Nga Luljeta Progni
21 qershori si rrezik i përqëndrimit të gjithë pushtetit në duart e Ramës e Metës
Krahasimi me situatën pas zgjedhjeve lokale të vitit 2000 dhe atyre parlamentare të vitit 2001 kur mazhoranca e majtë mori shumicën në dy pushtetet dhe krizat politike që pasuan dy vitet në vazhdim
Nëse sondazhet do të rezultojnë afër rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit, situata pas këtyre zgjedhjeve mund të jetë e ngjashme me atë të 14 viteve më parë kur e majta mori të gjithë pushtetin.
Në zgjedhjet e vitti 2001, Partia Socialiste dhe koalicioni i majtë i fiton zgjedhjet parlamentare një vit pasi kishin fituar ato lokale në shumicë dërrmuese të Shqipërisë. I gjithë pushteti u përqëndrua në një krah dhe kjo situatë u pasua me kriza të thella politike për vitet në vazhdim.
I vetmi detaj që bën diferencën është institucioni i presidentit. Në vitin 2001 presidenti ishte zgjedhur nga e majta ndërsa presidenti aktual është zgjedhur nga e djathta. Por ky fakt nuk ka ndonjë peshë pasi kompetencat e presidentit aktual janë ndjeshëm më të pakta se ato që kishte presidenti në vitin 2001. Ndryshimet në kushtetutë në vitin 2008 minimizuan pushtetin e presidentit në Shqipëri.
Në tetor të vitit 2000 u vendos mbajtja e zgjedhjeve vendore. Kishin kaluar tre vite prej ngjarjeve kaotike të vitit 1997. Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet parlamentare të qershorit 1997 dhe këto zgjedhje ishin të parakohëshme. Ato erdhën si rezultat i krizës së thellë politike që përfshiu vendin, si pasojë e destabilitetit që sollën kompanitë piramidale të fajdeve në Shqipërinë e atyre viteve.
PD u rrëzua me protesta popullore dhe për këtë pati ndikim edhe përgjegjësia e kësaj partie në qeverisje, për manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Partia Socilaiste dhe aleatët e saj fituan me rezultate të thellë zgjedhjet e qershorit 1997 ndërsa PD doli e dërrmuar nga këto zgjedhje. Kriza të tjera politike e pasuan atë të vitit 1997 por në përmasa më të vogla. Një prej tyre ishte edhe kriza politike e vjeshtës së vitit 1998, kur para selisë së Partisë Demokratike u vra deputeti demokrat Azem Hajdari.
Për vrasjen e Hajdarit, opozita akuzoi qeverinë dhe kryeministrin socilaist Fatos Nano. Vrasja e Hajdarit u pasua me protesta të dhunshme dhe brenda pak ditësh, Fatos Nano dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Kjo ngjarje ndikoi në mënyrë specifike në zhvillimet brenda Partisë Socialiste. Prej vitesh ishte evidentuar beteja politike mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Ky i fundit ishte aktivizuar si një ndër drejtuesit kryesor të PS-së gjatë kohës kur Fatos Nano vuante dënimin me burg gjatë qeverisjes së parë të demokratëve.
Beteja mes Nanos e Metës ishte në proces zhvillimi për të mbërritur në vitin 2000 kur Ilir Meta ia doli të emërohej në krye të qeverisë socialiste, ndërsa Fatos Nano ishte kryetar i PS-së. Në këtë situatë do të zhvilloheshin zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2000.
Zgjedhje lokale 2000
Zgjedhjet lokale të vitit 2000 ishin të tretat zgjedhje të këtij lloji në Shqipërinë pluraliste dhe të parat pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Ndërkombëtarët i cilësuan këto zgjedhje si një test për klasën politike të kohës në drejtim të realizimit të përmbushjes së standarteve demokratike në zgjedhje, si një kusht për procesin e anëtarësimit euroatlantik.
Në provë ishte mazhoranca e majtë. Por në provë ishin edhe demokratët të cilët duhet të dëshmonin në këto zgjedhje se kishin lënë pas fazën e krizës politike që pësuan me ngjarjet e vitit 1997 dhe se mund t`iu shfaqeshin shqiptarëve si një alternativë e besueshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001.
Në zgjedhjet vendore të tetorit të vitit 2000, opozita e humbi bashkinë e Tiranës të cilën e kishte drejtuar prej vitit 1992. Partia Socialiste me kandidat Edi Ramën e mori këtë bashki por edhe të tjera bashki kryesore, të drejtuara që nga 1992 nga PD.
