Nga Bardha Nergjoni
Një kantier ndërtimi për Unazën e Vogël të Tiranës, e ka nxjerrë lakuriq pallatin e famshëm me kuba, atë të Kadaresë. Agollit e të tjerëve, që përbën një copëz Tirane, e komunizmi gjithashtu. Tashmë, pas shembjes të godinës së INSIG-ut, ai duket dhe më i mjerë me shtesat pa leje dhe suvatë e degraduara.
Dhe banorët e atyshëm nuk dinë asgjë se çfarë do të ndodhë me këtë objekt. E mirëpresin restaurimin pasi duket se gjithçka në këtë pallat është në rënie të lirë. Në hyrjen perëndimore, aty ku vazhdon të jetojë shkrimtari i madh Dritëro Agolli, ka apartamentin e shumë viteve jetë dhe shkrimtari Ismail Kadare.
Në të njëjtat apartamente ku banojnë njerëz të shquar dhe kanë jetuar aktorë të mëdhenj, veç portës së hekurt, gjithçka duket se ka ndalur në kohë. Ndërsa hyjnë dhe dalin banorë të rinj e të vjetër që e presin me shumë se të gjithë restaurimin e munguar, ngrenë supet për atë që pritet të ndodhë por të një mendjeje që pamja e këtij pallati duhet të ndryshojë.
Nusja e familjes Agolli, ndërsa ka dëshirë të rrijë larg aparatit fotografik, thotë se deri tani nuk dinë asgjë për restaurimin. “Ne nuk jemi mbledhur që të na pyesë çfarë duam dhe çfarë duan ata të bëjnë me pallatin ku jetojmë. Në anën tjetër ju e keni parë që me daljen në pah të murit anësor, duket shumë keq. Patjetër që kërkohet një restaurim. Po na e restauruan, faleminderit ju themi. Unë kam 20 vjet që banoj këtu e nuk është vënë dorë. Është pallat i mirënjohur pasi këtu kanë jetuar Eleni Selenica, Ismail Kadare dhe vazhdon të jetojë Dritëro Agolli, Emin Musliu, etj. Banorët mirëpresin ndërhyrjen, pasi kështu si është katandisur se ka ngelur si çiban në mes të qytetit. Të paktën për ne të kthehet siç ka qenë”. thotë gruaja e familjes Agolli.
Ndërkohë që shumë familje të tjera vazhdojnë të banojnë në të njëjtin pallat, Ismail Kadare nuk është më banori i atyshëm, duke mbetur thjesht i dikurshmi i këtij pallati. Pllaka në hyrje të shkallës njofton se në katin e fundit të së njëjtës hyrje vazhdon të jetojë familja e artistit të popullit Feim Ibrahimi.
Një inxhinier që banon në hyrjen tjetër thotë se deri tani restaurimi është çështje fjalësh, pasi ata nuk dinë asnjë më shumë. “Kemi dëgjuar që do të ndërhyhet por këto janë llafe pazari. Gjëra konkrete nuk dimë. Kam dëgjuar që do të modifikohet me xham. por kjo nuk është zgjidhje. Ky pallat duhet të kthehet në gjendjen që ka qenë. Është ndërtuar në vitin 1974 dhe nuk është vënë dorë asnjëherë”.
Në fakt, banorët e pallatit me kuba nuk ishin të rastësishëm në këto hyrje. Ata përzgjidheshin jo vetëm në bazë të biografisë por edhe miqve që kishin. Inxhinieri tregon se në këtë pallat thuajse në qendër ata që do banonin o ishin figura të njohura ose kishin miq të fortë. “Gjithmonë me miq mund të futeshe këtu në këtë pallat. Ne kemi lënë një shtëpi shumë të mirë e kemi ardhur këtu. Ishte problem në atë kohë pasi pranë shtëpisë sonë ishte një depo farmaceutike që shkaktonte shqetësime shëndeti tek një familjar. Lamë një shtëpi të mirë dhe erdhëm këtu. Përgjithësisht kanë qenë njerëz të përzgjedhur si Petrela, Mysliu, Kadare, Agolli që kanë jetuar dhe vazhdojë të jetojnë. Të presim çfarë do të ndodhë por shpresojmë që të mos rrimë edhe shumë në këtë gjendje”.
Pallati me kuba, provokacioni që i kushtoi Maks Velos 10 vjet burg
Në një koment mbi pallatin e Kadaresë, Artan Shkreli shkruan se ky objekt në mes të Tiranës ishte shfaqje e modernizmit dhe rezultoi si një provokacion i vazhdueshëm për artin zyrtar të asaj kohe.
