Përafërsisht 200 pjesëtarë të Forcave Aleate të Reagimit të sapoformuar (ARF) do të dislokohen në Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 16 tetor të këtij viti për të kryer trajnime dhe për të ofruar mbështetje për forcat ekzistuese paqeruajtëse në Kosovë – KFOR.
Kjo është hera e parë që ARF-ja është vendosur diku që nga formimi i saj në korrik 2024. Një kontingjent ushtarak i Ekipit të Ndërlidhjes dhe Zbulimit Operacional prej rreth 50 anëtarësh do të jetë në Kosovë, ndërsa rreth 150 prej tyre do të dërgohen në Maqedoninë e Veriut.
Personeli do të kryejë trajnime për të ruajtur një nivel të lartë gatishmërie dhe për të testuar aftësitë dhe procedurat e tyre për dislokimin e shpejtë të forcave të mëdha.
Një pjesë e shtabit do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrë identifikimin e kërkesave për mbështetje logjistike, infrastrukturore dhe operacionale, në mënyrë që të forcohet ndjeshëm pozita e forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Një mesazh i qartë nga Aleanca
Mediat rajonale shkruajnë se kjo është një forcë strategjike e gatishmërisë së madhe, e aftë për t’u aktivizuar në një kohë shumë të shkurtër, me mbështetjen e forcave të tjera me synimin për të frenuar armikun në situata të ndryshme.
Kjo vendosje e ARF-së, së bashku me vendosjen e vazhdueshme të Forcës Rezervë Strategjike (SRF) në Kosovë të njoftuar në fillim të këtij muaji, dërgon një mesazh të qartë të vendosmërisë dhe përkushtimit të NATO-s për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Komanda e NATO-s në Napoli po monitoron me kujdes situatën në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, thuhet në një deklaratë. /tesheshi.com/