Nga Bardha Nergjoni
Një jetë rrobaqepëse; dhe nuk po flasim për një grua çfarëdo, por për një 97-të vjeçare që vazhdon të përdorë shpëtimtaren e familjes së saj në kohë të vështira, të famshmen makinë qepëse “Baterfly”. E gjen me këngë në gojë duke qepur gjëra të vogla por që e bëjnë të lumtur dhe i japin motiv për ditët e zakonshme. Athinaja ulet për qepje sikur 80 vjet më parë kur punonte për rrobaqepsinë e Vërlacit, Strehën Vorfnore në kohën e mbretit Zog për të vazhduar më pas gjatë periudhës së luftës, në komunizëm e demokraci. Athina Marku i ka kaluar të gjitha periudhat, rezervon një kujtesë fantastike dhe ka çfarë të tregojë për jetën e saj. E mbetur jetime qysh në vogëli, u përplas nga fati në shumë vështirësi por me forcën e saj ia ka dalë të mposhtë shumë pengesa që e bënë më të fortë. Athinaja ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë si rrobaqepëse në Strehën Vorfnore në periudhën e mbretërisë së Zogut. Jetime, pa strehë dhe ushqim, ajo i shërbeu fëmijëve të kësaj qendre që në atë kohë drejtohej nga një grua e fisit të famshëm Frashëri. Athinaja tregon se Shqipëria ishte në varfëri, por jetimet trajtoheshin më mirë se kushdo. Ata kishin një shërbim mjaft të kujdesshëm dhe merrnin zanate që të bëheshin të zottë e vetes. E rritur mes vështirësive 97-të vjeçarja, me kujtimet e saj, sjell një shembull të luftës së një gruaje që pavarësisht kohërave që jetoi, mundi të ruajë pasionet e saj, të jetë një stërgjyshe e lumtur dhe të vazhdojë të punojë në makinën qepëse mes këngës dhe dëshirës për të triumfuar mbi moshën dhe pleqërinë në prag të një shekull jetë. Në një intervistë kureshtare, ajo sjell copëza të rrugëtimit të gjatë mes rrobaqepësisë dhe mamisë, dy punë që i deshi shumë dhe i dhuroi vitet më të bukura.
Athina, ju keni kaluar një jetë të vështirë por që duket se është lidhur me punën e dorës e më pas me rrobaqepsinë. Si u bëtë rrobaqepëse?
Jetonim në një fshat të Gramshit në kufi me Korçën. Babai na vdiq herët, dhe po kështu vëllai i madh që kishte shkuar në kurbet në Greqi. Nëna mbeti vetëm me tre fëmijë të vegjël dhe u detyrua të shkonte në Korçë. Në vendin ku u vendosëm kishim afër Mitropolinë por edhe shtëpinë e Mihal Gramenos. Mihali kishte për grua motrën e gruas së dr. Nosit të Elbasanit. Nëna vendosi të martonte vajzën e madhe edhe pse ishte 15 vjeç. I kishin thënë për një djalë tek Papa Nikollat, të lidhur me familjen Nosi. Nëna shkon e pyet Mitropolitin e kohës, Visarion Xhuvanin i cili e aprovon këtë martesë edhe pse e lajmëroi që kjo familje ishte e varfër.
Kështu u vendos që motra të martohet. Për shkak të varfërisë nëna na çoi në jetimore. Vëllai ishte 5 vjeç, unë 8-9 vjeç. Për shkak se u sëmura nga malarja, motra më merr në Elbasan e pasi u shërova më futi në shkollë. Isha shumë mirë me mësime dhe për një vit mora dy klasa. Isha ulur në një bangë me të bijën e Vërlacit, Mejtapin. Ajo ishte shumë e hedhur. Unë rrija urtë dhe ajo u lidh shumë me mua. Duke qendruar tek motra, fillova të punoj në rrobaqepësinë e hapur nga e shoqja e Vërlacit me përgjegjëse një italiane.
Keni nisur të qepni në moshë të vogël?
