Nga Bardha Nergjoni
Emrin e ka marrë nga Marin Barleti. Gjyshi i tij, Aleks Buda vendosi që ta jetëzonte në këtë mënyrë emrin e autorit të parë të “Histori e Skënderbeut”. Marini është rritur me librat e gjyshit dhe domosdoshmërisht fati i tij do të lidhej me historinë. Krenarinë si pasardhës i Aleks Budës, e shoqëron me një lloj modestie të trashëguar nga akademiku i shquar shqiptar.
Kujtimet i lidh me librat, kulturën e studimit qysh në fëmijëri dhe jetën e thjeshtë që bënte Aleks Buda, edhe pse drejtoi për shumë vite Akademinë e Shkencave. Për këtë fakt së fundi, kjo akademi e vendosi bustin e tij në oborrin e “shtëpisë së shkencës”, ai ku kontribuoi shumë, aq sa e gjithë jeta e Aleks Budës mund të konsiderohet e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e Shqipërisë.
Për fat të keq, veç ndonjë rruge periferike, figura e Aleks Budës nuk është vlerësuar aq sa duhet nga qyteti i lindjes, por edhe kryeqyteti ku jetoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Kristo Frashëri do ta cilësonte Budën historianin më euridit të shekullit XX.
Marini, nipi i tij, drejton prej shumë vitesh parkun arkeologjik të Apollonisë dhe ka ndjekur gjurmët e gjyshit të tij. Ndikimin e Aleks Budës në familje, pasuria e madhe e familjes dhe profili pak i njohur i akademikut vjen nëpërmjet kësaj interviste për tesheshi.com
Si ishte shtëpia e Aleks Budës në Tiranë?
Unë mund ta quaj një “perandori libri” shtëpinë e gjyshit. Të jetoje apo të shkoje në shtëpinë e tij, kontakti i parë ishte me librin. Libri ishte objekti më i privilegjuar i asaj shtëpie. Kishte libra shumë të vjetër, një pjesë e të cilave datonin qysh në kohën e stërgjyshit, Taq Budës. Ai kishte një bibliotekë shumë të madhe. Shumica ishin të sistemuar. Vetëm guzhina dhe korridori nuk kishin libra. Bodrumi ishte me libra. Dhoma e gjumit të cilën e quante studio dhe flinte bashkë me gjyshen time Vasilika, kishte vetëm një dritare të madhe, ndërkohë që tre faqe muri ishin me libra. Llogaritet të kenë qenë mbi 20 mijë volume. Biblioteka ishte shumë e pasur. Kishte libra të trashëguara dhe libra që gjyshi mblodhi qysh nga koha kur ishte në Vjenë. Në librin e nënës sime, Tatjana Haxhimihali, tregohet se si ai kursente dhe qindarkat e fundit për të blerë libra e jo rroba, edhe pse rrobat i kishte të vjetëruara. Aq të rëndësishëm ishin për të librat sa bëri të gjitha përpjekjet për t’i sjellë nga Austria dhe ia doli.
Sa e vërtetë është historia se librat e Aleks Budës shpëtuan nga djegia shtëpinë në Kalanë e Elbasanit?
Familja Buda ishte një familje e madhe. Kanë qenë 8 fëmijë të cilët jetonin brenda mureve të Kalasë. Njëri nga vëllezërit Buda, Sofokliu u lidh me lëvizjen dhe mori pjesë në disa aksione. Gjermanët ranë në gjurmët e tij dhe identifikuan shtëpinë. Ndërsa kanë hyrë në shtëpi, një prej oficerëve shikon librat që kishte sjellë gjyshi nga Vjena. Nuk ishin vetëm libra historie por edhe psikologjie, sociologjie, letërsi, etj. Ishte literaturë e gradës së parë dhe oficeri gjerman mesa duket i studiuar, tha “Stop! Kjo shtëpi nuk do të digjet!”
Ai vendosi ta trajtonte si devijim të një prej djemve pasi a se familja e tij ishte e kulturuar. Ky fakt e shpëtoi shtëpinë pasi u dogjën shumë shtëpi aty në kohën e luftës.
Cili ishte fati i bibliotekës së Aleks Budës pas vdekjes së tij?
