Nisma për Kosovën edhe pse në koalicion parazgjedhor me dy parti tjera, PDK-në dhe AAK-në, ka vendosur që në legjislaturën e ardhshme të veprojë si grup parlamentar i vetëm.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga ish-shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Valdete Bajrami.
“Nisma për Kosovën në këtë legjislaturë do të ketë numër më të madh të deputetëve sesa në legjislaturën e kaluar dhe kjo tregon qartë se Nisma ka pasur rritje për 40%. Kryetari Limaj qysh gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se deputetët e Nismës për Kosovën do të funksionojnë si grup parlamentar në vete”, ka thënë Bajrami për mediat kosovare.
Kujtojmë se edhe fushatën zgjedhore NISMA e ka bërë si e vetme dhe Fatmir Limaj është parë bashkë me Kadri Veselin e Ramush Haradinajn vetëm në hapje dhe mbyllje të fushatës.
Nisma pritet t’i ketë së paku tetë deputetë në legjislaturën e re, por janë në pritje edhe të deputetit të nëntë.
Koalicioni i tri partive, që po njihet ndryshe si PAN, në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka dalë e para duke marrë 33.92 për qind të votave. /tesheshi.com/