Nga Bardha Nergjoni
Spitali i “verdhë”, “Dinçi” apo edhe shumë emërtime të tjera, që i janë vendosur ndër vite spitalit psikiatrik të Elbasanit, kanë bërë që ende pas 25 vitesh demokraci dhe ndryshim të konceptit për shërbimin psikiatrik, ngjyrimi i “të çmendurve”, të mos zhduket. Madje drejtuesi i fundit në radhë vendosi të ndryshojë ngjyrën, me qëllim ndryshimin e perceptimit për spitalin që mblidhte të gjithë personat me probleme mendore e psikiatrike nga e gjithë Shqipëria. Mendohet se para viteve 90-të kanë qëndruar plot 800 persona duke u reduktuar pas shembjes së regjimit për të mbërritur në 310 shtretër ditët e sotme.
Ky spital mban emrin e psikiatrit të parë të diplomuar në Elbasan, Sadik Dinçi. Dr. Dinçi, (gjithashtu një emër që ngjall ndjenjën e përbuzjes për spitalin psikiatrik), u diplomua në vitin 1958 si mjek i përgjithshëm dhe më pas u specializua në neuropsikiatri. Ai drejtoi spitalin psikiatrik nga viti që u hap e deri në vitin 1978. Ishte një ndër specialistët e parë që ndikoi në përgatitjen e mjekëve të rinj dhe inferimerëve për një punë që pak kush e donte. Ndër 800 të shtruarit në këtë spital janë përfshirë edhe shumë persona të cilësuar kundër regjimit nën akuza të njohura si agjitacion- propagandë, tradhëti ndaj atdheut, tentativë arratisje, etj. Sipas dokumentacionit të institutit të të përndjekurve, në psikiatrikun e Elbasanit janë shtruar 308 persona me vendim gjykate, ndërkohë ekziston edhe një numër i madh i paidentifikuar nga dërgimet e hetuesisë që përfundonin direkt në këtë gjykatë e vështirë të identifikohen. Sipas të dhënave të spitalit psikiatrik në Elbasan, nuk ka pasur një pavion të veçantë për personat me vendim gjykate. Ata përziheshin dhe trajtoheshin njëlloj si të sëmurët e tjerë. Megjithëse pavioni 1 mblidhte një kategori të veçantë të të shtruarve me probleme mendore.
A ka ekzistuar vërtet “burgu i trurit”?
E vështirë të gjesh mjekë të flasin për historitë e të dënuarve të sistemit komunist që përfunduan në psikiatrik. Një prej tyre, ende mjek psikiatër në këtë spital, tregon se kur ka ardhur ai, kishte raste ku vetë mjekët për t’i shpëtuar nga dënime që shkonin mbi 10 vjet, vendosnin t’i kalonin në psikiatrik. Këto raste i kanë pohuar vetë ish-të burgosur në spitalin-burg. Koçi Lubonja, i konsideruar “I çmendur” se guxoi t’i dërgonte Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit një letër ku i kërkonte ndryshimin e linjës dhe lirinë për disa gjëra në atë kohë, vendosi vetë ta bënte këtë lojë. “Familja ime rrezikohej të interrnohej pas arrestimit tim. E vetmja rrugë është të bëja si i çmendur. Gruaja ime i tha një mjeku, ndërsa unë fillova të këndoj këngë partizane e kështu më quajtën të çmendur e përfundova në psikiatrik”. Si rasti i Koçi Lubonjës ka pasur shumë thotë një prej mjekëve që nuk do të identifikohet. Ai tregon disa histori, ku intelektualë janë ndihmuar nga mjekët për t’i shpëtuar dënimeve. Por kishte dhe një arsye të madhe pse njerëz që dilnin hapur kundër sistemit duhet të përfundonin në psikiatrik. Sipas vijës së atëhershme, ata ishin vërtet të çmendur që dilnin kundër komunizmit.
‘Vendim: I akuzuari… për veprën penale “Agjitacion dhe propagandë”, neni 55/1. Gjykata duke pasur parasysh shkallën e veprës që prek vijën politike të partisë, çmon që duhet të mbyllet në një institucion psikiatrik për t’u kuruar nga sëmundja e rëndë psiqike nga e cila vuan” – është një nga akuzat e dosjes së njërit prej të dënuarve me mjekim të detyruar në spitalin e Elbasanit.