Ashtu siç e kishte lënë amanet gjyshi, u bënë disa dhurime librash. Një pjesë e mirë e librave u zhvendos në bibliotekën e Akademisë së Shkencave. Kanë ardhur makina të tëra që kanë transportuar librat për në akademi. Për këtë fazë nuk kemi një dokumentim të plotë pasi ishte një periudhë e vështirë; bëhet fjalë për vitet para 97-tës, dhe nuk dimë ende ku janë e si janë këto libra; nëse e kanë sistemuar në një fond të veçantë apo jo. Mbetet për t’u verifikuar. Një tjetër dhurim, këtë herë më i organizuar, është bërë në vitet 2006-2007. Një sasi tjetër librash iu dhuruan Bibliotekës Kombëtare. Librat u sistemuan mirë dhe janë në aneksin e bibliotekës në afërsi të KMSH-së.
Një pjesë tjetër e librave janë në shtëpinë time. Sigurisht që nuk janë më tri faqe dhome por dy faqe muri janë me libra. 95% e tyre vijnë nga biblioteka e gjyshit. Libri është bërë për t’u lexuar dhe nëse do të funksionojnë gjërat mirë dhe do të ketë një organizim të duhur, ajo bibliotekë mund të zhvendoset në bibliotekën e Qendrës Albanologjike në Universitetin e Elbasanit.
Çfarë profesionesh ndoqën fëmijët e Aleks Budës?
E bija u përqendrua në letërsi. Ka punuar si redaktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ndërsa i biri studioi mjekësi. Ata iu nënshtruan rregullave të sistemit në atë kohë. Në ato vite kush mbaronte shkollën emërohej atje ku vendoste partia. Në vitet e para nëna ime shkoi si mësuese në Burrel dhe u transferua vetëm pasi u martua me një pedagog shkencash. Ndërkohë i biri ka shërbyer 5 vjet në Pukë, edhe pse gjyshi ishte kryetar akademie dhe teorikisht i kishte mundësitë ta transferonte. Aleks Buda në fakt mbajti një qëndrim të tijin intelektual. Ai nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste dhe kishte bindje të majta, por të socialdemokracisë perëndimore. Ai ishte i brymosur si intelektual i majtë, siç ishin në atë kohë, por dhe janë ende, intelektualët në Europë. Ai ka qenë deputet në disa legjislatura por asnjëherë si përfaqësues i partisë.
A diskutohej në familje fakti se Aleks Buda nuk ndërhynte për privilegje për familjen e tij?
Në familje shihej si diçka jo shumë normale mungesa e ndërhyrjes, kur shumë të tjerë ndërhynin e përfitonin e megjithatë pranohej. Gjyshi im nuk i shfrytëzoi asnjëherë pozitat e tij dhe ndoshta ndikoi formimi i tij në një vend si Austria me kulturë gjermane, kultura që kishte marrë, bindjet e tij, etj. Mund t’ju sjell një shembull për ta ilustruar këtë gjë: mbaj mend në fëmijëri se Tirana kishte shumë pak makina. Gjyshi kishte një makinë funksioni, por aq pak e përdorte sa një nga qejfet më të mëdha për ne si fëmijë ishte hipja në makinë. Ne kishim privilegjin që një herë në vit kur iknim në plazh ta shijonim ardhjen e makinës dhe transportin. Makina ishte një privilegj dhe si shumë të tjera që Aleks Buda nuk i shfrytëzoi asnjëherë.
Aleks Buda luajti dhe rolin e diplomatit në rastin e vizitës së një politikani të lartë të gjermanisë perëndimore, Franc Shtraus. Si u thye akulli me perëndimin?
Pas viteve 80-të, kur u bënë udhëtimet e para perëndimore, Aleks Buda ishte ai që theu akullin dhe ishte shoqëruesi kryesor i një prej politikanëve më me ndikim në Gjermaninë Perëndimore, Franc Shtraus. Kujtimet janë shumë interesante. Aleks Buda u ngarkua personalisht ta shoqëronte Shtrausin. Kur ka ardhur për herë të parë Franc Jozef Shtraus, kancelari i Bavarisë, politikan i brezit të vjetër, direkt pas luftës botërore, ka qenë një ngjarje e rrallë. Nën masa të jashtëzakonshme, nga Rinasi Shtraus u vendos në vilën e Zogut në Durrës.