Në zgjedhjet e tetorit 2000 demokratët humbën 39 bashki në krahasim me katër vite më parë. PD-ja fitoi vetëm 13 bashki, të gjitha në pjesën veriore të vendit. Përveç kësaj, bashkitë e fituara ishin të nivelit të dytë duke përjashtuar Shkodrën. Po ashtu demokratët pësuan një humbje të thellë edhe në votimin për kryetarët e komunave.
PD-ja fitoi vetëm 79 komuna nga 309 gjithsej, duke pësuar një humbje prej 181 komunash në krahasim me 1996. PD humbi rreth 400 këshilltarë bashkiakë dhe 365 këshilltarë të komunave. Lista e të papunëve në PD do të dyfishohej, gjë që do të reflektohej në ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të verës 2001.
Zgjedhjet e vitit 2000 u vëzhguan nga misioni i OSBE/ODHIR-it, i drejtuar nga diplomati italian Eugenio Polizzi. Në përbërje të tij ishin 270 vëzhgues nga shtetet anëtare, ndërkohë që disa dhjetëra vëzhgues të huaj vepruan edhe në kuadër të Këshillit të Europës, Institutit Demokratik Amerikan dhe Parlamentit Europian. Krahas tyre vepruan rreth dy mijë vëzhgues vendas, të cilët gjithashtu patën një rol aktiv në monitorimin e plotë të procesit zgjedhor.
Ky numër i madh vëzhguesisht ishte shprehje e rëndësisë së standardit të zgjedhjeve dhe testit nëse Shqipëria kishte kapërcyer fazën e krizave dhe protestave politike kontestuese. Misioni kryesor, ai i ODHIR-it, doli me 2 tetor me deklaratën paraprake, e cila vlerësonte se zgjedhjet shënuan “një përparim domethënës drejt arritjes së standardeve për zgjedhjet demokratike”.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2001
Fitorja e mazhorancës së majtë në zgjedhjet lokale të vitit 2000, ndikoi në uljen e tensioneve brenda PS-së pasi ishin pak muaj deri në zgjedhjet parlamentare të rradhës. Ilir Meta kryeministër, mori përsipër përgjegjësinë për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit 2001.
Meta hyri në këto zgjedhje si kryeministër për të rikonfirmuar mandiatin e tij në krye të qeverisë duke garantuar fitoren në këto zgjedhje. Procesi i zgjedhjeve të 24 qershorit 2001 u mbajt në një klimë politike të acaruar mes mazhorancës dhe opozitës. Nga ana tjetër ndërkombëtarët vazhdonin thirrjet e tyre drejtuar politikës për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike si kusht për procesin e integrimit euroatlantik të vendit.
Zgjedhjet parlamentar u zhvilluan në 24 qershor dhe më pas pati disa procese balotazhi për të mbërritur deri tek zgjedhjet në komunën Dushk, prej se cilës dolën 11 deputetë, duke shfrytëzuar sistemin proporcional. Ky element i kësaj fushate ka mbetur në memorie si një ndër njollat e zeza të proceseve zgjedhore në Shqipëri, i cilësuar tashmë “fenomeni Dushku”.
Zgjedhjet i fitoi koalicioni i majtë, ndërsa opozita e djathtë nuk e pranoi rezultatet. Ndërsa ndërkombëtarët i cilësuan këto zgjedhje mjaft problematike. Zgjedhjet e 24 qershorit mbahen mend si më të manipuluarat pas zgjedhjeve të 26 majit 1996.
Raportet e ndërkombëtarëve konstatuan se “procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, konfliktual, i pasigurtë dhe i fragmentuar”. Zgjedhjet u zhvilluan në pesë raunde, më 24 qershor, 8 korrik, 22 korrik, 29 korrik dhe 19 gusht 2001. Pati përsëritje votimesh, debate dhe kontestime në shumë zona elektorale. Vëzhguesit ndërkombëtare listuan151 parregullsitë serioze në procesin zgjedhor, përfshirë këtu raste të mbushjes së kutive të votimit dhe të përdorimit të fletëve të votimit të parashenjuara.
Pavarësisht kësaj, zgjedhjet u pranuan dhe e majta fitoi 41.5% krahsuar me të djathtën 36.8% të votave. PD vendosi të mos i pranojë zgjedhjet dhe nisi protestat popullore në mbarë vendin duke bojkotuar Parlamentin.
