Nga Blendi Gashi
Një çallmë e një xhybe fekste ndanë tribunës së manifestimit opozitar të shtunën në Gjilan, atij në mbrojtje të Republikës, kundër Asocacionit dhe Demarkacionit.
Po, ishte një hoxhë; dhe pas një hulumtimi, tesheshi.com mbërriti tek mulla Enver Rexhepi, hoxhë ky i njohur në Gjilan, i cili thotë se me vetëdije të plotë ka shkuar që të jetë i pranishëm në manifestimin e opozitës; jo pse është partiak apo se me merret me politikë, porse i dhemb kombi, atdheu, liria, e drejta, për të cilat ka bërë dhe burg prej serbit.
Ai ka shërbyer si ish-imamin në Xhamisë së Vogël të Gjilanit, që nga viti 1973 e deri në vitin 2014, pasi është pensionuar.
Mulla Enver, ju të shtunën morët pjesë në manifestimin e opozitës që u mbajt në qytetin tuaj. Mos kemi të bëjmë me një njeri apolitik, por që kauza kombëtare e bën që në një moment të ndodhet në llogoret e politikës?
Kur është në pyetje çështja kombëtare dhe kombi ynë, jo vetëm në Gjilan por kudo në vende tjera, kam dëshirë të marrë pjesë në manifestime.
Në vitin 1990 kam rënë në burg për kauzën kombëtare, pasi na janë bërë shumë padrejtesi, dhe me gjithë xhematin kam hyrë në burg.
Gjithëherë e kam pas në shpirt çështjen kombëtare edhe pse jam një udhëheqës fetar, si imam i xhamisë, por çështjen kombëtare nuk e kam nda nga çështja fetare.
Pra, kauza kombëtare, ka qenë vendimtare që kam dalë në manifestim, edhe sepse jam njeri që nuk merrem me politikë.
Me ç`vetëdije ke shkuar dje në manifestimin e opozitës?
Kam shku me protestu për çështjen kombëtare dhe mos me u pajtu me nënshkrimet që janë bërë për me iu dhënë tokë shteteve fqinje apo me formu këtë Asociacionin që brenda shtetit tonë të na sundoj dikush, aq më keq serbi.
Nuk kam dalë pra në protestë pse i takoj ndonjë partie politike, po se jam i “partisë kombëtare”.
Ju mund të kishit shkuar dhe me veshje të zakonshme, ndërkohë që ishit me xhybe, pra me veshje fetare, apo institucionale, sepse ajo është dhe veshja e një imami. E bëtë me vetëdije këtë?
Po, unë me vetëdije kam dalë në manifestim edhe me atë veshje. Sapo dola nga xhamia ku fala namazi i drekës, e ashtu siç isha i veshur ashtu dola para popullit.
Kam dalë me vetëdije sepse e kam ditur ku po shkoj dhe pse po shkoj.
Me sa dijmë, Islami është kundër protestave sepse në thelb është kundër anarkisë. Ndërkohë që opozita ka provokuar jo pak anarki, sidomos në parlament, edhe pse mund të jetë në të drejtën. A mos vallë prania juaj pra aty bie ndesh me parimet fetare?
Unë jam për të drejtën e çështjes kombëtare sepse nuk kam shkuar në Parlament me hedh gaz lotsjellës. Unë kam marrë pjesë në një manifestim ku protestohet kundër të keqes së vendit tim, sepse nuk kam tokë me i fal të huajve, apo që një shtet i huaj me sundu brenda shtetit tim. Për këto kam dalë në protestë e jo për ta përkrahur dhunën e shkatërrimet që janë bërë në Prishtinë.
Unë jam kundër atyre që bëjnë shkatërrime të tilla, por jam për të mos pranuar të huajin me sundu në shtëpi time.
Hoxhë Enver, a do të merrni pjesë në protestat e ardhshme që do të mbahen në qytetet e tjera?
Unë ma larg nuk shkoj. Pasi protesta është mbajtur në Gjilan unë e kam parë të udhës që më takon me dalë dhe kam dalë.
Nëpër qendrat tjera në Kosovë nuk mundem të udhëtoj, sepse kemi lidera fetarë që janë më të mëdhenj se unë dhe që jetojnë në ato qytete. Unë u mjaftova që e përkraha protestën në qytetin tim, në Gjilan.
Si e kanë reaguar bashkëqytetarët e Gjilanit ndaj pranisë tënde aty, pra në tribunën e manifestimit?
Ndoshta edhe nuk është pritur nga masa që unë të jem i pranishëm të marrë pjesë. Por Gjilani e di, sepse me njeh, e di që jam njeri jo vetëm i çështjes fetare por edhe kombëtare.
Gjestin tuaj, a jua këshilloni dhe kolegëve, pra hoxhallarëve të tjerë?
Po. Për çështjen kombëtare unë kisha propozu që edhe kolegët e mi të marrin pjesë në manifestime të tilla, por jo për çështje partiake. Jo për të padrejtën, por vetëm për të drejtën.
Mulla Enver, edhe një pyetje për fund: cili do të ishte mesazhi juaj për politikanët për të tejkaluar krizën politike në vend?
Mesazhi im i thjeshtë: që të negociojnë t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit. Edhe vendi fqinj, Mali i Zi është deklaru se nëse ka gabime në marrëveshjen për shenjimin e kufirit dhe se do të hynë sërish në biseda me shtetin tonë. Andaj, po them se të dyja palët edhe pozita edhe opozita duhet të ulën të kuvendojnë dhe të merren vesh, e jo të hidhet gaz lotsjellës në Parlament./tesheshi.com/