Pasdite ai del për të shijuar perëndimin e diellit dhe duheshin thyer akujt pasi nuk ishte e lehtë për një vend ende në komunizëm. Aleksi i afrohet dhe i flet në greqishten e vjetër duke i ricituar vargjet e Homerit, të cilat ia ktheu edhe në gjermanisht. Kjo e preku shumë Shtrausin, i cili direkt i ktheu përgjigje duke nisur kështu komunikimin që do të vazhdonte gjatë. Deri vonë, edhe dhëndërri i Shtrausit, që e shoqëronte në atë vizitë, ka dhënë intervista dhe ka treguar se si dilnin e bënin debate Aleksi e Shtrausi.
Aleksi i mbronte me argumenta qëndrimet e tij. Thuhet se në fund i ka thënë një drejtuesi të lartë ndërsa largohej një shprehje: “A ma jepni z. Buda ta bëj shefin e propagandës së partisë sime në Mynih?” Aq shumë përshtypje i kishte bërë diskutimi me të.
Më vonë Shtraus e ftoi Aleks Budën në Gjermaninë Perëndimore dhe u prit nga Akademia e Shkencave të Bavarisë. Pritja ka qenë mjaft mbresëlënëse. Ai mbajti një kumtesë për një autor gjerman, Almer Rajer, që ka studiuar vendosjet e arvanitasve në Greqi, henelist, që bëri shumë bujë pasi dhe vetë ata pak e kishin studiuar.
Aleks Buda bashkë me librat e tij kanë ndikuar shumë edhe në karrierën tuaj?
Mendoj se në një farë mënyrë gjyshi ka diktuar të ardhmen time profesionale në Arkeologji. Unë jam rritur mes librash. Ne na abononte gjyshi qysh të vegjël tek të gjitha revistat e kohës sipas moshës. Libri kishte një vlerë të jashtëzakonshme. Aq ndikim ka pasur ai tek ne, sa një shprehje e Sartrit na përshtatet shumë: “Mënyra si im-gjysh kujdesej për librat, i pastronte e i sistemonte, instiktivisht kuptonim si fëmijë se nga këto libra varej fati i familjes sonë”.
Aleks Buda iku shumë herët nga Elbasani dhe jetoi shumë pak në këtë qytet. Si i ruajti lidhjet me elbasanasit?
Vërtet, gjyshi nuk ruajti asnjë privilegj për familjen por shtëpia jonë ishte kthyer në një vend pritjeje për elbasanasit. Në shtëpi vinin shumë njerëz që kishin halle, kishin nevoja dhe gjyshi mundohej të ndërhynte për t’i zgjidhur. Ai përpiqet t’i ndihmonte pafund, qysh nga të drejtat e studimit e deri tek të drejtat për shtëpi apo dhe autorizime për televizor. Ai ishte një njeri që kishte mundësi dhe njerëzit vinin ta takonin e të kërkonin edhe punë. E gjithë kjo për ne kishte edhe pjesën e mirë pasi na silnin portokalle, bollokume. Unë vetë bollokumet i kam provuar nga ata që vinin takonin gjyshin. Gjyshi ndjente një lidhje shpirtërore të madhe për Elbasanin.
Aleks Buda ishte biri i patriotit Taq Buda. A pati ndikim i ati në jetën e Aleks Budës?
Stërgjyshi ndikoi mjaft tek Aleks Buda. Ai kishte pasuri por ishte edhe një bamirës. Një pjesë të pasurisë ia ka dhuruar manastirit të Shën Johan Vladimirit dhe dihet nga dokumentet që Taq Buda ishte një ndër dhuruesit kryesor të këtij manastiri. Kishte gjithashtu edhe një çiflig që nuk e dimë se çfarë u bë me të.
Stërgjyshi ishte një njeri me me influencë. Ai ishte një farmacist i suksesshëm, por edhe një atdhetar i dorës së parë. Të gjithë pasurinë veç studimit të fëmijëve, e përdori në të mirë të çështjes kombëtare.