Të dënuarit që përfunduan në psikiatrik vijuan nga viti 1962 kur u hap ky spital e deri në vitet 90-të ku nuk kishte më ndjekje të tilla penale.
Mjekimi i detyruar
Të gjithë pacientët “e çmendur” me vendim gjykate duhet të përballeshin së pari me të sëmurët e tjerë të të gjitha llojeve, me mjekimin e detyrueshëm, që rrezikonte vetë personelin nëse nuk kryehej dhe me fazën e tretë, kthimin në shoqëri, që ishte më i zymtë se brenda spitalit.
Medikamentet ishin të forta, sillnin pasoja dhe konsideroheshin nga ata tortura më vete. Ndër metodat që kujtojnë vetë ata që e jetuan ishin: një medikament që i paralizonte, absesi, elektroshoku dhe rrezatimi. Edhe vetë mjekët e pranojnë se elektroshoku është përdorur. Ata thonë se ishte një ndër metodat që përdorej kryesisht në vendet diktatoriale, por që ka kundërindikacionet e veta. Ndërkohë sipas pacientëve, elektroshoku përdorej në nivel të lartë deri në 90 volt kur duhet të ishte disa herë më pak. Mjekimet e tjera si aloperidoli, klorpromazina, absesi, sipas pacientëve janë injektuar në sasi të mëdha duke i shkaktuar dëme të pariparueshme në organizëm. Abesi ishte një gjëlpërë e njohur si dy në një, mjaft e fortë, sa krijonte ënjtje deri dhe plagë infeksioni. Disa kanë arritur të mbijetojnë nga pasojat e mjekimeve duke përdorur tetraciklinë disa kanë humbur jetën nga infeksioni.
Intelektualë, profesionistë, sportistë të gjithë me dënim në psiakiatrik
Nëpërmjet një dokumentari të 17 viteve më parë janë fiksuar disa dëshmi nga “të mbijetuarit” e psikiatrikut. Sipas një prej mjekëve psikiatër, Dragush Totozani, rruga që ndiqej ishte arrestimi për një vepër penale. kryesisht agjitacion-propagandë, dhe pasi merrej masa e arrestit këta për shkaqe dyshimesh që i lindin hetuesve, me kërkesë të familjarëve kalonin për ekspertizë. Kjo gjë në fillesa bëhej nga mjekë që nuk ishin definitive të atij spitali, më vonë u krijua një grup që ishin punonjës definitive të spitalit të burgut. “Nuk përjashtohet të jenë vënë hiperdiagnoza por kjo ka të bëjë shumë me natyrën e psikiatrisë”, thekson ai.
Ndërkohë një tjetër mjek psikiatër, Afrim Dangëllia thotë se vetë mjekët ishin në një presion të jashtëzakonshëm në sistemin monist. “Ekzistonte ekzaminimi psikatrik në të gjithë botën, por regjimi përpiqej ta cungonte e deformonte kartën e shëndetësisë që ndiqej në psikiatri. Të gjithë punonjësit punonin në një stres të vazhdueshëm. Kishte nga ata që e shikonin nga ana njerëzore situatën, me ndjenjë dhimbshurie por kishte edhe nga ata të ftohtët që bënin punën e ndiqnin linjën e partisë.”
Ndër të dënuarit që kanë dëshmuar për periudhën e kaluar në psikiatrik janë Beqir Xhepa, ish-korrier i Enver Hoxhës’ Jovan Xhuvani, mësues i letërsisë, nipi i Visarion Xhuvanit; Koçi Lubonja, ekonomist; Ilir Kreko, sportist; Niko Deliu shkrimtar; Agim Hodobashi, inxhinier mekanik; Konstandin Bardhi, inxhinier metalurg; Naim Zani, arsimtar; Arjan Karanxha, arkitekt, etj.
Ndër pak mjekët që kanë guxuar të flasin për këtë çështje është Afrim Dangëllia. “Kam shërbyer si anëtar i komisionit psikatrik-ligjor. Kemi kaluar mjaft të dënuar që dyshoheshin që mund të kishin probleme psiqike”.
Naim Zani është një prej personave që përfundoi në psikiatrik. “Më kanë arrestuar për agjitacion propagandë dhe tradhëti ndaj atdheut në vitin 1975. U dërgova në spital me diagnozën psikopati skizofrene dhe u dënova me mjekim të detyruar”.
