Replikë me Halil Matoshin
Përfaqësuesi atipik i inxhinierisë së klonimit dhe krijimit në laborator të “kombit kosovar”, Halil Matoshi, në një opinion të tij në “Koha Ditore” rreket të delegjimizojë një vullnet politik, i cili si i tillë është në dritën e opinionit publik, frymës së dalë nga takimi i përbashkët Kosovë-Shqipëri që u zhvillua në Tiranë, dukshëm i frustruar nga dështimi i eksperimentit të tij laboratorik, që nuk po gjen asnjë reaksion pozitiv prej kur ka shpërthyer këtu e 15 vjet.
Në një qasje jo thjesht kritike por që është më shumë nxjerrje vreri, Halil Matoshi, sulmon jo vetëm slloganin e dalë nga takimi “Një popull, një tokë, një ëndërr:, por gjithçka dhe këdo që ishte prezent në takim dhe atë çka u tha. Dhe atë që e thotë që në fillim të shkrimit, armikja e tij është shqipja e përdorur nga të pranishmit, që ishte e njësuar.
“Sot janë ca inferiorë e të padijshëm në Qeverinë e Kosovës, e nesër mund të ketë një Qeveri kosovare-centriste, që nuk vjen në Tiranë të marrë dorë e t’i pyesë disa kinse figura kombëtare se si shqiptohet ose si shkruhet një fjalë në standardin ’72 të shqipes, por do të shkonte për të gjetur partnerë të mirëfilltë për emancipimin dhe perëndimorizimin, për demokratizimin dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, pra për mirëqenien e dy shteteve përkatëse (Shqipërisë dhe Kosovës):, shkruan Matoshi, jo vetëm duke ngatërruar konceptin për partneritetin, por duke cekur gjuhën si element dasie mes shqiptarëve, që në fakt është një nga elementet bazë të trungut që është bërë pemë prej kohësh. Shqiptarët i thonë bukës- bukë e ujit-ujë, kudo e nuk kanë pse kërkojnë fjalorët apo këshilla në Tiranë dhe Prishtinë.
Laboratori absurd i matoshëve kërkon të prodhojë qeliza gjenetikisht të modifikueshme në gjenezën e shqiptarëve, por edhe pse përpjekja ka qenë egërsive dhe invasive( natyrisht se çdo molekulë e dalë nga provëza do të zhduket brenda sekondit), por harron se gjuha është një produkt bio dhe nuk mund të modifikohet edhe çaktivizohet në atome apo pjesëza më të vogla.
Ka vite e vite që përflitet dhe madje është zbatuar teza famëkeqe që shqiptarët flasin ndryshe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e treva etnike, madje disa media praktikojnë disa klonime përbindsha të fjalëve të zhargonit në të shkruar si shëndetit i thonë shneta apo trajtimit-tretman e ku di unë të tjera e të tjera, por në fund të ditës fjalët bazë janë ato që shkruhen si në Prekaz, si në Tuz, Preshevë apo Konispol pa asnjë ndryshim. Asnjë.
Pasi prek gjuhën agresivisht, Halil Matoshi i rikthehet konceptit bazik, duke filozofuar dhe analizuar se “qeveria e Tiranës paska njohur qënien e kombit kosovar”.
Dhe më tej përfundon me një tezë atipike, duke sulmuar konceptin se “shqiptarët do të bashkohen në Bashkimin Europian”. Jo thotë Matoshi, sepse shqiptarët në BE do të kenë edhe serbët dhe mund të bashkohen me ta siç kanë qenë në tre Jugosllavi që nga Konferenca famëkeqe e Londrës.
“Lidershipët e të dyja vendeve nuk do të duhej të talleshin me qytetarët (që i pandehin injorantë!?) për bashkimin e shqiptarëve në BE, sepse në Bruksel eventualisht shqiptarët do të bashkohen edhe me serbët – përreth vlerave të përbashkëta evropiane”, thekson Matoshi.
Por këtu qëndron çështja; shqiptarët do të jenë bashkë në një BE më të zgjeruar ku potancialisht do të jenë faktor plus, ku shqipja si të tjerat do të jetë gjuhë zyrtare, do të kenë numërin e madh të europarlametarëve dhe anëtarëve të qeverisë së Europës së Bashkuar. Pra potancialisht shqiptarët do të kenë një fuqi potenciale më të madhe, edhe pse janë dy shtete. A ndodh njësoj si me Gjermaninë e Austrinë të cilët kanë një gjuhë e janë dy shtete dhe pse vijnë nga histori të ndryshme politike por me një aleancë të qëndrueshme që vetëm ka çuar ujin në rrjedhën ku kanë dashur qytetarët e këtyre vendeve.
