Nga Bardha Nergjoni
Arkeologu Gjergj Frashëri ka promovuar këto ditë studimin voluminoz kushtuar Durrësit antik, të botuar në tri gjuhë, me qëllim që të gjithë ta njohin se çfarë vlerash ka në nëntokën e qytetit kaotik me mori ndërtimesh, që rrezikon të fundosë përfundimisht gjithçka antike që dëshmon historinë e tij. E në fakt, materiali arkeologjik në Durrës nuk ka munguar e do të shfaqej sidomos kur ndërtohej një pallat pasi në këtë mënyrë do të gërmohej.
Kështu ndodhi edhe me “Lulishten 1 Maj”. Arkeologu dhe restauratori Gjergj Frashëri zbuloi një lagje të vjetër të Dyrrahut të prodhimit, një lagje ku materiali arkeologjik do të ishte i bollshëm dhe rrënojat kanë çfarë dëshmojnë. Ndonëse pallati u ngrit, pronari pati si detyrim që bodrumin e këtij objekti shumëkatësh ta lejonte si muze dhe lagjia e vjetër të mos zhdukej përfundimisht.
Nëse ishte zgjidhja e duhur, nëse Durrësi ka ende shpresë për të ndriçuar erën ilire, arkeologu, tashmë i kthyer për të qëndruar e kontribuar, jep përgjigjet e tij. Gjergji i ka bërë dhuratë vendit një vëllim dokumentar, por gjithashtu do të jetë me sytë hapur sa herë që në qytetin bregdetar hapet një gropë, sepse siç thotë ai në Durrës edhe një centimetër ka vlerë.
Sa kohë studime dhe gërmime janë dashur që të arrini deri në botimin e këtij vëllimi?
E kam të vështirë të përcaktoj një kohë të plotë pasi puna tek ne arkeologët është e pamatshme. Ka filluar qysh me profesionin, por një punë e plotë intensive ka zgjatur gati 5 vjet, duke filluar nga viti 2010 e deri sot. Puna për këtë libër ka filluar nga gërmimi në vend, përpunimi i të dhënave dhe sistemimi, arkivat, për të ardhur deri këtu në botim.
Zona arkeologjike e njohur si “Lulishtja 1 Maj” ka marrë shumë debat në kohën kur u dha leje për një pallat, megjithëse siti arkeologjik është ruajtur në bodrum.
Ju është dukur një zgjidhje e drejtë kjo në atë kohë?
Mund të them se nuk më takon mua të komentoj. Unë jam si kirurgu që bëj operacionin dhe nuk është përgjegjësi e imja por institucioneve që kanë ligjet në dorë. Është Ministria e Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, etj. të gjitha strukturat shtetërore që vendosin që të shpallet një monument kulture, të ruhet dhe si do të ruhet. Pra ne nuk kemi asnjë të drejtë të ndërhyjmë, pasi këto i takojnë atyre që bëjnë ligjet dhe rregullat. Ne arkeologët kemi gërmimin dhe e kemi dokumentuar këtë zonë arkeologjike sipas rregullave. E kemi bërë dhe punën tonë për të nxjerrë në dritë çfarë kemi zbuluar bashkë me restaurime të pjesshme siç janë mozailkët, disa prej të cilëve i kemi vendosur në telajo dhe janë në muze sot.
Ju keni qenë i angazhuar edhe me disa shkrime për trashëgiminë kulturore në rrezik. Kush janë monumentet më të rrezikuara sot në Shqipëri?
Po është e vërtetë. Kam bërë dhe disa shkrime publicistike në rolin e arkeologut duke ngritur zërin për trashëgiminë që po shkatërrohet. Më të rrezikuarat sot janë monumentet e kulturës dhe nëntoka arkeologjike, të parat nga mungesa e kujdesit pra e mirëmbajtjes dhe ruajtjes, ndërkohë e dyta nga dhunimi i tokës arkeologjike për arsye nga më të ndryshmet që fillojnë nga sulmet klandestinët, nga ndërtimet pa leje, pra nga veprimtaritë njerëzore që zbulojnë dhe nuk dokumentojnë.
Pse e keni sjellë edhe në gjermanisht vëllimin tuaj? Ka një arsye të veçantë?
Kur erdhi koha e botimit unë i jam drejtuar publikut ndërkombëtar dhe evropian, i jam drejtuar për të treguar se kush është Durrësi ynë arkeologjik. Mjedisi ndërkombëtar dhe mesdhetar është i interesuar të dijë se nuk janë vetëm disa qytete të shquara të botës antike të njohura tashmë por është edhe Durrësi në radhën e parë. Durrësi është një nga tempujt më të mëdhej të kulturës antike, që ka pasur forcë burimore tek të tjerët sepse është shumë i vjetër. Libri është shkruar në tre gjuhë pasi është bërë për t’iu afruar mjedisit shkencor ndërkombëtar të arkeologjisë, në përgjithësi dhe asaj evropiane në veçanti. Gjermanisht është gjuha kryesore që është shkruar pothuaj materiali, pasi Durrësi në këto vite ka qenë në qendër të vëmendjes, kryesisht nga albanologët dhe arkeologët gjermanë dhe austriakë. Këtë plejadë kam dashur të ndjek në libër.
Durrësi ka disa shtresëzime në historinë e tij të lashtë. Ju në librin tuaj e keni quajtur Dyrrahu ilir. Pse a nuk u pushtua dhe nga romakët?