Një tjetër person që guxoi të përcillte mesazhin e banorëve të Tivarit, pas masakrës me të njëjtin emër, Enver Hoxhës, përfundoi gjithashtu në psikiatrik. Beqir Xhepa kishte qenë korrier i Enverit dhe gjatë luftës ishte izoluar në kampin e përqendimit në Mathauzen. Kjo ndoshta e shpëtoi nga vdekja, por jo nga burgu dhe spitali psikiatrik. Një mjek e shpëtoi nga 10 vjet të tjera burg duke e këmbyer me disa muaj në spitalin psikiatrik. Por ndërkohë që shpëtonin nga burg, dalja nga psikiatriku ishte edhe më e dhimbshme. Nofka e njeriut të çmendur i ndiqte ngado. Këta persona nuk kishin më një jetë të tyren, punë, shtëpi. Nuk kishin asgjë dhe përfundonin në punë të rëndomta për të mbijetuar. Ata që u burgosën vonë në spitalin burg, arritën të rikthehen në punët për të cilin kishin studiuar, disa të tjerë u braktisën dhe jeta mori krejt drejtim tjetër. Një pjesë humbën kujtesën, u shkëputën nga realiteti e pësuan tronditje të mëdha duke mbetur gjatë gjithë jetës në spital.
Jovani, nipi i Visarion Xhuvanit tregon horrorin e spitalit psikiatrik për “armiqtë” e sistemit
Ai jeton i vetëm në një apartament të vogël në katin e parë të lagjes “5 Maj” të Elbasanit. Jeton në kushtet esktremisht të rënda, vetmia e vazhdueshme tani që ka hyrë në 80-tat. Shtëpinë e fitoi vetëm në vitet e demokracisë pasi shumicën e jetës e kaloi endacak. U arsimua shkëlqyeshëm dhe përfundoi studimet e larta në Tiranë për gjuhë-letërsi por nuk qe e shkruar që jeta e tij të vazhdonte si gjithë të tjerat. Babai, vëlla i kryepeshkopit të atëhershëm Visarion Xhuvani, e braktisi herët edhe pse u ritakuan pak vite më vonë.
Nëna bëri përpjekjet maksimale që ai të ishte një njeri i arsimuar si Xhuvanët dhe u lumturua shumë që ai u diplomua dhe u emërua mësues në Pogradec. E gjithë kjo lumturi nuk zgjati shumë pasi nën shënjestrën e sigurimit u sulmua me të gjitha mënyrat deri në arrestimin e tij në Tiranë për akuza absurde. Një motiv ishte xhaxhai i tij i burgosur e më pas i syrgjynosur në manastirin e Shën Johan Vladmirit deri në momentet e fundit të jetës.
I nxorrën nga akuza për tentativë arratisje e deri tek shprehja: “Si do ta gjykojë e ardhmja e Enver Hoxhën?” Nëna vdiq në ditën e arrestimit e tij pasi ishte shoqëruar në policinë e Pogradecit. Babai po e lë herët kur ai ishte në vitin e fundit të Normales. Dy njerëzit më të afërt nuk do të ishin më, ndërkohë që vazhdonte të qëndronte në hetuesi për plot 9 muaj me qëllim pranimin e akuzave të ngritura. Mospranimi bëri që si rrugë të vetme për të të ishte psikiatria. Arriti të mbijetojë për 3 vjet në spitalin psikiatrik të Elbasanit mes të sëmurëve me probleme mendore. Ka kujtime të llahtarshme nga koha në psikiatri ku ka parë të vdesin njerëz, të përdoren metoda torture të tmerrshme. E vështirë do të ishte për të mbijetesa edhe pas daljes nga spitali. Nuk kishte asgjë. Rrezikonte sërish burgun dhe iu desh të bëjë endacakun e të jetojë me kapjen e bretkosave dhe me mbledhjen e çajit të malit për shumë vite. Me shtëpi u bë pas vitit 1995, dhe po pas këtij viti mori ato pak para të dëmshpërblimit. Ka shkuar plot 1 mijë poezi dhe prozë poetike nën titullin mjaft domethënës “Liqeni i Kujtimeve”. Ky vëllim në qendër ka dashurinë e tij të pamundur me vajzën pogradecare që nuk u bashkua kurrë. Ky është Jovan Xhuvani që në një rrëfim të dhimbshëm sjell jetën e tij, dëshirën për të jetuar që nuk u shua kurrë dhe ëndrrën për të botuar poezitë e tij, që e mbajtën gjallë në skëterrën e vetmisë së gjatë të diktaturës.