Paralelisht me këtë situatë u rikthyen përplasjet mes Nanos e Metës në PS. Beteja politike mes tyre kulmoi në dhjetorin e vitit 2001 kur në KPD-në (Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, sot Asambleja Kombëtare e PS) e famshme u publikuan akuza të ashpra mes grupit të Nanos dhe atij të Metës. Ishte fundi i Lëvizjes për Katarsis në PS, e drejtuar nga kryetari i partisë Fatos Nano.
Kjo lëvizje pati si qëllim kryesor rrëzimin e kryeministrit Ilir Meta. Kjo ndodhi pak muaj më pas dhe në krye të qeverisë u vendos Pandeli Majko. Por kriza mes mazhorancës dhe opozitës nuk u zgjidh. Partia Demokratike dhe aleatët e saj vazhduan protestat. Fundi i krizës erdhi në vitin 2002 kur Fatos Nano u detyrua të ulet në bisedime me kundërshtarin e tij më të fortë në politike, kryetarin e opozitës së atëhershme Sali Berisha.
Takimi Nano-Berisha
Fatos Nano e Sali Berisha kishin zhvilluar një betejë të vazhdueshme duke shkaktuar klimë të tensionuar politike, në 13 vite pas vendosjes së pluralizimit politik në Shqipëri. Megjithatë, në kushte specifike në të cilat ndodhej vendi por edhe pozitat e vështira që kishte kreu i mazhorancës së athershme, Fatos Nano, sollën uljen në bisedime dhe arritjen e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit i cili ishte përqëndruar në duart e mazhorancës së majtë. Pas bisedimeve, u vendos që presidenti të zgjidhej me propozimin e opozitës dhe gjithashtu u la e hapur mundësia që opozita të propozonte emra për drejtues të disa institucioneve të pavarura si Prokurori i Përgjithshëm apo edhe KLSH.
Marrëveshja mes Nanos e Berishës u prish shpejt, megjithatë vendi fitoi një farë qetësie. Duheshin përgatitje për betejën e radhës, atë të zgjedhjeve lokale të vitit 2003 si një parapërgatitje për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Ndërkohë mazhoranca e majtë mezi mbahej në këmbë pasi u rikthye më e ashpër se asnjëherë beteja mes Nanos e Metës e cila përfundoi me ndarjen e PS-së në dy parti. Në fillim të vitit 2004 Ilir Meta dhe një grup deputetësh të PS-së u larguan nga kjo parti për të themeluar lëvizjen Socilaiste për Integrim.
Ajo që e ndryshon situatën aktuale me vitin 2001 është institucioni i presidentit. Bujar Nishani është zgjedhur si president me votat e Partisë Demokratike e cila është në opozitë prej qershorit të vitit 2013. Por ajo që e bën të pavlefshëm si element për balancimin e pushtetit, është fakti se kompetencat e presidentit sot janë krej të ndryshme me kompetencat e presidentit në vitin 2002 kur PD mori të drejtën për të propozuar kandidatin e saj për këtë post.
Prej vitit 2008 kur u miratuan në Kuvend ndryshimet në Kushtetutë, kompetencat e presidentit janë minimizuar dhe aktualisht presidenti nuk ka mundësi bllokimi ndaj mazhorancës. Para vitit 2008, presidentit i jepte kushtetuta të drejtën për të bllokuar mazhorancën dhe kjo ka ndodhur më shumë se një herë me presidentin Rexhep Mediani i cili rrëzoi gjatë mandatit të tij dekretet e qeverisë Nano për emërime ministrash duke shkaktuar kriza të thella të mazhorancës së asaj kohe. Ndërsa sot presidenti Nishani nuk e ka mundësinë të bllokojë mazhorancën dhe për pasojë nuk ekzistojnë mundësitë për balancimin e pushteteve.
Në këto kushte, në rast të fitores së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” në zgjedhjet e 21 qeshorit, i gjithë pushteti përqëndrohet në duart e mazhorancës së majtë e drejtuar nga Edi Rama e Ilir Meta.
Fitorja e mundshme e së majtës në zgjedhjet e 21 qershorit prish balancat politike duke shtuar mundësitë për abuzim me pushtetin. Ky përqëndrim pushteti mund të pasohet me kriza në të ardhmen ashtu siç ka ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2001.
Protagonistë të asaj fitoreje ishin ata që janë sot në krye të mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta. Sot ata janë bashkëpunëtorë, por shpejt mund të gjenerojnë krizë mes tyre pasi njihen ambiciet e secilit për të grumbulluar sa më shumë pushtet rreth vetes. /tesheshi.com/