Ma në fund një banor i kryeqytetit të Kosovës, z.Bajrush Morina, mori guximin që pas gjashtëmbëdhjetë viteve të bëjë një reagim kritik publik, me titull, “A jeni gjallë o Prishtinali, …”, për tërë situatën urbane të krijuar në Prishtinë. Një të vërtetë për të cilën të gjithë ne pëshpëritnim jopublikisht, ai e shpalosi në opinion. Për këtë çuditërisht pati reagime pozitive dhe ekstremisht negative nga shumë “ekspertë” fallco, të cilët situatën reale që vetë e kemi krijuar e shikonin nga pikëvështrimet e tyre partiake, provinciale, pa pasur fare qasje vetëkritike. Pasojat e veprimeve tona po shfaqen tani në formën e tyre ma të vrazhdë; ato po pengojnë, me rrjedhoja tmerrësisht të dëmshme për gjeneratat e reja në funksionimin e një qyteti, gjegjësisht Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.
Në parimet themelore ndërkombëtare në procesin e përpilimit të Dokumenteve Hapësinore dhe Urbane është i domosdoshëm dhe obligues konsultimi me banorët e vjetër të qytetit. Në prill të vitit 2004, domethënë, para njëmbëdhjetë viteve, në reagimin tim publik ndaj asaj strategjie famoze të Prishtinës me një shkrim publik, me titull, “20+1 pyetje për përgjigje”, duke e shfaqur papajtueshmërinë time profesionale të argumentuar, u kam parashtruar ndër të tjera edhe një pyetje vendimmarrësve të atëhershëm komunalë. Citoj nga shkrimi:
“A është marrë në konsideratë mendimi i qytetarëve të vjetër të Prishtinës, të cilët më mirë se të gjithë ne e përjetojnë qytetin e tyre? A janë konsultuar gjatë përpilimit të ‘dokumentit’, apo është vepruar si në të kaluarën, kur tërësisht është injoruar mendimi i tyre për qytetin?”
Nga aspekti profesional, e kam përjetuar shumë rëndë tërë situatën e krijuar urbane në Prishtinë dhe në Kosovë në këto vite. Nuk e kam të qartë se çka ishim dhe çka jemi në gjendje t’i bëjmë vetvetes. Reagime të tilla i kam pritur shumë vite më parë nga shoqëria civile, vendimmarrësit, qytetarët e thjeshtë, e pikë së pari nga“prishtinalitë e vjetër”, të cilët askush nuk i ka respektuar ose pyetur për diçka. Situata e krijuar reflekton seriozisht në të gjitha poret e jetës urbane në Prishtinë sot, e besa edhe në të gjitha vendbanimet e tjera në Kosovë.
Ndërtime pa leje dhe me leje abuzive, mbindërtime, uzurpime të hapësirave publike, e në disa raste edhe të atyre private, shumë veprime antiligjore të paimagjinueshme dikur, janë lejuar nga ana e vendimmarrësve në Prishtinën e këtyre viteve, pa mbajtur fare përgjegjësi institucionale. Për shumë ndërkombëtarë, këto zhvillime urbane në Kosovë ishin dhe janë të pakuptueshme, të palogjikshme, pasi janë të ndërlidhura me mirëqenien e një shoqërie e cila është e obliguar t’i respektojë rregullat, normat dhe standardet urbane të lidhura me të gjitha fushat komplekse të një jete normale, që çdo banor i Prishtinës i dëshiron për të mirën e tij, e pastaj edhe të gjeneratave të ardhshme.
Për të gjithë këtë problematikë komplekse urbane kam reaguar në kohë reale, menjëherë pas luftës, në institucionet adekuate, si në MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor), ku vullnetarisht u punësova, duke lënë rehatinë që e kisha si projektant arkitektonik dhe urbanistik. E kam konsideruar si obligim moral që së bashku me profesionistë të tjerë të kontribuoj në formësimin e shtetit tonë, për të cilin janë sakrifikuar shumë gjenerata. Do të tentoj që në mënyrë kronologjike të shpalos disa momente kyçe për t’i parandaluar tendencat negative që haptas vëreheshin në fushën e urbanistikës në Prishtinë menjëherë pas luftës.
Kaloi faza emergjente pas vitit 1999, ku Prishtina për fat të mirë nuk kishte pësuar dëme të mëdha në urbanistikën e vet, të mbuluar me dokumente korrekte hapësinore dhe urbane. Natyrisht se përpilimi i dokumenteve të reja urbanistike ishte i domosdoshëm, pasi kishin filluar devijimet e para urbane, të cilat nuk kishte interes të ndaleshin prej strukturave të atëhershme komunale. Pati reagime të pakta në atë kohë; pas vrasjes së kryearkitektit të qytetit, Rexhep Lucit, në shtator të vitit 2000, situata ndryshoi tërësisht, duke mos u përfillur as rregullat elementare të urbanistikës. Ai u mundua ta parandalojë shkatërrimin e kryeqytetit, ndërsa u ekzekutua mizorisht. Si rezultat, kemi fillimin e shkatërrimit të Prishtinës, me pasoja të mëdha, që tani kanë nisur të reflektojnë në formën ma të vrazhdë në kualitetin e jetës urbane.
