Mos u merrni me partitë dhe politikanët, merruni me mediokrit e të gjithë partive, të shtetit dhe të çdo lloji tjetër.
(Nga Amanetet)
Amatorizmi dhe mediokriteti me shikim të parë
Vini re me kujdes dikë nga burrat tanë të shtetit në ndonjë takim të rëndësishëm me një personalitet a burrë shteti të huaj. “I yni”, i zhytur thellë në kolltuk e këmbë mbi këmbë, lëviz dorën e djathtë me kompetencë për të sqaruar më mirë mendimin e vet të vyer, sigurisht për probleme madhore, qofshin këto dhe botërore. Gjithsesi është tepër competent, autoritar, madje pse jo, dhe atëror në komente a, mirë, në mësimet e veta. Ai “tjetri”, ndofta ka një jetë të tërë që merret me politikë, a drejtim shteti, a cilindo zanat tjetër qoftë; ka shumë të ngjarë të ketë mbaruar shkollë për të, a të ketë eksperiencë të pasur; por qëndron disi në anë të kolltukut, trupin e mban drejt, dëgjon me vëmendje e seriozitet, pret rradhën për të folur dhe s`para bën gjeste.
Që këtu nis dallimi midis profesionalizmit dhe amatorizmit.
Komunikimi jo verbal dihet se shpreh shumë: shpreh edukatë dhe kulturë, shpreh gjendje emocionale të caktuara, por shpreh natyrisht dhe profesionalizëm. Që aty mund të kuptosh shumë se me kë ke të bësh. Që aty mund ta prezantosh veten për mirë a për keq aq sa tjetri të të peshojë së bashku me kostumin e kushtueshëm që ke veshur.
Zotëri, kam respekt për aq sa je e nuk të ve faj për aq sa di, se e tillë qe koha. Por të lutem, zotëri, të lutem prano për hir të së vërtetës, se ke nevojë të mësosh shumë; dëgjojë më me kujdes atë tjetrin dhe dije se nuk mundesh për dy-tre vjet në fronin e postit tëë zbritur dhuratë, t`i japësh mend atij që ka një jetë të tërë që merret me atë zanat. Paçka se kur e pret në aeroport puthesh aq “profesionalisht” a me “kompetencë” me të, si i barabarti me të barabartin.
Ku janë profesionistët?
Pa dyshim, jemi disa hapa më shumë përpara në krahasim me Enverin e kohën e tij mizoree paradoksale në trajtimin e profesionistit. Nuk kemi më bujq, brigadierë e kuadro me shkollë partie në drejtim, të cilët nga brenda zhguallit të mediokritetit e frikës qenërore të tyre s`mundnin të prodhonin veçse dridhje e ngritje dore për të votuar pro.
Por nga ana tjetër, s`kemi më kohë të humbasim dukë vënë njerëz që thjesht kanë mbaruar një shkollë të lartë, madje dhe pa ndonjë shkëlqim në rezultate a më tej që në bazë të një përkufizimi, ka shumë të ngjarë partiak, i quajmë intelektualë.
Shpesh tradita e vjetër ruhet e kjo shkollë s`ka kurrfarë lidhje me postin drejtues a karriken që mban. Pse? Sepse duke hedhur poshtë një pjesë të atyre intelektualëve që u shkolluan a specializuan në perëndim gjatë diktaturës për shkak të “garancisë politike”, edhe duke hedhur një pjesë të atyre që u dalluan në punën e tyre a në shkollën shqiptare gjatë asaj kohe (qoftë përsëri për arsye politike) (ndonëse kjo do parë si një paradoks i imituar për hakmarrje nga e kaluara enveriane), përsëri mbeten me qindra, në mos me mijra, ndër ata që mandje s`kanë asnjë “njollë” në “biografinë demokratike” dhe me qindra a me mijra të tjerë që u përgatitën gjatë kësaj kohe, u specializuan në perëndim, fituan një eksperiencë të vyer në epokën e re, dhe po e vdesin bagazhin brenda vetes duke emigruar jashtë vendit, apo duke u marrë me punë të rëndomta atje apo këtu, deri me tregëti bananesh apo surrogatosh të çdo lloji. Shumë syresh u kthyen pas studimeve dhe të dezilozionuar nga pritja ikën sërish jashtë ku së paku në mos gjenin një vlerësim për atë çka u përgatitën, fitonin më shumë dhe siguronin të ardhmen e fëmijëve të tyre të vegjël apo dhe të vetes në një kohë më të vonë. Më ka rënë rasti të takoj syresh në Itali, Francë, Amerikë etj. dikush dhe tentoi të afrohej këtu sërish me anë të ndonjë letre a takimi të kërkuar me ndonjë personalitet, por veshi qe i shurdhër.
