimin e rritjes dhe fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri, dhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE, përfshirë Holandën. Në këto katër vite, siç konfirmojnë raportet e EUROPOL dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është kthyer në një bazë të veprimtarisë së grupeve të organizuara kriminale”, thuhet në njoftimin e PD-së”.
Partia Kristiandemokratike holandeze apo CDA, ka nisur që në vitin 2012 një proces të thellë transforimi dhe po kthehet në një forcë politike populiste, që mund të afrojë qëndrimet e saj me Partinë e Lirisë të ksenofobit Geert Wilders.
Deri një viti më parë, CDA bashkë me partinë e Wilders ishin në një koalicion qeveritar me Partinë Popullore të Kryeministrit Mark Rute. Pikërisht në këtë kohë Holanda ka pasur qëndrime të egra ndaj shqiptarëve dhe ka kërkuar rikthimin e vizave.
Madje disa herë kjo forcë politike ka kundërshtuar qëndrimet e kryeministrit Rute.
Dhe pikërisht ishin këto sherre që e bënë Rute të largojë nga qeveria duke kërkuar zgjedhje të reja. Në këto zgjedhje CDA mori 19 deputetë nga 150 direkt.
Pra ajo ka një pozicion mjaft të ulët dhe kërkon që të marrë terren te publiku antiemigrant apo anti BE.
Ndaj ka qenë kundër integrimit të Shqipërisë, Turqisë, Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës në Bashkimin Europian, duketentuar që të kthehet në një forcë populiste. Në radhët e CDA ka një klasë politike shumë të re, kupola e partisë ka një moshë mesatare rreth 31 vjeç. Drejtuesit janë pjesë e familjeve aristokrate holandeze që kanë themeluar Partinë Kristian Demokrate.
Sybrand van Haersma Buma, kryetari i CDA është pinjoll i një prej baballarëve themelues të kësaj force. Pikërisht, duke qenë se është një forcë politike elitare, holandezët nuk i kanë dhënë përkrahje, ndaj kasta e re po tenton të marrë mbështetjen tek ajo pjesë e shoqërisë që gjen problem te të huajt pa e shpjeguar fenomenin në tërësi por duke provuar e provokuar politikën populiste të frikës.
Në fakt ky është një fenomen i ri politik në Europë dhe të tillë nuk është vetëm CDA apo Cincue Stelle, por edhe UKIP në Britaninë e Madhe, e cila më pas kur iku Cameron nga qeveria shkrin partinë dhe iu bashkuan sërish Partisë Konservatore, janë në Francë te Marine Le Pen, në Gjermani te Alternativa etj etj.
Këto forca politike nuk luajnë me ideologjitë por me gjëra më të thjeshta.
PD-ja që prej një viti realisht po tenton të afrohet në këtë cak. Gjatë çadrës me teza si “Republika e Re” apo sulmet e fuqishme ndaj qeverisë Lulzim Basha afroi dhe ofroi një tezë populiste.
E cila nuk pati sukses, por përpos kësaj duket se Basha nuk po e braktis këtë rrugë, por po e thellon dhe zgjeron diapazonin e rrugës populiste.
Është një rrugë apo ideologji që shfrytëzon në mënyrë perfekte mjetet e reja si rrjetet sociale apo komunikimi dixhital, që të mbajnë gjallë protagonizmin kontestues ndaj problemeve.
Në Britaninë e Madhe, pikërisht kjo rrugë solli Brexit, në SHBA ishte e fikase për eventin më të papritur, fitoren e Trump kur të gjithë vunë bast për të kundërtën.
Një rrugë politike moderne kjo, por që sjell realisht një situatë traumatike. Kjo si për historinë e PD-së, por edhe për gjeopolitikën e Europës.
PD ka lindur si një parti liberal-konservatore e vlerave bazike të demokracisë dhe jo si një lëvizje ksenovobe.
Si traditë, aletatët e PD-së janë Merkel apo Macron. Por ata prej kohësh nuk shkojnë mirë me Bashën. Fundja edhe CDA-ja holandeze ka pasur në krye figura të rëndësishme si Jaap de Hoop Schefer, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Tashmë është kthyer në parti ekstremiste që një herë në javë e ka me shqiptarët.
Bashës mund t’i vlejë sot që kërkon të ngrejë një pozicion që kundërshton Edi Ramën, por ndoshta nesër kur të jetë në qeveri, sërish CDA do të merret me “kriminelët shqiptarë”. A do ta ketë aleat sërish Lulzim Basha?!
Kreu i PD ka shansin dhe mundësinë që në kohën që është në opozitë të merret më shumë me propozimet dhe reformat e mëdha që modernizojnë shtetin dhe krijojnë mudësi që Shqipëria të braktisë statukuonë e gjatë e një kaste politike të shkëputur nga njerëzit.
Nëse bën këtë dhe krijon premisat për një alternativë të besueshme me njerëz të besueshëm, patjetër që do të marrë votat për të qeverisur. Më mirë të luftosh për të ardhur në pushtet, sesa për ta rrëzuar këtë pushtet…/Ylli Pata /tesheshi.com/