Si filloi përndjekja ndaj jush?
Unë jam nipi i Visarion Xhuvanit, edhe pse në pjesën e parë të jetës kam jetuar në Pogradec, nga është edhe nëna ime. Gjithësesi, mendoj se si shkak i parë nuk ishte fakti se unë isha nipi i një personi që ishte në burg si kryepeshkopi atëhershëm. Pasi studiova, u emërova mësues, në vendin ku punoja, kishte njerëz shumë ambiciozë. Që tjetri të ecte, bëri martesë me një njeri të njohur të Enver Hoxhës. Por për të shkëlqyer duhet të më hiqte qafe mua. Unë ende i ri dhe idealist. U shpif se unë isha shprehur: “E ardhmja do ta gjykojë Enver Hoxhën”. Vjen festivali i Gjirokastrës në Tiranë dhe shkova ta ndjek. Atje më arrestojnë me akuzën se do të arratisesha në ambasadën greke. Në fakt, ne si Xhuvanë, grekët nuk na shikonin me sy pasi unë isha nipi i Visarionit, njeriut që themeloi Kishën Autoqefale e nuk kishte sens që unë të arratisesha pikërisht tek kjo ambasadë. Ditën që mua më morën në Tiranë në hetuesi, morën dhe mamanë në Pogradec në polici. Ajo vdes në polici, ndoshta edhe nga torturat. Më akuzuan por nuk gjetën bazë për akuzën e arratisjes. Duke rezistuar ndaj torturave ma hoqën këtë akuzë por lanë akuzën për agjitacion propagandë për shprehjen që unë sipas tyre kisha thënë “E ardhmja do ta gjykojë Enver Hoxhën”.
Çfarë torturash keni përjetuar?
Në hetuesinë komuniste përdoreshin tortura nga më të thjeshtat e deri më ekstremet. Tortura më e thjeshtë ishte shuarja e cigareve në gjoksin tim dhe hetuesi që qeshte dhe ironizonte “hë profesor të dhemb”. Më dhemb se kam ndjenja i thosha, po kuptonte fjalën ndjenja ai. Një mëngjes vjen një hetues tjetër e hap derën. I thotë ke filluar të jetosh me bërxolla nga era e mishit që ndjeu. Kur pa që po shuheshin cigaret në gjoksin tim u pre në fytyrë. Edhe kjo akuzë ra si pasojë e rezistencës së fortë që bëra pasi nuk pranova. S’kishte si të pranoja pasi nuk qenë të vërteta. Ata mendonin si ta mbyllnin këtë çështje, atëherë lindi idea që nuk është në rregull, është psiqik. Ma ndryshuan tre herë hetuesinë por nuk po arrinin gjë. Një prej tyre e nuhati dhe krijoi një komision me tre veta të cilët e panë që unë isha në rregull. “Ne do të përpiqemi të të falim” më thanë. Për çfarë do më falni unë s’kam bërë gjë”, i thashë. “Unë do të kërkoj ai që më futi këtu, do më zërë vendin”. Bëra 9 muaj hetuesi e më shoqërojnë me një zarf të mbyllur me pullë të kuqe në psikiatrinë e Tiranës që mendoj se ishte një urdhër që të më jepnin një diagnozë. Kështu ndodhi dhe përfundova në psikiatrinë e Elbasanit. Duke parë gjëndjen time, kohën fillestare e kalova vetëm me një kokërr loropomizinë.
A ndikoi edhe fakti që ju ishit nipi i Visarion Xhuvanit për t’ju arrestuar?
E kisha xhaxha Visarionin e shkoja e takoja në manastirin e Shën Gjonit para se të më arrestonin. Atje qëndronte një prift, që ishte dhe anëtar i pleniumit të Komitetit të Elbasanit. Ishte i armatosur me dy revole dhe mbante kryqin. Çfarë paradoksi. Xhaxhai mezi ecte në atë kohë, ishte në fund të jetës. Unë kisha dëgjuar që kishte njohuri të madhe, kulturë. Shkoja për të mësuar diçka. E ndihmoja dhe i bëhej qejfi që kisha vazhduar letërsi. Unë e takoja çdo 12 ditë. Babai më vdiq herët dhe ai ishte e vetmja lidhje me familjen edhe pse kisha motra e vëllezër.
Çfarë kujtimesh keni nga qëndrimi në spitalin psikiatrik?