Matoshi thotë se linja përbashkimi shqiptarët e Kosovës do të kenë edhe me serbët në BE. Po pse mund të kenë vlera të përbashkëta më shumë me europarlamentarët që zgjidhen nga Republika e Serbisë, pasardhësit a atyre që kanë zier koka për tu marrë dhëmbët e floririt?
Natyrisht nisur nga situata e sotme, ku Kosova është një treg i begatë për kompanitë strategjike serbe, mund të analizohet një koncept që shkon kah bashkëpunimi e pse jo dhe integrimi. Por dukshëm ka një vullnet politik që buron nga zgjedhësit, pra qytetarët për krijimin e një tregu unik shqiptar jo vetëm mallrash por dhe idesh dhe vlerash, i cili bazohet dhe ka një jetëgjatësi jo vetëm historike por edhe që përditësohet vazhdimisht, e padyshim edhe nga gjeneratat e reja që dalin përditë nga bankat e shkollave.
Por Matoshi shkon shumë tej, duke u ngërdheshur me emrin e Ministrit të Arsimit të Kosovës, zotin Arsim Bajrami. Dhe çfarë bën Matoshi? Pyet a ka në serbisht emër arsmim pra orbazovanje? Ndoshta edhe mund të ketë, po ç’hyn Serbia këtu, ata kanë emrat e tyre e shqiptarët kanë emrat e tyre. Gjatë pushtimit serb shumë shqiptarë kanë vendosur emra me kuptim në gjuhën shqipe për të mos i cilësuar si turq, ngase shumë shqiptarë kanë vendosur emra të huazuara nga Perandoria Osmane. Po ti hysh etimiologjisë emri Halil, siç e ka Matoshi ka kuptimin e tij, siç dhe emri Arsim. Babai i zotit Bajrami e ka menduar këtë emër me dëshirën e tij ta thirrte të birin Arsim, siç i ati i Matoshit e ka emërtuar Halil. Është një zgjedhje individuale dhe e drejtë e çdokujt.
Por sulmi ndaj Arsim Bajramit është kundërshti bazike ndaj unifikimit arsimor që e shikon në të gjithë artikullin e Halil Matoshit. Që në fakt është një përpjekje e kotë pasi abetarja, libri themelor është e njëjtë siç mund të jetë e ngjashme për sllavët dhe e ndryshme me shqiptarët.
Koncepti komb, që vjen nga latinishtja “natio” i referohet një komuniteti që i bashkon disa karakteristika të përbashkëta si gjuha, vendi gjeografik, historia dhe qeverisja. Ka koncepte që thonë se komb është një kontratë e lirë e popujve që bashkohen nën një kushtetutë apo qeverisje. Por procesi i formimit të kombit shqiptar ka ndodhur prej kohësh dhe pikërisht në epokën e Rilindjes Kombëtare me institucionet që krijoi kjo periudhë. Me Lidhjen e Prizrenit dhe që përfundoi me Kongresin e Manastirit për krijimin e Alfabetit Shqip. Një projekt që i qëndroi kohës ngase ishte shprehje direkte e vullnetit të shqiptarëve edhe përkundër vullnetit të kundërt të Fuqive të Mëdha. Kur gjithçka u përmbys në fundvitet 90 të shekullit të shkuar, pra Fuqitë e Mëdha njohën se të drejtat e shqiptarëve ishin shkelur dhe duhen rishikuar, atëherë dolën në skenë inxhinierët e modifikimit gjenetik të kombeve si Matoshi. i cili e quan fashizëm nacionalist një aspiratë të shprehur jo vetëm në histori të shqiptarëve por një vullnet që sa vjen dhe formësohet edhe si koncept politik. Por kulmi i Matoshit, i cili e harron inxhinierinë e tij të dështuar në laborator është fraza: “Republika e Kosovës nuk ka dalë nga konstitucioni i Republikës së Shqipërisë si shtet i pavarur, por nga ai i Republikës së Serbisë”.
Pra ishte Serbia që me vullnetin e saj e la Kosovën të bëhet subjekt konstitucional jashtë territorit të saj?! Kosova ka dalë si subjekt i lirë dhe i pavarur kushtetues, falë një procesi historik me kosto të mëdha njerëzore dhe vullneti mbarëpopullor, që nis shumë herët në rrugëtimin në shekuj të shqiptarëve dhe që jetësohen në tre institucione të fuqishme: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Pra një popull, një gjuhë, një flamur dhe një ëndërr e përbashkët. Kundër asnjërit por në shërbim të shqiptarëve dhe në miqësi me të tjerët.(tesheshi.com)