Kam qenë dhjetë a dymbëdhjetë vjeç kur kam filluar të qep. E ëma e Robert Zhvarcit më ka mësuar punën e dorës. Copat që tepronin mi jepte dhe unë i vishja fëmijët e motrës si fëmijë mbreti. Qepja për të gjithë. Ndërkohë vazhdova shkollën deri në Normale. Kam marrë pjesë në tri shfaqje teatrore. Isha shumë mirë dhe në këngë. Kam kënduar një këngë me Baki Kongolin, ai me violinë e unë solo. Kam kënduar prapa perdes se ishte turp të dilje në skenë në atë kohë.
Por sërish patët vështirësi edhe për strehë edhe për ushqim?
Gjërat u vështirësuan pasi motra s’më mbante dot. E lashë shkollën dhe shkova të punoj në rrobaqepsinë e italianes në Tiranë. Jetoja në shtëpinë e saj por ishte e vështirë pasi s’të mbante njëri atëherë dhe duroja skena që më bënë të mendoj për një strehë tjetër. Një ditë shkoj në spitalin e Kryqit të Kuq pasi isha e sëmurë nga raumatizma. Aty ishte doktori i mbretit, një italian mjaft i zoti. Më dha një letër për shtrim por unë nuk kisha as ku të qëndroja dhe kaloj para Strehëzës Vorfnore. Vendosa të kthehem e ti kërkoj drejtorit të më strehojë ose të më punësojë si rrobaqepëse pasi isha jetime e kisha nevojë. Drejtori i atëhershëm më jep një letër që të punësohem si rrobaqepëse. Nuk shkova të shtrohem por kalova fillimisht tek jetimorja duke i dhënë këtë letër e të më prisnin sa të shërohesha. E kështu fillova punë atje.
Si ju duk puna në jetimore?
Streha Vorfnore drejtohej nga Mepare Frashëri nga fisi i Frashërllinjve të Përmetit, e cila kishte mbaruar në Stamboll. Më mbështeti shumë. Ajo ishte një grua e zonja dhe kujdesej shumë për jetimët. Unë i arnoja, qepja, i vishja dhe kujdesesha që çdo gjë të ishte në rregull. Fëmijët e jetimores kishin kushte të mira aq sa nuk i kisha parë as në konviktet e Italisë ato kushte. Përveçse i mbanin mirë me infermjerë e ushqime që të rriteshin, u jepej edhe një profesion. Në atë kohë Streha kishte një çiflig në Xhafëzotaj, nga ku furnizohej me ushqime dhe mësonin zanate e profesione djemtë e vajzat. Të gjitha vajzat merrnin zanate të qëndistarisë, rrobaqepsisë, mësuesi, etj.
Çfarë bëtë pasi u kthyet në Elbasan?
Pasi u ktheva në Elbasan, u fejova me një djalë, fis i familjes së motrës, edhe ai rrobaqepës. Ishte koha e pushtimit italian. Makinën qepëse e mora me këste dhe hapëm dyqan. Italianët prunë plaçkë të madhe dhe kishte bollëk. Kishim punë sa të duash. Shpëtova nga varësia nga të tjerët dhe fillova të punoj për vete.
Si vendosët të bëheni edhe mami?
Po në këtë kohë doli në gazetë që duheshin 45 femra për mami për tu specializuar në Itali. Kërkojmë dy bursa bashkë me një shoqe. E fitova dhe në fund mora vlerësim absolut. Në kohën e pushtimit të italianëve u hapën rrugët edhe me Kosovën e ne si shumë elbasanas shkuam në Maqedoni. Punuam atje dhe shqiptarët na mbanin shumë mirë jo vetëm myslimanë por edhe kristianë deri kur edhe atje filloi lufta dhe duhet të iknim. Isha në muajin e tetë të shtatëzanisë kur u nisa për në Shqipëri. Kemi udhëtuar 2 javë në kalë duke i rënë nga Dibra e Madhe. Bashkë me ne ishte një person i rëndësishëm i Kosovës në atë kohë. Na kanë ndihmuar shumë shqiptarët e Dibrës dhe Gostivarit deri sa arritëm në Shqipëri. Këtu kishte bombardime. Nga Godoleshi ishte e minuar. I ramë nga ura e Zaranikës dhe mezi hymë në qytet. Italianët po fshiheshin. Unë isha një grua shtatëzënë dhe u rrëzova 5 herë nga kali gjatë rrugës por fatmirësisht shpëtova mirë.