Aty shumica e të burgosurve politikë nuk ishin psiqikë. Kishte dhe nga ata që ishin por pjesa më e madhe jo. Për mua ndaheshin në dy lloje. Një lloj ishin njerëzit që kishin qenë të partisë e kishin dalë nga linja. Për disa të tjerë duhej mbyllur çështja, si rasti im. Aty trajtoheshim keq, me pasoja që as nuk i merrte vesh njeri. Absesi përdorej për një person që nuk respektonte rregullat. Në atë kohë mjekët, sigurisht që kishin lidhje me sigurimin, i bënin gjilpërën në kofshë me infeksion një pacienti që nuk bindej ose që kishin direktiva. Infeksioni përhapej aq sa rrezikohej jeta. Kishte dhe një metode që e zbulova vetë. Një pjesë duhet të vdisnin dhe një nga metodat ishte nëpërmjet radioskopisë. Mjekët e mbanin shumë para pajisjeve që të rrezatoheshin e që të vdisnin. Kisha lexuar në shkollë që nuk duhet të rrinim shumë para rrezeve dhe mundohesha t’i shpëtoja.
Në spital shërbenin njerëz nga më të këqinjtë. Ku ishin zgjedhur më të këqinjtë që nuk kishin asnjë dhembshuri! Madje njëri nga pacientët ka vdekur në duart e mia pasi u qëllua nga një infermieri që emrin ja mbaj mend mirë, Fatmir Shahini e quanin. Qëllimi ishte që disa të vdisnin. Brenda kishte edhe njerëz të mirë prej të cilëve kam shpëtuar në mjaft situata. Do të përmend Adil Shehun, një student i inxhinierisë në Poloni që e kishin sjellë për të njëjtën akuzë. Ai nuk kishte ku të shkonte e rrinte aty për një strehë e një copë bukë. Adili tregonte nga duhet të mbroheshim. Ai më mbante afër e më këshillonte shumë që unë të mbrohesha pasi i kishte kaluar edhe vetë. Me Adilin një herë kemi ndihmuar një ish-arsimtar me mbiemër Zani. Ata që ishin me vendim gjyqi nuk duronin dot qëndrimin madje tentonin të arratiseshin, por ku do të shkonin, nuk e kuptonin se do t’i rikthenin sërish këtu. Zani tentoi të arratisej dhe pasoja ishte injektimi i absesit. Adili për ta shpëtuar i fut tetraciklinë në çaj. Ai kujtoi se po e helmonin dhe nuk e pi, atëherë unë I afrohem dhe e pi vetë pak nga çaji. Ai habitet sepse nuk besonte se mund ta ndihmonte njeri në atë ferr ku kishim përfunduar. Kishte raste kur duhet të pastroheshin plagët e infektuara e Zani u dërgua për një operacion. I kam qënduar afër për t’i dhënë forcë. Ka pasur edhe shumë të pafat. Më kujtohet një ish-sekretar nga veriu. Ai vdiq në mënyrë të tmerrshme me dy absese. Nuk i dilte shpirti. E kishin lënë në një dhomë ku trupi po i kalbej nga infeksioni dhe kishte marrë erë dhoma. Më thërriste dhe në emër por nuk kisha çfarë të bëja. Më në fund një infermiere, e fejuar me një të sigurimit të asaj kohe, i dha urinë të pijë që të vdesë. Ajo ishte femër por nuk ishte njeri.
Mjekët nuk e pranojnë se janë përdorur metoda torture apo asgjesuese?
Doktorët nuk tregojnë se çfarë ndodhte brenda psikiatrikut. Në fakt më shumë komandonin infermierët se ata zbatonin, mjekët vetëm linin detyra. E kam përmendur më lart një infermier të tmerrshëm por edhe mjek, siç ishte një me mbiemër Molloholli.
Mjaftonte të nxitej një i sëmurë dhe jeta përfundonte. Një herë ishte dhënë urdhër dhe, një infermier që ishte tmerri i pavionit duhet ta zbatonte. I kërkoj ndihmë një mjeku të ri që e njihja duke i shpjeguar çfarë do të më ndodhte. Ai më dha çelsat e dhomës së tij dhe kështu atë natë shpëtova. Të nesërmen në mëngjes kur bënin konsultën, u diskutua që unë isha larguar nga krevati nga ky infermier. Jetën e kam falë atij mjeku pasi në çdo kohë mund të më hiqnin qafe.
