Nga Alba Skëndaj
Këtë javë hyn në fuqi sistemi i ri i patentave me pikë. Tashmë të gjithë drejtuesit e mjeteve në Shqipëri do të kenë në dispozicion të tyre 20 pikë për një vit të vetëm. Në rast se i shkelin këto 20 pikë, do ju hiqet patenta. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Transporteve ku janë renditur 43 shkelje, për çdonjërën nga këto shkelje, drejtuesit të mjetit i zbriten 3 deri në 10 pikë mesatarisht.
Megjithëse ky model është aplikuar para nesh në vende të tjera, siç është Italia, dhe ka ndikuar poztivisht në uljen e numrit të aksidenteve rrugore, sërish ekspertët tanë janë skeptikë kur vjen fjala te implementimi i këtij udhëzimi. Kjo sepse rrugët tona janë pa infrastrukturën dhe sinjalistikën e duhur, për të vërtetuar shkeljen dhe për të pranuar gjobën. Sipas ekspertit të rregullave të qarkullimit rrugor Artur Sulçe, udhëzimi është i mirë, por i pa zbatueshëm, të paktën për momentin…
Z.Sulçe këtë javë hyn në fuqi sistemi i ri i patentave me pikë, sa mendoni se do të ndikojë ky sistem në sensbilizimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe për të ulur numrin e të aksidentuarve?
Sistemi i patentave me pikë është faktikisht diçka e re me të cilin njerëzit do të duhet të mësohen si fillim. Në fakt ky ligj është nisur që në vitin 2011-të, dhe ka qenë direktivë e Komunitetit Europian, është aprovuar nga qeveria e mëparshme dhe tani po këkrohet të bëhet implementimi i saj, që është vendosur fundi i muajit prill. Qëllimi i këtij sistemi është se çdo penalitet apo shkelje që konstatohet te një përdorues rruge, menjëherë duhet të hidhet online; dhe ky penalitet ka edhe një pjesë tjetër penaliteti me rekordet e tij, që ulen pikët në lejen e drejtimit. Dhe në këtë këndvështrim është edhe elementi tjetër; që kosto e këtij penaliteti shkon deri në fund, sepse ulen edhe pikët, por dhe do paguash me patjetër. Në vendet ku është zbatuar për herë të parë siç është Italia që e zbatoi në 2002-in numri i aksidenteve ra me 20 % brenda vitit. Pra risia e vendosjes së këtij ligji do sjell patjetër uljen e shkeljeve të përdoruesve të rrugës, por edhe drejtuesve të automjeteve.
A do ketë probleme zbatimi i këtij sistemi të ri të patentave me pikë, do kërkojë kohë për tu pranuar, e më pas zbatuar rigorozisht, pasi drejtuesit e automjeteve në Shqipëri këtë vit po përballen me shumë ndryshime në Kodin Rrugor, nëse kujtojmë këtu edhe gjobat e reja që shkojnë deri në 30 mijë lekë?
Po e vërtetë! Mendoj se problemi teknik i implementimit tek ne do të jetë i madh për arsye se në disa prej uljeve të pikëve (shkeljet e reja), ka disa gjëra që nuk përputhen me kushtet tona në Shqipëri. Pra midis këtyre rregullave, është për shembull ndryshimi i korsisë në vende të padukshme në kthesa e të gjitha me radhë; pra ne na mungon sinjalistika horizontale dhe vertikale, pra natyrshëm lind pyetja; si do të themi ne që kaloi në krahun tjetër makina apo ishte në pozicionin e vet? Dua të them që vërtetimi i shkeljes është paksa i vështirë sepse edhe elemente të tjerë të infrastrukturës rrugore nuk janë në atë nivel që ne po çojmë konstatimin e shkeljes dhe penalitetin.
Pra kjo mospërputhje lë hapsirë për abuzime?
