Microsoft do të duhet të paguajë një gjobë prej 20 milionë dollarësh Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) për mbledhjen e paligjshme të informacionit personal nga fëmijët pa pëlqimin e prindërve të tyre.
Në deklaratën e FTC thuhet se Microsoft ka shkelur Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë në internet të Fëmijëve në SHBA (COPPA), pasi ka mbledhur informacion nga fëmijët që hynë në sistemin e saj të lojërave video Xbox pa dijeninë e prindërve të tyre, raporton Reuters.
“FTC ka propozuar masa për ta bërë më të lehtë për prindërit që të mbrojnë privatësinë e fëmijëve të tyre në platformën Xbox,” tha Samuel Levine, drejtor i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit të FTC.
Sipas tij, këto masa bëjnë të qartë se të dhënat biometrike të fëmijëve, informacionet për gjendjen e tyre shëndetësore apo avatarët e tyre – personazhe në realitetin virtual – nuk janë të përjashtuara nga COPPA.
COPPA kërkon që ofruesit e shërbimeve në internet dhe faqet që synojnë fëmijët nën moshën 13 vjeç të njoftojnë prindërit e tyre për informacionin personal që mbledhin dhe të marrin pëlqimin e tyre përpara se të mbledhin dhe përdorin informacionin personal të fëmijëve.
Një zëdhënës i Microsoft tha se kompania do të përmbushë kërkesat e FTC dhe do të përmirësojë mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve. /teshesh.com/