Sa për kuriozitet, nuk ekziston asnjë evidencë e saktë e atyre që kanë studiuar e janë specializuar këto vitet e fundit në perëndim; nuk u thirr asnjë syresh të pyetet se për çfarë mund t`i hyjë në punë këtij vendi. Aq sa një funksionare e një institucioni të huaj në Shqipëri, që ka bërë aq shumë për specializimet e shqiptarëve në perëndim, u detyrua t`i shkonte me një listë të plotë një zyrtari tepër të lartë duke e pyetur: “Zotëri, kam specializuar e përgatitur kaq njerëz në vendin tim, a mund të më thoni ku janë?”
Madje edhe sikur si këshilltar të ofroje një të specializuar të tillë, do ishte një përfitim i madh. Për hir të së vërtetës, ka edhe që janë afruar, por një shumicë është ende larg.
Lavdia e Hiçit
Po le të hidhemi në anën tjetër të medaljes, në atë të pasmen a më shqeto, të prapanictën. Një specializant nga një vend i ngjashëm me Shqipërinë, në aspektin politik e atë të ndryshimeve të ndodhura në vendin tonë, mbante para largimit nga një vend perëndimor një kumtesë të shkurtër me një titull domethënës: “Ç`na pret kur të kthehemi në vendet tona?” Dhe e niste me xhelozinë e kolegëve, madje jo aq me atë profesionale për të cilën mediokri nuk shqetësohet shumë, ppr thjesht me atë të vajtjes jashtë shtetit të tjetrit (ka bërë qejf në perëndim pisi dhe tani do vend të mirë) frikën e tyre se mos u zihej vendi, dhe më të madhen e frikërave të mediokërve: Frikën nga e reja që mund të sillte i sapoardhuri. A do mund ta përballonin ata atë?
Specializanti ishte disi i shqetësuar, por dhe disi tallës.
Padyshim përgjithësimi i kësaj kumtese nisej nga shembujt e një eksperience të hidhur lindur në terrenet e një mentaliteti të prapambetur, primitive më mirë. Prova materiale kryesore e vërtetësisë së saj dhe gati më e paparballueshmja: armata e madhe e mediokërve.
Vini re, mos u habisni, në Shqipëri dëgjohet të flitet madje jo rrallë edhe për historianët apo sociologët e Burrelit a të Kashnjetit, në një kohë që ende nuk ka sociologë të mirëfilltë që të kenë mbaruar shkollën shqiptare e të jenë diplomuar atje si të tillë. (Sociologët e ardhshëm janë ende në vit të tretë pasi fakulteti që i përgatiste ata e filozofët e dikurshëm u rihap tre vjet më parë)
Vini re: në Shqipëri ka asistentë profesorë e doktorë shkencash që s`kanë shkruar a botuar kurrë një artikull, por që “me të drejtë” pretendojnë, madje shpesh zënë vendet më të mira, sepse formalisht a me dokumenta janë në rregull, shkencëtarë e studiues të mbaruar që mos bë provë t`u hash ndopak “hakun” se e ngrënë zërin në kupë të qiellit e fillojnë e të bëjnë për dy lek si pastrueset a “klasa punëtore” intelektualin dikur: “Kush je ti?, çfarë ke bërë ti më shumë se unë…Çfarë? Je autor i teksteve? I kaq librave? I ca artikujve? E kush të llogarit ty ato” (frazat janë autentike). Dhe me një të rënë të lapsit a lehje të gojës fshihet një punë e tërë dhe komanda kalon në krahun kundërshtar a më saktë mediokritar.
Vini re në Shqipëri një mësues matematike a fizike e quan veten (a e quajnë) pa të keq matematikan apo fizikan; një mësues historie e quan veten historian a, ca më bukur, bie të flerë mësuese e gdhihet psikopedagoge; një gazetar a intervistues i ri interviston një shokun e tij po aq të ri që s`ka botuar ende dy shkrime duke filluar me fjalët “Zoti apo zonja filane, ju tashmë jeni e informuar i(e) njohur me shkrimet tuaja në masën e gjerë të lexuesve etj etj”. Dhe të nesërmen, kjo është komedia, intervistuesi intervistohet tashmë si i mirënjohur për intervistën e tij të mirënjohur…dhe o Zot sa shumë famë e lavdi ende pa dalë nga pelenat apo pa bërë asgjë me vlerë tërë jetën aq sa kushdo mund të deklarojë lirisht dhe “me të drejtë” mbi bazën e të drejtës së krahasimit: “E çfarë, pse të mos e bëjë Zylfiu apo Meremja ministër; a nuk po e bën filani apo filanja?” (Sidomos zanatet e drejtimit në fusha të çdo lloji këtu tek ne janë më të preferuarat për komoditetin e tyre).
