“Të dhunshëm, të egër, të paqytetëruar”- Presidenti Nishani etiketon sjelljet e Kryeministrit Rama ndaj tij vetëm 2 muaj para mbarimit të mandatit. Kjo si kundërpeshë ndaj faktit se Rama mbron rregullisht qëndrimin se me të kryeministër, kreu i shtetit nuk është përçudnuar verbalisht si më parë, referuar për këtë fjalorit të Berishës ndaj Moisiut e më pas Topit…
Si një rrufe në qiell të hapur, por jo dhe aq, kanë ardhur akuzat e djeshme të Presidentit Bujar Nishani ndaj Kryeministrit Edi Rama. Mes tyre s’ka pasur kurrë një marrëdhënie dashurie, e vetkuptueshme kjo pasi kryeministri i majtë gjente në karrigen e kreut të shtetit një president krejtësisht të djathtë, politikisht shërbestar besnik dhe i rregullt të PD-së dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Por, pavarësisht situatës së nderë mes tyre, kthimeve të ligjeve të qeverisë nga presidenti apo shmangia e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë nga kryeministri, ishte ruajtur deri-diku etika në të folurin publik.
Por Nishani dje i ka lëshuar frerin gojës dhe në një portal të gazetarit Edison Ypi ka shpërthyer në akuza të forta që të bëjnë të mendosh sikur në 4 vite ai ka qenë një i burgosur në kullën e Ramës.
“Nuk ka qenë konflikt. Ka qenë një atak i dhunshëm, i egër, i paqytetëruar i Kryeministrit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës. E para herë në historinë e shtetit tonë që ndodh në këtë masë dhe në këtë formë kaq të paramenduar, të organizuar dhe sistematike”-thotë Nishani.
Nga gjuha e përdorur fare lehtë mund të merrej si një intervistë me Sali Berishën po të mos kish që në krye emrin dhe foton e Nishanit. Rama deri më tani nuk i ka kthyer përgjigje këtyre akuzave. Përgjithësisht ai është munduar të vetkontrollohet kur ka ardhur puna për të folur për presidentin, duke i treguar ose me veprime ose me heshtje qëndrimet e tij.
Nishani, një president i PD-së, për PD-në
Përplasja mes tyre zë fill që me mënyrën e zgjedhjes së Nishanit në krye të shtetit. Pas presidentit Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, të dy kandidatura që vinin nga e djathta, por që kishin marrë vota nga e majta, dhe në detyrë nuk kishin pranuar të ishin “ushtarë” të bindur të Berishës, lideri i së djathtës nuk kishte ndërmend të bënte për herë të tretë të njëjtin gabim. Kështu, në vitin 2012 Berisha vendosi të propozojë për president emrin e një njeriu që askush se kishte menduar më parë (përveç gazetarit Mero Baze që e kishte lakuar emrin e tij në rubrikën e humorit në gazetën Tema). Bujar Nishani, nga një deputet i PD-së, një nga më të bindurit e linjës së partisë, arriti të bëhej president duke i siguruar Berishës një rrugë për të qenë në pushtet dhe pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013. Dhe ashtu ndodhi! Nishani mund të konsiderohet si presidenti më politik i viteve të fundit. Mjafton të vërehen intervistat e tij në media, ku ashiqare flet me gjuhën e opozitës së djathtë. “Njerëzit s’kanë bukë të hanë”- thotë kreu i shtetit duke përdorur sloganet e protestës së opozitës.
Mjafton të shikosh qëndrimin ndaj ligjeve ose kandidaturave për ambasadorë: refuzon të firmosë vetëm ato që i kundërshton PD-ja. Nga ana tjetër Berisha është udhëzuesi i tij i vetëm në punën që bën. Mjaft të kujtojmë që ditën kur kryeprokurori Adriatik Llalla u konfliktua me ambasadorin amerikan, Nishani zgjodhi të takonte në zyrë Berishën (një deputet i thjeshtë i PD-së) para se të priste ambasadorin Lu.
Mjaft të përmendim debatin për pajisjen e përgjimeve. Ndërsa PD akuzonte qeverinë për krim shtetëror, kreu i shtetit i kërkoi ekzekutivit të mos pengojë hetimin e Prokurorisë për zbardhjen e përdorimit të mundshëm të një pajisjeje përgjimi dhe madje aludoi për përpjekjet e qeverisë për mashtrim të opinionit publik.