Si i mbani mend ato ditë të çlirimit të vendit?
Gjermanët ishin të egër dhe disa herë kemi qenë në vështirësi. Unë kam shpëtuar për fije të perit kur erdhën gjermanët të kontrollonin shtëpinë për partizanë. Ndërsa kontrollonin, hapa dollapin, ku kisha ca ftonj prej Cërunje. I dhash nga një kokërr ftua të katër gjermanëve, që mbetën të kënaqur e nuk kontrolluan më. Kisha komunikata në çantë dhe bomba në qyrin e shtëpisë. Ftonjtë më shpëtuan që nuk kontrolluan të gjithë shtëpinë. Gjermanët u larguan nga Kërraba. Linda pikërisht në përfundim të luftës. Pas çlirimit u bë mbledhje e të gjithë atyre që u angazhuan në luftë. Do fillonte qeveri e re. Mua më lanë të rrija dy-tre muaj derisa të rritej pak fëmija. Më pas hyra në punë ku më emëruan në Sarandë por për shkak të fëmijës më lanë në Elbasan. Burri donte të shkonte sërish në Maqedoni. Fëmijën e kisha të vogël por u nisëm. qëndruam vetëm 7 javë pasi bashkëshorti nuk u pranua si mësues për shkak se nuk kishte diplomë.
Vazhduat të punonit si mami në Elbasan?
Kam punuar në çdo cep të Elbasanit. Nuk kam lënë fshatra pa shkelur. Kudo që kanë lindur fëmijë kam udhëtuar duke filluar nga Cermenika, Peqini, Dumrea, Shpati, Kërraba, Mamëli, etj. Kam kaluar çdo fshat pëllëmbë për pëllëmbë. Më pas u sëmura e nuk u ktheva më në punë. Rifillova rrobaqepsinë, zanatin e parë. Vajza bëri dy binjakë e mbaja fëmijët e saj. Mami ishte si luftë në kufi. Aq sa lodhet gruaja kur lind aq lodhesha dhe unë. Qepja në shtëpi. Vinin shumë klientë e kështu fitoja para për të mbajtur familjen.
Ju keni njohur nga afër familjen e Vërlacit. çfarë përshtypje kishit për ta?
Siç e kam thënë e kisha shoqe Mejtapin. Isha e vetmja femër e ftuar në dasmën e Behijes, të bijës së Vërlacit me konsullin bullgar. Ishte një dasëm madhështore që u bë këtu në Elbasan. Behija bëri turne dëfrimi 6 muaj pas martesës. Mejtapi ishte vajzë e hedhur por mua më donte shumë. Si shumë vajza ajo kishte mësuar qëndisjen, punë që e ndihmoi të mbijetonte pas çlirimit kur u përndoqën. Ndërkohë djali i Vërlacit ishte i privilegjuar. Kishte profesorët më të mirë në atë kohë në Itali. Vërlaci donte që ai të ishte shumë i shkolluar. Prishja e martesës së Behijes me Zogun nuk solli probleme për familjen e Vërlacit, të paktën kështu e shikoja në atë kohë.
Ju e vazhdoni edhe sot qepjen në makinë apo jo?
Deri tani vonë kam qepur për të tjerët të gjitha llojet e veshjeve. Tani qep për punë të vogla, pa përgjegjësi të madhe. Nuk më del pensioni e kështu mundohem të bëj ndonjë lek duke qepur ende. Përveçse është një punë që nuk të lë kurrë pa gjë, rrobaqepsia është një pasion. Ndjehem mirë kur vazhdoj të qep. /tesheshi.com/