Me garën e Australisë, në Melburn, nis këtë të dielë sezoni i kampionatit më të ndjekur në sportin e automobilizmit.
Një sërë ndryshimesh e bëjnë të veçantë këtë sezon të ri, ku spikasin rregullat e reja në provat zyrtare dhe në komunikimin e pilotëve me drejtuesit e tyre gjatë garave.
Kështu, në provat zyrtare, në tre sesionet e tij, në pjesën e dytë të tyre, do të nisë çdo 90 sekonda eliminimi i pilotit me kohën më të dobët. Kufizime do të ketë dhe në komunikimin me radio gjatë garës, për ta lënë në dorë të pilotit marrjen e shumë vendimeve.
Në provat e lira të kësaj të premteje, të karakterizuara nga shiu dhe pista e lagësht, Hamilton i Mercedes-it udhëhoqi edhe pse bëri vetëm shtatë xhiro. Ai kryesoi me thuajse gjysmë sekonde më pak për xhiro se Nico Hulkenberg i Force India-s. Raikkonen i Ferrari-t u pozicionua i treti.
Nico Rosberg, që kërkon të fitojë titullin e parë këtë sezon, nuk pati të njëjtin fat në prova si shoku i skuadrës. Ndryshe Hamilton-it, Rosberg humbi kontrollin e makinës për shkak të terrenit të rrëshqitshëm, dhe u përplas në anë të pistës. Me makinën e dëmtuar në pjesën ballore, gjermani zgjodhi të kthehej në garazh, pa arritur të vendosë një kohë referuese.
Pilotët e McLaren-it po ashtu bënë paraqitje të mirë, posaçërisht Alonso, për t’u renditur në vend të gjashtë dhe të shtatë, me britanikun Button pas Alonso-s.
Sidoqoftë, pilotët nuk arritën për asnjë moment t’i përdorin gomat për pistë të thatë, duke mos e shfaqur potencialin e tyre të vërtetë. Provat e nesërme zyrtare pritet të jenë të paparashikueshme, e po ashtu edhe gara e së dielës. /tesheshi.com/