Po mund të ketë abuzime, nëse siç e shpjeguam më sipër nuk bëhet dokumentimi në mënyrë të rregullt i shkeljeve. Për më tepër edhe punonjësit e policisë që do të punojnë në këtë fushë, duhet të jenë të mirëtrajnuar, pra të certifikuar për atë që do bëjnë. Ata duhet të kenë një dokument që tregon se punonjësi di ta përdor sistemin kompjuterik, pra të hedh shkeljet në sistemin online, duke mos bërë gabime ku shkeljen e një qytetari t’ia hedh një tjetri, dhe anasjelltas.Pra unë them se problematika që ka infrastruktura rrugore në vendin tonë do të jetë pikërisht edhe problem i impelmentimit të lejes së drejtimit me pikë. Sigurisht në aspektin teorik është një risi e mirë sepse patjetër që do arrihet ulja e numrit të shkeljeve me patentën me pikë sepse kur dikush vjen afër pikëve të fundit dhe rrezikon ti heqin patentën, është krejt normale që do ruhet më shumë. Kjo, bashkë edhe me risinë tjetër që është ligji bonus-malus për punën e siguracioneve (tarifimi në bazë të historikut të dëmeve); këto të dyja së bashku krijojnë faktikisht një ambient që përdoruesin e rrugës e detyrojnë të sillet ashtu si ka menduar ligjvënësi në mënyrë që të rritet siguria në qarkullim. Në rast se jeni përfshirë në dy apo tre aksidente do keni këto penalietete që disa prej të cilave shoqërohen me uljen e pikëve, por njëkohësisht edhe polica e sigurimit do të jetë më e lartë. Në këtë këndvështrim këto janë elemente teknike që do ndikojnë, që implementimi i lejes së drejtimit me pikë do të jetë problematik.
Si do regjistrohen shkeljet, çfarë sistemi do përdoret?
Implementimi i shkeljes në momentin që konstatohet (shkelja) nga ana e agjentit të policisë rrugore, në atë moment duhet hedhur në rrjet (sistem) por nuk e di nëse do jemi ne si fillim në atë nivel. Pra duhet të jemi online në kohë reale, që ti hedhim shkeljet në momentin që konstatohet, sepse kjo kërkon që teknologjia e informacionit ose programi të jetë i tillë njësoj si sistemi TIMS kur dikush hyn dhe del (në aeroport). Kjo kërkon edhe teknologjinë e duhur edhe trajnimin e punonjësve që do merren me këtë punë.
Atëherë çfarë vlere ka ta nisim zbatimin e këtij udhëzimi kur nuk mund të jetë i implementueshëm, duket se do të krijohet më shumë kaos dhe parregullsi për të vërtetuar gjobat. Pse nuk është menduar më herët për plotësimin e infrastrukturës dhe pastaj të niste zbatimi i këtij sistemi, a mund të themi se është i duhuri ky sistem për shoqërinë tonë, për drejtuesit shqiptarë?
Udhëzimi dhe miratimi në fakt i sistemit të patentës me pike, siç e thashë edhe më lart, është bërë nga qeveria e mëparshme dhe implementimi po bëhet tani, pasi është marrë dhe aprovuar tabela e pikëve në Komunitetin Europian. Por në logjikë duke parë që tek ne ka edhe shkelje dhe ‘banalitete’ duhet parë edhe mentaliteti i përdoruesve të rrugës plus ‘bekgraundi’ i aksidentit në mënyrë që të vendoseshin dhe të shtoheshin shkelje të tjera të cilat jashtë nuk mund ti shikosh. Në ato pika që unë pashë te udhëzimi nuk ishin marrë parasysh këto elemente të shoqërisë sonë siç është agresiviteti që krijohet për shkak të një parakalimi të gabuar, pengesat në rrugë e të gjitha me radhë. Pra janë disa elemente të veçantë që janë karakteristikë për ne si shoqëri, por jo për jashtë.
Po gjobat e reja kanë filluar të aplikohen, ka pasur probleme për vërtetimin e tyre mes policisë rrugore dhe qytetarëve?