Keni pasur raste të tjera kur ju është dashur të vetëmbroheni?
Kur po kuptoja që isha në rrezik mendova si zgjidhje t’i dërgoja një letër avokatit të asaj kohe që merrej me ne dhe e postova nëpërmjet të tjerëve. I shkrova “Kërkoj mbrojtje ligjore”. Ai erdhi dhe më takoi me doktorë të pranishëm. Po të flisja keq ndaj mjekëve dhe infermerëve, mjeku do të thoshte që flet kot e nuk do më besonte dhe unë përdora një taktikë tjetër. Avokatit në prani të doktorit i them që letrën e kam bërë nën mbikqyerjen e njerëzve të mij. Jam në rrezik. Për çfarë? -më thotë ai. I them nuk di në jam psiqik, por do të vijnë njerëzit e mi në zyrë të flasin me ju. Një prej tyre është jurist si ju”. I tregova që kisha të afërm dhe një prej tyre ishte jurist. Kjo i stepi dhe nuk vazhduan me metodat e tyre. Mendonin se çështja kishte dalë jashtë spitalit e kishin një lloj tërheqjeje.
Një tjetër ngjarje pasoi. Se ku u gjet një shishe me shampanjë dhe ne u organizuam në grup e bëmë festë. Shishen e lamë në oborr me shënimin “Ne festojmë me shampanjë”. Ky ishte një guxim i tepruar i yni në fakt dhe u bë problem i madh. Kjo ishte ngjarja e dytë me të cilën duhet të merreshin e jo me mua.
Pati dhe një ngjarje tjetër që ndikoi në këtë situatë. Një person me probleme, jo nga këta me vendim gjykate, por të shtruarit në spital, ndërsa dilte për punë jashtë spitalit na solli një breshkë. Një tel na ndante me femrat dhe mund të flisnim me to. Unë i them njërës prej tyre merreni breshkën se edhe kjo është arrestuar për agjitacion propagandë, mbajeni ju se është femër. Kaq mjaftoi që të gjithë ata që kishin probleme të fillojnë të bërtasin: “breshka është arrestuar për agjitacion propaganda”. U bë zhurmë e madhe. Erdhën ata të sigurisë pasi menduan se mos po ndodh ndonjë revoltë. Këto ngjarje e lanë në heshtje rastin tim. Unë nuk krijoja shkak pasi isha i përgatitur nga Adili. Me durim, me mërzitje por qysh në fillim hyra me “idenë si do të mbijetoj mes të çmendurve”. Aty mund të vrisnin. Pavion i veçantë ishte pavioni i parë por kishte të çmendur që të rrezikonin çdo natë. Qysh ditën e parë i tregova që isha i egër e i keq, e që me mua nuk bëhej shaka. Qëllimi ishte të frikësoja të tjerët që të më linin rehat.
Nëse jashtë jepen filma ku ka tmerr dhe terror, një film mund të bëhet me ato që kanë kaluar të burgosurit politikë. Mjafton të përmend torturat nga cigarja e deri në psikiatri për të kuptuar se çfarë jetonin të burgosurit e sidomos ata në psikiatri.
Në fakt ju qëndruat 3 vjet në psikiatri por më pas dolët e arritët t’i shpëtonit burgimeve të tjera. Si mundët?
