Finalja e 27 majit e FA Cup-t, një prej veprimtarive të futbollit anglez, do të jetë e tëra londineze, pasi në të do të përballen Çelsi me Arsenalin.
Gjysmëfinalja e sotme ndërmjet Arsenalit dhe Mançester Sitit shihej si një barkë shpëtimi për Arsene Wenger-in dhe Pep Guardiola-n pas një sezoni thuajse të dështuar, ama fati ka qenë me francezin.
“Topçinjtë” fituan një gjysmëfinale me përmbysje në “Wembley”, pasi e panë veten në humbje në minutën e 62-të, atëherë kur për “qytetarët” do të shënonte Aguero.
Barazimi do të vinte shpejt, pas nëntë minutash, me shënues Nacho Monreal-in.
Loja e rregullt do të mbyllej në barazim, gjë që i bëri të detyrueshme shtesat. Aty ku Arsenali gjeti dhe golin e fitores. Alexis Sanchez realizoi në minutën e 101-të, dhe rezultati 2-1 nuk ndryshoi më.
Kjo është finalja e tretë në FA Cup për Arsenalin në katër sezonet e fundit; në 2015-n trofeu do të ishte për të.
Për Guardiola-n, humbja vulos një sezon problematik në futbollin anglez. Zërat e pakënaqësisë ndaj tij kanë filluar të dëgjohen fort.
Çelsi do ta siguronte vendin në finale me fitoren e djeshme 4-2 ndaj Totenhemit. /tesheshi.com/