Aksioni ushtarak turk në veri të Sirisë ka ngjallur interes jo të vogël në Kosovë, aty ku komuniteti turk njihet si pakicë.
Një gjest mbështetjeje ndaj veprimeve të qeverisë turke ka shqetësuar institucionin e arsimit në Kosovë. Përmes një fotografie të publikuar në media sociale, shihet një person i rritur, që besohet të jetë mësimdhënës, dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.
“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti.
Reagimi i qytetarëve ndaj aksionit ka pasur nuanca të ndryshme, ku disa e shohin ndërhyrjen si mbrojtje sovraniteti, ndërsa disa e kujtojnë fatin e kurdëve me atë të kosovarëve.
Kujtojmë që Prizreni është një qytet me komunitet jo të vogël turk, e ku turqishtja është gati gjuhë e dytë aty. /tesheshi.com/