Është e vërtetë që akademiku Buda ka shpëtuar intelektualë dhe profesionistë me biografi të keqe për regjimin e asaj kohe?
Po. Ka disa raste kur gjyshi ka ndërhyrë për profesionitë që më pas kanë bërë emër në fushat ku ishin specializuar. Mund të përmend rastin e Hasan Cekës që ka studiuar në Grac ndërsa gjyshi studionte në Vienë, dhe i Skënder Anamalit. Ma ka pohuar vetë Skënder Anamali këtë gjë. Ata kishin biografi jo të mirë pas lufte dhe rasti i Hasan Cekës ishte problematik pasi emri i tij figuronte në regjencën kuislinge dhe fare mirë mund të burgosej e ta pësonte. Aleks Buda e ka propozuar në instanca të larta që të angazhoheshin si specialistë të fushës të cilët do të ndërtonin Muzeun Historik Kombëtar. Të dy këta njerëz u hoqën nga lista e personave që rrezikohej të persekutoheshin. U bënë rrogëtarë të shtetit dhe vazhduan në rrugën e tyre të shkencës dhe kështu u shpëtuan. Ka pasur edhe kolegë të tjerë historianë me partishmëri që bënin të kundërtën, por Aleks Buda i vlerësonte specialistët.
Në Elbasan ekziston një legjendë që shumë familje ortodokse ndër të cilat edhe Buda-t janë me origjinë hebraike. Keni dëgjuar nga gjyshi të komentojë këtë fakt?
Edhe unë kam dëgjuar një gjë të tillë si gojëdhënë. Ka një teori që qarkullon por që kërkon një argumentim historik. Unë mbaj mend në momentet e fundit të gjyshit, e kam pyetur për një gjë të tillë kur jetonte i paralizuar në shtëpi por trurin e kishte shumë të kthjellët. Ai ishte absolutisht kundër kësaj teze. E quante një legjendë që nuk kishte asnjë bazë. Ndërkohë Berati është një tjetër degë e familjes Buda nga ku mendohet se janë zhvendosur edhe në Elbasan.
Jeta e prof. Budës në pak rrjeshta
Kalimi nga shkolla fillore shqipe e Elbasanit në shkollën unike italiane të Leçes, vazhdimi i mëtejshëm në gjimnazin austriak të Salzburgut dhe vitet universitare në Vjenën e kulturuar, e pajisën profesorin me një bagazh kulturor si klasik aq edhe modern. Nga ky cikël arsimor, Fillorja e Elbasanit i dha atij dashurinë për gjuhën amtare dhe për atdheun e tij. Kultura austriake dhe shkolla e Vjenës, si hallka e fundit e ciklit arsimor, e pajisën atë me parametrat kulturore më përparimtare të kulturës botërore. Në Vjenë, Aleks Buda përvetësoi pikëpamje të majta, ashtu siç qenë njerëzit më të shquar në mbarë botën në periudhën midis dy luftave botërore. Vendosja e pushtetit komunist e gjeti prof. Aleks Budën të formuar dhe të kompletuar tërësisht nga pikëpamja ideologjike dhe politike si një demokrat i majtë. Ai qëndroi larg radhëve të Partisë Komuniste. Enver Hoxha, i cili e pati për disa kohë koleg në Liceun e Korçës, kishte një konsideratë të veçantë për të si njeri i kulturuar. Aleksi e ndiente për detyrë t’i shërbente vendit vetëm në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Grumbulloi një bibliografi të pasur qindra e qindra vëllimesh prej vitit 1500 gjer në ditët tona, ku kanë hedhur mbi kartë qindra e qindra historianë, politikanë, poetë, ushtarakë nga viset e kohët më të largëta e më të afërta. Aleks Buda përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet kombëtar në shumë takime shkencore ndërkombëtare. Si njohës i shumë gjuhëve, ai mori pjesë në debate duke iu përgjigjur sipas rastit historianëve të huaj në gjuhën e tyre amtare: në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe shpeshherë me fraza të shkurtra në greqisht, serbisht, bullgarisht. Në sajë të këtyre meritave, profesor Aleks Buda ashtu si profesor Eqerem Çabej u bënë ambasadorët shkencorë shëtitës të Shqipërisë. /tesheshi.com/