“Atëherë kur maiolika e bardhë socialiste dukej e panjollë, një objekt në Tiranë dëshmoi krejt papritur, mu si një qiri i vogël që gacullin mes territ-mblojë, se klori i dezinfektuesit totalitar nuk ia kish dalë të depërtonte në psikën e një arkitekti vetmitar: Maks Velos. Ky objekt ishte Pallati me Kuba, që ndryshe nga tiranasit thirrej dhe si Pallati i Kadaresë. Ra menjëherë në sy ai pallat dhe u konsiderua pa mëdyshje si prirje dhe rravgim drejt kubizmit: qoftë nga kush e përshëndeti fshehtas, qoftë nga ata që e me ngulm e ligësi e sulmuan pa e ndarë nga autori. Në shënimin përkatës që kam bërë brenda librit të Maks Velos “Paralel me Arkitekturën” më 1998, shkruaja se “tendenca drejt këtij kërkimi, jo vetëm në plan, por edhe në volum do të konsiderohej si kubizëm në atmosferën monotone të hapësirës artistike shqiptare. Askush nuk kish mundur as të ekspozonte ndonjë krijim ‘kubist’ qoftë edhe për disa ditë në ndonjë ekspozitë dhe ja befas shfaqet ky profanator i artit (Velo) dhe si pa gjë të keq, gati në heshtje e pa bujë ngre një godinë në mes të Tiranës, e cila më vonë do të rezultonte një provokacion i vazhdueshëm për artin zyrtar”.
Duke sjellë detaje nga apartamenti i stilit aspak socialist, Kadare e quan të guximshëm Maks Velon. Pasojat për arkitektin do të ishin të mëdha dhe kritikat të forta.
“Te ‘Kohë antishenjë’, në parathënien e tij, Kadare shkruan se “Maksi ishte i guximshëm; pa pyetur askënd, te njëri nga apartamentet, ai që ishte parashikuar ‘me një dhomë pune’, bëri ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhoma e punës të kishte një hapësirë të pazakontë për stilin socialist të banesave. Pa u mjaftuar me këtë parashikoi vendin e një oxhaku… Ishte ndoshta i vetmi apartament në një ndërtesë banimi të përbashkët në Shqipëri i projektuar me një oxhak. Të dyja këto modifikime, hapësira dhe oxhaku, do të bëheshin problem më pas, çështja do të shkonte gjer te Kryeministri i shtetit. Vetë ndërtesa do të vihej në shënjestër të akuzave, sidomos pas dënimit të Maksit; do të quhej moderniste, kubiste, madje disa herë do të propozohej shembja e saj. Pas peripecive të ngritjes, kritika zyrtare nuk vonoi; veç ekspertizave e analizave politike nëpër mbledhje, gazeta “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në vend se ta mbronte misin e saj, shkruante: ‘në godinën e banimit karshi Mapos nr. 1 në Tiranë, projektuar nga M. Veloja mbizotëron një anomali në ndërtimin e brendshëm të apartamenteve, me sipërfaqe banimi e shërbimi të pajustifikuara, me forma e madhësi të ndryshme. Për hir të ‘arkitekturës së lirë’ …është rënduar funksioni dhe pamjet e ndërtesës. Vepra të tilla nuk kanë dobi shoqërore. Ja pra kush e lind kontradiktën: ndikimi dhe shija e huaj dhe jo faktori ekonomik… Madhësinë e një vepre nuk e përcaktojnë ngarkesa me format ekstravagante ose voluminoze, …por në radhë të parë përmbajtja dhe vlera e saj ideoestetike.
Gjyqi qe bërë. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes i kërkoi autokritikë, sikurse pati ndodhur edhe me artistë të tjerë. Maksi qe i vetmi ndër ta që nuk e bëri. Ndofta ishte i vetëdijshëm për natyrën dhe disidencën e arkitekturës së tij. U mbrojt ‘keq’ dhe e shtynë… të tërë… edhe kolegët. U shkarkua nga detyra. Iu ndalua projektimi. U çua për punë të detyruar në bujqësi, në kooperativën e Ndroqit. U përgjua. U arrestua. U dënua… 10 vjet.
Maks Velo ishte personaliteti i parë në krejt Lindjen Europiane, e ndofta i vetmi në të gjitha ‘demokracitë popullore’, që u dënua nga një gjykatë shtetërore veç për mënyrën e të bërit art dhe për arkitekturën e tij”.
Shkreli: Restaurimi çështje muajsh
Çfarë do të ndodhë me pallatin me kuba ose pallatin e Kadaresë? Ka një projekt konkret për restaurimin e tij?
Jo. Ende nuk kemi një projekt të përfunduar. Kemi filluar ta përgatisim bashkë me Maks Velon një të tillë për restaurimin e plotë. Duam ta shndërrojmë në një pallat në një landmark për qytetin sepse është dhe një zonë e cila do të jetë brenda Unazës së Vogël. e për rrjedhojë do të ketë këmbësorë, pra një pedonale.
Përfundimi i projektit është çështje muajsh?
Projektin kemi filluar t’a analizojmë qysh tani. Kjo, pasi do të jetë pjesë komplementare e sheshit që po mbyll studioja belge. Ata nuk do ndërhyjnë në objekte dhe kjo pjesë i mbetet institucioneve. Besojmë se brenda verës do të kemi një projekt të përfunduar.
Ka një ide paraprake se si do të restaurohet ky pallat veçanërisht?
Do të analizohet çdo element i tij. Është menduar një restaurim në dy faqet e tij dhe një rikonceptim në dy faqet e tjera. /tesheshi.com/