Kur dola u drejtova për në Pogradec. Atje kisha një shtëpi dykatëshe të madhe të nënës. Por kur u ktheva konsiderohej shtëpia e armikut. Dhomat i kishin marrë, ndërsa plaçkat në pjesën më të madhe kishin shërbyer për drejtuesit e partisë. Televizorin dhe kolltukët i kishte marrë sekretari i parë i partisë së lagjes. Natën e parë fjeta jashtë derisa shkova mora pasaportën. Gjatë natës dëgjova disa fshesaxhinj të thonin që po shitej gjak. Shkova në spital por askush nuk mu afrua veç një ish-nxënësi. Mora tre mijë lekë nga shitja e gjakut. Lekët më duheshin që të zhdukesha nga aty. Po të jetoja në Pogradec prapë në burg do të më çonin. Bleva një fener të vjetër dhe një thes. I hipa makinës e shkova në Lushnje. Atje zinja bretkosa për të shitur që të ushqehesha. Ditët e para qëndrova në hotel, por nuk mund të rrije shumë ditë në një hotel pasi të gjithë lajmëronin sigurimin. Por unë natën nuk flija pasi zija bretkosa kështu që duhet të flija ditën. Bleva një petromaks që të zija më shumë bretkosa. Ishte e mundimshme të flija jashtë, edhe pse ishte ditën e kështu fillova të miqësohesha me pergjegjësin e hotelit duke i ofruar mundësinë që ta zinte natën shtratin e të fitonte para e unë të flija ditën, e kështu u bë. Në këtë mënyrë i humba syve të sigurimit. Punova për 3 muaj me bretkosat e mblodha mbi 100 mijë lekë. Shkova të jetoj në Tiranë pasi atje kishte shumë hotele. Për t’u larë dhe për t’u ngrohur shkoja tek hotel Arbëria ku ishte 80 lekë nata ndërsa netët e tjera i kaloja në hotele të zakonshme. U bë disa kohë që jetoja nga në një hotel tek tjetri kur më zbuloi sigurimi. Dua të them se në Tiranë kisha të njohur ish-studentë. Gjyqin ma ka bërë një ish-student, që e njihja. Ndërkohë një tjetër shok universiteti, mjek, më ndihmoi të mjekohesha nga reumatizma.
Sigurimi ju gjeti por ju e gjetët një mënyrë për të shpëtuar apo jo?
Një person me kapele ushtaraku më shan e më thotë që duhet të kthehesha në Pogradec. Të nesërmen në mëngjes nisem. Ndjeja hapat që më ndiqnin dhe pasi bëra disa lëvizje, kuptova që kisha shoqërues. Po vrisja mendjen si t’ja mbathja dhe në Durrës kur po nisej treni, u hodha. Treni iku dhe ata menduan që isha brenda.
Atë natë fjeta në hotel Durrësi i plazhit, ndalova në Kavajë, Rrogozhinë dhe në Cërrik duke qëndruar nga një natë. U ktheva sërish në Tiranë, po vinte pranvera e duhet të gjeja një zgjidhje për reumatizmën dhe shkova në Llixha. Atje ndërtova një kasolle e po qëndroja për një kohë. Më pikasën edhe atje dhe një ditë vjen i plotëfuqishmi i zonës e më thotë që duhet të largohesha. U tregua shumë njerëzor por kishte urdhër se duhet të ikja pasi mund t’i hapja probleme.
Unë kisha planifikuar të shkoja në Tomorr të mblidhja çaj që të nxirrja bukën. Do jetoja e s’kisha ç’të bëja. Kur dola nga burgu mendova si do mbrohem si do jetoj? Ky zogu që fluturon, kjo breshka ku gjen që ha. Kur kafshët qenkan më të zonjat, po unë që jam njeri nuk ja dal?! Shkoj në Tomorr, shikoj disa çadra dhe bagëti. Drejtohem atje dhe del dikush që më ngjan si ish-nxënësi im. Më thirri “O profesor”. Thash shyqyr, u gjet një që njihja. Ai punonte tek ndërmarrja blektoriale dhe më prezanton si mësuesin e tij tek barinjtë. Ai nuk dinte gjë çfarë kishte ndodhur por mendonte se isha transferuar në Tiranë.
Edhe ata mblidhnin çaj. Aty ishte një pikë ushtarake, radiomarrëse me disa ushtarë. Ushtarët donin lekë të pinin cigare. Më vjen një e më thotë që po të sillte një thes me çaj sa lekë i jepja? Unë i thash 100 lekë. Për ta ishte shumë dhe filluan të mblidhnin të gjithë çaj. Po kështu mblodha çajin e barinjve dhe të banorëve. Merresha vetëm me tharjen. Për të grumbulluar marr një dhomë me qera që mbledh çajin. Gjej një familje në Elbasan ku solla çajin. Ato ma bënin me tufa dhe unë i shisja në të gjithë qytetin. Nuk lejohej të rrija në një vend por ndalesha tek “turizmi i vjetër” ku vinin metalurgët. Ndeshesha me policë, gënjeja nga isha e kush isha, i jepja 100 lekë dhe iknin.
Për sa kohë vazhduat të jetonit me shitjen e çajit?