Historia e përplasjes Nishani-Rama
Në fakt, prologu mes të dyve nuk është i tillë. Edhe pse Nishani president ishte një zgjedhje deri fyese për politikën në përgjithësi, si dhe një kurth politik për kahjen përballë, Rama në kushte opozite vendosi ta respektonte si zgjedhje nga pikëpamja ligjore dhe protokollare. Ai morri pjesë në ceremoninë e inagurimit të Nishanit-President, madje duke u përshëndetur përzemërsisht dhe me dy fëmijët e tij për pak çaste.
Por ardhja në pushtet e Ramës e prishi një klimë mes tyre, gjithsesi etike dhe korrekte. Sinjalin e parë e dha Nishani, i cili u dërgoi mesazh krerëve të institucioneve që mos i nënshtroheshin presioneve të qeverisë së re(!), një akt krejt i pakuptimtë, a thua se vendi po pushtohej nga një ushtri e huaj dhe kreu i shtetit po jepte amanetet e fundit para vetëvrasjes.
Më pas, ishte Rama që e pasoi inatin e tij politik, duke e hequr foton e tij nga zyrat e shtetit, për ta zëvëndësuar me themeluesin e shtetit, Ismail beun e Vlorajve. Kryeministri i ri e përligji këtë akt si rregullim i një gabimi protokollar, referuar dhe përvojave të huaja, por ndohej nga larg pahonepshmëria e tij për ta patur “ushtarin” e Berishës rojë sipër kokës.
Përplasja e dytë erdhi me shkarkimin e kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Nishani e kundërshtoi shkarkimin e saj dhe e çoi deri në Kushtetuese.
Rrëzimi i dekreteve u bë një marrëdhënie gati e zakonshme mes dy institucioneve kur erdhi çështja e emërimeve në Gjykatën e Lartë. Nishani rrëzoi pesë emra që erdhën nga qeveria dhe përplasja vijoi deri në ngritjen e një këshilli konsultativ.
Nishani kundërshtoi të firmoste disa ligje të rëndësishme për reformat që kishte ndërmarrë qeveria siç ishte; “Për ndarjen e re territoriale”, i mbështetur nga ndërkombëtarët.
Përplasja që mori më shumë popullaritet ishte ajo për emërimin e ambasadorit në Vatikan. Rama kishte propozuar një emër të nderuar, një ish-të përndjekur dhe ish-deputet i PD-së, Visar Zhitin, por Nishani në mënyrë të paprecendetë refuzoi ta firmoste emrin e tij. Mediat e akuzuan se po mbronte interesa të ngushta të Aleksandër Frangajt për të mbajtur motrën e tij në këtë ambasadë.
Ligji për importin e Mbetjeve përveçse e përballi Ramën me një llogaridhënie morale ndaj opinionit publik e përballi dhe me Nishanin, i cili e kthehu mbrapsht ligjin në Kuvend, ku akoma pret për një mazhorancë votash për të kaluar.
Ushtria shqiptare prej disa muajsh është pa gjeneral të përgjithshëm pasi Nishani refuzon propozimin e Kryeministrit Rama për dhënien e një mandati të dytë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazos.
Refuzimi i ftesave reciproke për aktivitete u kthye në traditë. Por Rama e theu këtë traditë duke marrë pjesë në pritjen që shtroi presidenti me rastin e marrjes së statusit kandidat dhe pse ky i fundit refuzoi pritjen e organizuar nga qeveria.
Por para disa ditësh ai refuzoi të merrte pjesë në Këshillin e Sigurisë, një mbledhje e kërkuar nga Meta, duke e arsyetuar me një udhëtim zyrtar në Prishtinë atë ditë.
A mund të ndodhte ndryshe?
Por a mund të ndodhte ndryshe? Vështirë! Janë dy botë që në asnjë rast nuk pikëtakohen me njëra-tjetrën. Rama është tip zevzeku nga natyra dhe përballë një figure si Nishani, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka lënë asnjë gjurmë shkëlqimi, makar edhe intelektual, në mos politik, vështirë se do mund të bënte luajalin. Nga ana tjetër, tipologjia e Nishanit, që dhe në radhët e PD-së nuk ka patur kurrë gradë apo mision më të lartë se ai i një “ushtari” që merr e zbaton urdhëra me qëndrimin gati-tu, nuk linte asnjë shans për një raport korrekt shtetarësh, edhe pse në paradokortësi politike. Gjuha e kreut të shtetit dje e konfirmon më së miri këtë. /tesheshi.com/