Po kanë nisur të aplikohen gjobat e reja, veçse ato që lidhen me semaforin apo me shkleje të dyshimta, sërish e them se vërtetimi i tyre është shumë i vështirë nga ai që e konstaton këtë shkelje në raport me qytetarin apo përdoruesin e rrugës. Pra edhe një herë vërtetimi i shkeljes nga organi procedues nuk është i plotë. Në ç’këndvështrim? Po themi që një pjesë e semaforëve të qytetit të Tiranës janë pa kamera atëherë me çfarë do ta vërtetojmë punonte apo jo? Pra ne nuk mund ta dokumentojmë shkeljen e tij për ti thënë ja foto, ja data; kjo është shkelja juaj edhe që të jetë e padiskutueshme vënia e gjobës. Në këtë mënyrë edhe qytetari (shoferi) krijon një besim dhe bindje që të mos e kryejë më këtë shkelje, por me kushtet e tanishme kjo nuk mund të dokumentohet.
Po si veprohet në këto raste, kur gjobat nuk mund të vërtetohen dhe drejtuesi i automjetit nuk e pranon që ka bërë shkelje; nga ana tjetër edhe polici rrugor këmbëngul. Do anulohet kjo gjobë?
Jo nuk anulohet, por në rast të mosdakordësisë shkohet në gjykatën administrative, dhe pastaj situata vihet përballë gjyqtarit i cili gjykon nëse duhet ti besojë policit apo qytetarit. Megjithatë këtu tek ne ka edhe udhëzime të tjera të brendshme që bien ndesh me normat e Bashkimit Europian si për shembull xhamat e zinj të makinave; makina vjen e prodhuar nga fabrika me xhama të zinj dhe brenda asaj normës prej 23 % që është dukshmëria nga jashtë-brenda. Por këtu tek ne ka një udhëzim të Ministrisë së Brendshme që nuk e quan normale këtë veprim. Pra del një udhëzim që është në kundërshtim me përafrimin e legjislacionit që bëjmë ne, pasi duam të shkojmë në BE. Po ashtu ka edhe V.K.M të tjera që bien ndesh me rregulloren e Kodit Rrugor, siç është mbjellja e pemëve në rrugën Tiranë-Durrës etj, që duhen 6 metër larg, por ne e kemi mbejllë brenda sipërfaqes rrugore.
Meqenëse jemi te udhëzimet dhe V.K.M-të e qeverisë për automjetet, kohët e fundit është miratuar edhe një udhëzim nga Ministria e Transporteve që synon uljen ndotjes përmes marmitës katalitike te automjetet. Ky udhëzim sa i zbatueshëm ju duket në Shqipëri?
Edhe ky udhëzim ka probleme. Po të keni vënë re edhe ministri i Energjitikës dhe Kryeministri janë shprehur së funmdi se duhet të ndryshojë cilësia e hidrokarbureve, që përdoret për mjetin. Pse; sepse një problem i madh tek ne është që karburanti nuk është brenda standardit, dhe në këto raste prish marmitën katalitike, që është ajo pjesë e makinës që bën zvogëlimin e ndotjes. Por në rast se do të shikojmë moshën e mjeteve në vendin tonë 70 % e mjeteve i bie që të mos qarkullojnë sepse janë të vjetra mbi 10-vjeçare; dhe karburanti duke mos pasur parametrat e duhur krijon ndotje të tjera të cilat nuk mund të kalojnë te kontrolli teknik i mjeteve (kolaudimi). Deri dje me manualin e vjetër ishte problemi që vetëm konstatoheshin këto ndotje dhe ishte referuese që ndotja e këtij mjeti është kaq por nuk ishte ndalues; ndërsa sot me këtë program kjo quhet ngelëse njësoj sikur nuk kemi drita apo nuk kemi frena. Po cilësia e karburantit është kryesore, personalisht mua më është prishur marmita katalitike prej karburantit që ne hedhim në pika të ndryshme; dhe kështu i bie që nëse e keni makinën që kushton 3 mijë euro dhe marmita bën 5 mijë euro, ky udhëzim nuk ka vlerë, pra nuk është normale. Pra problemin ne nuk e kemi te ligjet që i kemi bërë si të gjithë shtetet e tjera, por te implementimi dhe infrastruktura që lë për të dëshiruar, pra nuk është në nivelet që e kërkon ligji. /tesheshi.com/