“Harmony of the seas”, anija më luksoze dhe më e madhe në botë, është nisur të dielën për një lundrim katër ditor prej Sautempton për në Roterdam.
Lundrimi katër ditor është udhëtimi i parë zyrtar i kësaj anije, një javë pasi ka lëshuar djepin e saj, portin Saint Nazaire të Francës, për të arritur në Sautempton të Anglisë, ku edhe ka pritur udhëtarët e parë të saj.
Me 362 metra gjatësi, 66 metra i gjerë, me lartësi 72 metra dhe 226.963 tonelata peshë, “Harmony of the seas” ka epitetin e anijes më të madhe në botë, të mbajtur deri më tani nga anija “Allure of the seas”.
Anijen “Harmony of the seas” nuk e bën tërheqëse vetëm madhësia e saj. Ajo çfarë u ofron kjo anije udhëtarëve të saj, mund të krahasohet me ofertën turistike të një qyteti të tërë.
I krahasuar me një qytet lundrues, me shtatë lagje të ndara, anija përmban 2.747 dhoma private, 20 restorante, 23 pishina, një park me më shumë se 10.000 bimë dhe 50 pemë, simulatorë të surfimit, dy mure për ngjitje, fushë patinazhi, terrene për basketboll dhe amfiteatër me kapacitet prej 1.400 njerëzish.
Ndërtimi i “Harmonisë së detit” ka zgjatur dy vite e gjysmë, ndërkaq “Royal Caribbean” ka investuar 1 miliardë dollarë në mënyrë që anija më e madhe e ndërtuar ndonjëherë, të mund të fillojë lundrimin e saj për në detin e hapur. /tesheshi.com/