Unë e kam sjellë Durrësin siç e tregojnë autorët antikë në origjinal, siç e tregon materiali arkeologjik që kemi nga dora jonë. Kam sjellë qytetërimin me analizën e njerëzve që kanë prodhuar për 1600-1800 vjet se si kanë punuar dhe materialet që kanë përdorur. Pra, kam sjellë Durrësin me durrsakët e vet, me njerëzit që janë mbajtur dhe kanë jetuar me dyqanet, punishtet, shtëpitë e tyre në një ndërtesë të vetme. “Lulishtja 1 Maj” nuk është qendra por brezi i dytë i qytetit, shtresat e mesme që përbëheshin nga artizanët, zejtarët të cilët në këtë lagje bënin punët e tyre. Pra kjo ishte shoqëria e mesme e Durrësit me punishtet e vogla për xhamin, qeramikën, metalin që edhe janë eksportuar.
Dyrrahu ka qenë qytet ilir. Romakët e quanin qytet të lirë. Romakët kur pushtonin e kthenin në koloni, ata donin t’i qytetëronin vendet me dhunë. Kur romakët erdhën në Durrës ata gjetën një qytet shumë të zhvilluar. Për këtë arsye e lanë qytet të lirë. Ata nuk arritën ta bënin koloni, por vetëm se administrata dhe gjuha u vendos latine.
Ju keni themeluar dhe “Fondacionin Frashëri”. Cili ka qenë qëllimi?
Qëllimi është për të dhuruar punë të kulturës vendit tonë me ato që ne kemi mundësi. Fondacioni të jep mundësinë e asaj që ke ta japësh për vendin tënd. Ky ka qenë qëllimi pasi fondacioni financohet nga familja ime, motrat e mia dhe unë. Duke qenë në gjendje ekonomike të mirë të kemi mundësi të kontribuojmë. Ne jemi frashërllinj dhe këtë punë kanë bërë gjithmionë frashërllinjtë kanë fituar jasht dhe kanë ardhur në vend e janë munduar të kontribuojnë.
Ky ishte një vëllim shumë voluminoz, por puna juaj nuk besoj se mbaroi këtu?
Unë kam qenë shumë vite jashtë dhe jam kthyer për të kontribuar. Do të mbetem po në Durrës pasi është një ndër qytetet elitare të botës antike. Ai renditet në rangun e parë por në mjedisin tonë nuk njihet sa duhet se kush është Durrësi. Vetëm kur je jasht e kupton se kush është ky qytet.
Por Durrësi është totalisht i mbuluar nga ndërtimet?
Durrësi ka fatkeqësinë të jetë një qytet ku jetohet, ka zhvillime ndërtimore dhe nuk është si Apollonia apo Butrinti. Detyra e parë që lind është se atje ku vendoset ndërtimi duhet të bëhet dokumentimi i sheshit të ndërtimit. Durrësi e ka qytetin e vjetër poshtë. Nuk mund të thuash qoftë edhe për një centimetër që nuk ka gjë. Edhe ai centimetër duhet parë që të dokumentohet për të mos varrosur një herë e përgjithmonë historinë tonë. Dokumentimi është detyra kryesore e strategjisë së shpëtimit.
Dyrrahu në 726 faqe
Në mbi 700 faqet e këtij libri, shoqëruar me 530 foto dhe katalogut prej 98 tabelash të gjetjeve arkeologjike ku përfshihen 1002 foto të tyre, shfaqet një trajtesë me përmasa madhore për nga premtimet dhe me rezultate befasuese shkencore. Për herë të parë në këtë vepër është përmbledhur, filtruar dhe analizuar i gjithë dokumentacioni historik, bibliografik, arkivor, gjeologjik, etj. për historinë e Durrësit qysh prej fillesave të tij si vendbanim në lashtësi (Epidam), themelimit të tij si qytet arkaiko-antik (Dyrrah) dhe zhvillimeve të tij në mesjetë (Durrës). Trajtesa ka përmasa komplekse për nga llojshmëria e gjurmimit. Ajo është tepër e pasur me burimet arkivore dhe historike, e plotë dhe shteruese në studimin e substancës arkeologjike të botuar deri më sot, e mbushur me analiza dhe rivlerësime filtruese me një korrektesë dhe seriozitet profesional. Si asnjëherë më parë është paraqitur shkencërisht në këtë monografi situata e hapësirës natyrore të Durrësit me gjeologjinë dhe gjeomorfologjinë e saj, gjeografia historike e qytetit prej antikitetit deri më sot. Punimi vijon me vështrimin historik qysh nga dëshmitë prehistorike, me hulumtimin mbi emërtimet Epidam/Dyrrah të qytetit antik, me zhvillimin e tij në kohën e mbretërve ilirë dhe të Protektoratit Romak prej 229/228 para Krishtit, përshkrimin e Luftës midis Pompejit dhe Çezarit përpara Dyrrahut (48 para Kr.), gjendjen e qytetit prej Luftës Civile deri në antikitetin e vonë, më pas me ndryshimet që pësoi qyteti në mesjetën e hershme, të mesme dhe të vonë, në kohën e zotërimit venecian dhe atij osman. Nuk janë harruar përfundimet e autorit mbi zhvillimin e krishterimit në Dyrrah përmes dokumenteve arkeologjike. /tesheshi.com/