Edhe kjo tjetra është autentike: Dikush që është në tërë kuptimin e fjalës askush, më tregonte një ditë se e kish refuzuar postin e ministrit, (le më pas atë të drejtorit të një institucioni që s`e kish begenisur fare), sepse propozimi që qe bërë për zotërinë e tij për më lart s`ishtë aprovuar në një farë forumi. “Sigurisht me një diferencë të vogël votash”. Dhe ai pastaj s`e kish kuptuar për sedër (prej inotit”) një post disi më të ulët, zv.ministër a diçka e tillë.
Është vërtet e habitshme sa shumë janë, sa të larmishëm në lloje, në terbiete e profesione, gjithsesi të ngjashëm ndër shekuj në nulitetin e tyre. A nuk është pak si e vështirë t`i mundësh? Janë padyshim shumica, por derisa të vijë një kohë që seleksioni të bëhet më i fortë e numri i tyre të bjerë, do të ishte mrekulli të zbatohej hierarkia e vlerave në mos përsosmërisht, së paku në një masë të konsiderueshme, nga një dorë e fortë që të mos pyeste shumë për lehje apo tarafe, por të vendoste fuqimisht: “Zotërinj, ju s`vleni një grosh, zini vend aty nga fundi. Le të vijnë në fillim ata që mund të japin mend dhe energji për këtë vend”.
Një çikë profesionalizëm, të paktën
Në fund të fundit le të ketë dhe ca lavdi, njeriu ka nevojë dhe për të, qoftë dhe për atë iluzoren. Ajo e bën njerinë të ndjehet diçka e kjo dhe mund ta shtyjë të punojë; e dikush tjetër do të dorëzohet vetë pasi koha vlerëson e çvlerëson çdo gjë. Por le të ketë dhe pak profesionalizëm të shkretën. “Edhe një poçe sikur të bësh” thosh dikur miku im piktor Florini, përpiqu ta bësh mirë, bëje saktë dhe je i nderuar se është poçja jote”. Edhe për një shef policie a polic të thjeshtë kij respekt po qe i zoti në zanatin e vet se mbi të gjitha është profesionist. Kjo mungesë respekti në thelb mungon edhe ndaj traditës e cila shpesh, pa u njohur, ose glorifikohet ose mohoet, çka përbën dy anë të së njëjtës medalje.
Një komb a një vend i zhvilluar nuk mund të ishte kurrë i tillë pa plintat e kollonat e traditës, d.m.th. të veprës së individëve të shquar që e përfaqsojnë atë. Së pari të traditës së kaluar solide që ka hyrë në histori e s`do të dalë më s`andejmi e, së dyti, të njohjes së vlerës së përgjithshmë të çdo brezi që shkon (qoftë kjo dhe mikrovlerë) madje dhe të atij që s`ka shkuar akoma e që është 10 a 20 vjet më i madh se të rinjtë e universiteteve e mbi të cilin i riu duhet ta ngrejë, natyrisht duke e zhvilluar më tej, të ardhmen e tij. Mirëpo ka një takëm “të rinjsh” që mendojnë se madje as jetë s`ka pasur para tyre.
Ky soj “të rinjsh” ka qenë dhe duket se vazhdon të jetë më i suksesshmi në Shqipëri nga pikëpamja e karrierës. Karrierizimi i tyre ka shkulur dhe ato trarë që mund të mbanin disi shtëpinë tonë të varfër (sado të hollë e të dobët të kenë qenë), e i ka zëvëndësuar me kleçka pam vlerë. A mund të krijohet mbi këtë bazë pa bazë profesionalizmi i vërtetë? Po vazhduam kështu do mbetemi vazhdimisht pa traditë të shëndoshë, pa atë bazament a themel solid që i duhet kolonës komb a shtet dhe gjithnjë do ngrejmë mure balte.
Dhe së fundi mblidhuni o amatorë të të gjithë profesioneve dhe bëni së paku një shkrim, një vizatim, një poçe, një punë sado të vogël se bashku dhe prapë do të tërheqë gjithë ç`thashë e c`kam thënë për skotën tuaj e do kem respekt për ju. Por jo, ajme, s`e kam këtë besim, se thuhet e është provuar, se shuma e pambarimtë e pambarimisht të voglave s`jep kurrë gjë. Kaps e shterpë. Ja kaq. Po si do i vejë halli?
Marrë nga revista “Përpjekja”, nr. 7