Për shumë vite. Derisa erdhi demokracia u mora me shitjen e çajit. Më thonin “çajshitësi i qytetit”. Pak veta më njihnin, më buzëqeshnin, kishte të tjerë që më fyenin. Të afërmit e mi jetonin në të njëjtin qytet por për ata nuk ekzistoja. Pata fatin që të kisha ende dashamirës. Disa më ruanin kur futesha në ndonjë rrugicë e më afroheshin e më përqafonin. Pa i kërkuar më jepnin lekë. Unë i thoja që do ja ktheja një ditë.
Ju ka ndihmuar besimi tek Zoti?
Kam besuar në Zot. Thirrjen dhe lutjen e kam bërë dhe e bëj. Nuk më ka braktisur në moment të vështira.
Si e përjetuat ardhjen e demokracisë?
Nga disa vëzhgime të miat po kuptoja se gjërat po ndryshonin. Festën e 1 Majit Ramizi e ktheu duke ngrënë dhe pirë në park. Nuk kishte më parakalime. Veç kësaj u botua një fotografi në kalendar me Shën Mërinë e Krishtit. Çuditesha pasi nuk mund të mendohej një gjë e tillë më parë. Këto ishin sinjale që po ndryshonte. Më vonë doli që ishte formuar grupi nismëtar i PD-së në Elbasan. Doja të mbështetesha, por nuk i njihja. Deri kur u formua grupi i themelimit kam rënë në kontakte me ta. Në këtë kohë shisja thana në lagje pasi nuk kisha më fuqi të shkoja në Tomorr. Një ditë më vjen sekretari i Partisë Demokratike, tani ka shtëpi botuese, Bujar Hudhri. Më pyet, Jovani je ti? Po, i thashë. “Po, pse s’vjen me ne”, më tha. Në fakt nuk dija ku t’i gjeja, e nga ajo kohë e mbështeta PD-në në çdo gjë. Në PD nuk hyra sepse s’mu krijua mundësia. Bëheshin protesta, normalisht ishte e organizuar, unë nuk mora pjesë në organizim por merrja pjesë në protestë. Ishte ende sigurimi i fortë. Bëmë një protestë para prefekturës. Fëmijët e shkollës i kishim përpara. Unë flija në trashe pasi nuk kisha shtëpi. Në atë kohë një pjesë ikën se i arrestonin në shtëpi. Më njihnin kush isha por nuk më kapnin dot se nuk kisha shtëpi. Mora pjesë në grevën e parë të urisë. Ndoqa veprimtarinë e PD-së dhe më ra në sy që ata që bërtistin më shumë dhe shprehnin urrejtjen kundër partisë ishin të gjithë horrat. Kishte dhe njerëz intelektualë, të shkolluar por ata që ngriheshin ishin llumi. Më vonë dëgjova pas disa mbledhjeve se kishte ankesa. Si mund të rrinim në një vend me një horr. Kështu nuk u regjistrova. E kam mbështetur demokracinë dhe do ta mbështes, por jo si më pëlqen mua por duhet të ishte demokraci me parime. Një intelektual nuk duhet të dalë të bërtasë, por duhet të ulet në tavolinë e të bisedojë.
Më në fund përfitove edhe shtëpi pas shumë vitesh jetë endacaku…
Sipas ligjit më dhanë shtëpinë dhe dëmshpërblim. Kryetari i bashkisë, Haxhiademi më njihte mirë dhe më ka ndihmuar. Në fillim më dhanë një barakë, që mbanin vegla pune e më pas këtë apartament.
Ju jeni dhe një poet por që poezitë nuk e kanë parë dritën e botimi apo jo?
Gjatë gjithë kohës kur shisja çaj, në fund të trastës kisha libër, fletore, laps. Kam shkruar poezi, tregime etj. “Liqeni i Kujtimeve” e kam quajtur. Janë afërsisht 1 mijë poezi dhe proza poetike. Për t’i botuar duhen para. Ku të gjej t’i botoj. Poezitë kanë vijë unike të përbashkët dy personazhe, një djalë e një vajzë që dashurohen mirëpo nuk përfundojnë kurrë bashkë për shkaqe politike. Djalin e arrestojnë. Vajza reziston por presionet e familjes detyrohet ta harrojë këtë djalë e fejohet me një tjetër. Mund të ketë edhe të dobëta por ato që i kanë lexuar më kanë thënë gjynah që nuk botohen e t’i lexojnë të tjerët.
Humbët gjithçka dhe nuk jeni dorëzuar asnjëherë, as tani?
Jo asnjëherë. Humba gjithçka por nuk humba dëshirën për të jetuar.
/tesheshi.com/