Disi me trysni të madhe, në shtator të vitit 2003 filluan përgatitjet për përpilimin e dokumenteve të reja të planifikimit urban të kryeqytetit, pasi kishte kërkesa të mëdha si rezultat i lëvizjes së pakontrolluar të popullsisë nga të gjitha anët e Kosovës dhe diasporës. Ishte ky një privilegj që çdo kryeqytet e ëndërron. Duhej të fillonin përgatitjet, që sa më mirë të ishim të gatshëm karshi situatës së re urbane të krijuar. Për befasinë e të gjithë ne profesionistëve, Komuna aprovoi në prill të 2004-ës një strategji (Plani strategjik 2004-2020 – Zhvillimi Urban i Prishtinës) të punuar në mënyrë të kundërligjshme për tre muaj, me pasoja të rënda për kryeqytetin dhe për tërë vendbanimet e tjera në Kosovë, për të cilat kryeqyteti ishte model i punës në fushën e urbanistikës.
Reagimet e mia ishin konstruktive, jopublike, si në ministri, aty ku punoja, ashtu edhe me zyrtarët në Komunë, por të dyja palët i injoruan tërësisht sugjerimet e mia, pasi interesat e tyre nuk përputheshin me rrugën e drejtë të trajtimit të problematikës urbane në kryeqytet. Edhe sot jam plotësisht i bindur se nëse investitorëve të ndryshëm që kishin leverdi materiale të ndërtonin në kryeqytet do t’u shpjegohej me argumente profesionale se ku dhe si të ndërtojnë, askush nuk do të ndërtonte pa leje. Një pjesë e fitimeve të tyre të planifikuara shkonin në xhepat e zyrtarëve të ndryshëm klanorë ose partiakë, për t’iu nënshtruar së fundi procesit të legalizimit, i cili sot prapë do ju kushtojë.
Pasi i shterova të gjitha rrugët institucionale, atëherë nëpërmes opinionit publik, në media të shkruara dhe elektronike, në promovimin e monografisë për Prishtinën, në takime, simpoziume, seminare, kam potencuar rrezikun e një qasjeje të këtillë ndaj problematikës urbane në Prishtinë. Edhe dokumentet hapësinore europiane (ESDP), të aprovuara në Potsdam në vitin1999, në parimet e tyre kishin si çështje të rëndësisë së veçantë “partneritetin urban-rural”, i cili për ne në Kosovë ishte i padëshiruar; ai dështoi, përkundër hulumtimeve profesionale, të kurorëzuara me një “projekt pilot” të bërë nga ana ime sa isha në MMPH. Ishin të kota të gjitha këto sugjerime konstruktive, pasi klasa politike në Prishtinë, dhe në Kosovë në tërësi, nuk është brengosur fare për pasojat e veprimeve të saj të pariparueshme për tërë shoqërinë; që tani po paraqiten në formën ma të vrazhdë të tyre, siç është rasti konkret me reagimin e z.Bajrush Morina, i cili e ka vërejtur se ku qëndron thelbi i problemeve urbane në Prishtinë.
Eshtë ky vetëm një segment me të cilin do të ballafaqohen gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të Prishtinës. Ata që e shkaktuan këtë kaos-fashizëm urban do të zbresin një ditë nga skena vendimmarrëse politike, por po na detyrojnë ne dhe gjeneratave të reja të jetojmë në këtë mjedis të varfër dhe të rrezikshëm urban.
Natyrisht, sipas logjikës së tyre, ata i kanë shpërfillur tërësisht këto sugjerime, e sot jemi të detyruar të gjithë ne t’i vuajmë pasojat e veprimeve të tyre të papërgjegjshme. Po të ishte vepruar ashtu si sugjerohej nga ana ime, dhe sipas kërkesave dhe principeve urbane, atëherë zoti Morina nuk do të kishte nevojë t’i parashtronte ato pyetje në shkrimin e vet këto ditë. Çka është e rëndësishme, kualiteti i jetës urbane në kryeqytet do të ishte ma i mirë. Kështu, së bashku me shumë veprime të tjera abuzive, e kemi këtë situatë kaotike urbane në Prishtinë, ku përgjegjësia duhej të jetë edhe më e madhe, pasi është kryeqyteti i Republikës së Kosovës, e njëherësh pasqyra dhe fytyra jonë, nëse atë ende e kemi! /tesheshi.com/