Gjatë fjalimit që mbajti kryeministri, z. Rama, më 9 prill në programin festiv të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për nder të Profetit Muhamed, mes të tjerash u shpreh se ka ardhur momenti që shteti shqiptar të hapë dyert në shkolla që nxënësit të pajisen me njohuritë fetare përveç atyre shkencore, e se kjo nuk e cenon aspak laicitetin e shkollës sonë, por ndihmon në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme që të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm. Ishin këto fjalë që shpërfaqën idenë e mësimit të fesë nëpër shkolla, dhe kjo gjë shkaktoi reagim të fuqishëm nga analistët, te të cilët pati si prej atyre që e mbrojtën dhe nga ata që i dolën kundra kësaj ideje.
Më shqetëson shprehja e shumë opinionistëve që ishin të befasuar nga deklarata e kryeministrit. Lind pyetja, pse çuditërisht duhet të jemi të befasuar nga kjo deklaratë, kur në të vërtetë kjo gjë do të duhej të ishte përfunduar prej kohësh, Nëse pretendojmë se jemi në demokraci, dhe po ashtu kemi një traditë të gjatë historike e fetare, atëherë procedura të tilla duhet të shpetojnë dhe të avancojnë në mënyrë që shteti të argumentohet të paktën vetë që ne kemi marrë masa në luftën kundra ekstremizmit të dhunshëm, sepse ua kemi shpjeguar fëmijëve tanë nëpër shkolla se çfarë është feja, si dhe historikun e saj në vija të përgjithshme.
Gjykoj se mësimi mbi fenë është nevojë imediate, e se qeveria është dashur të ndërmarrë hapa me kohë në këtë aspekt, sepse të tilla forma janë të mirëseardhura në shoqërinë tonë dhe i shkojnë për shtat më së miri realitetit social në Shqipëri. Çka do e bënte atë shumë të dobishme, jo vetëm për qytetarët e besimit mysliman, por edhe për të tjerët që besojnë ndryshe, ngase kjo gjë do të sillte forcimin e tolerancës fetare, ose, më mirë të themi, të bashkëjetesës fetare, me cilën ne mburremi shpesh si vlerë që e kemi. Atëherë, një nga shtyllat që e forcon natyrshëm këtë bashkëjetesë akoma dhe më shumë është pikërisht futja e mësimit mbi fenë nëpër shkolla, dhe kjo të bëhet nga profesionistë të fushës. Ashtu siç deklaroi dhe vetë kryeministri i vendit.
Është e udhës gjithashtu të japim disa statistika e të themi se çfarë tregojnë në lidhje me komunitetet e ndryshme fetare në Shqipëri. Duke dhënë disa shifra do të krijojmë një ide më ta qartë rreth problematikës në fjalë, e njëkohësisht do të mbështesim argumentin tonë rreth nevojës së mësimit mbi fenë.
Sipas regjistrimit të 2011-ës, 58.79% e shqiptarëve janë të besimit islam, duke e bërë atë fenë më të madhe në vend. Shumica e myslimanëve shqiptarë janë sunnitë, me një minoritet të konsiderueshëm bektashi. Krishterimi praktikohet nga 16,99% e popullsisë, si feja e dytë më e madhe në vend. Gjithashtu, një e dhënë tjetër nga CIA World Factbook thotë se 70% janë myslimanë, 20% katolikë dhe 10% ortodoksë. Nga ana tjetër, një studim i bërë para disa kohësh nga Pew Research Center vlerëson se përqindja e myslimanëve në Shqipëri është 79.9%. Siç shihet edhe nga të dhënat e mësipërme, ka mospajtime mes tyre, por çka është më e rëndësishme këtu është se në një farë mënyrë treguam disa shifra vetëm sa për të pasur parasysh besimin në Shqipëri, ashtu siç edhe e cekëm më lart.
Ndërsa, për sa u përket objekteve të kultit, sipas disa studimeve të kryera, numërohen rreth 1700, por ky numër vazhdon të rritet përditë, sidomos nga ana e Komunitetit Mysliman, me ndërtimin e xhamive, por edhe nga ai ortodoks e katolik, me ndërtimin e kishave. Megjithëse, s’kemi të dhëna të numrit të saktë të këtyre objekteve. Por, sipas një raporti të ofruar nga gazeta Tirana Observer në vitin 2011, në Shqipëri ekzistojnë 873 xhami dhe 794 kisha.
Pra, thënë shkurt, feja në Shqipëri është ringjallur, sidomos pas rënies së komunizmit, dhe çdo ditë shohim njerëz që e përqafojnë atë, qoftë fenë islame apo kristiane. Por, po ashtu, kemi edhe të tjerë që bëhen ateistë, që nuk duan ta deklarojnë religjionin e tyre, apo që besojnë vetëm në Zot. Sidoqoftë, ajo çfarë dua të them është se kemi një frymë të rritjes së numrit të besimtarëve, veçanërisht gjatë dekadës së fundit. Dhe, për pasojë, shteti, qeveria, duhet ta plotësojë këtë hapësirë bosh, dhe këtë ka mundësi ta bëjë në fillim me dhënien e fondeve në ndërtimin e objekteve të kultit. Sepse këto janë objekte publike që përfaqësojnë një pjesë të madhe të shoqërisë, prandaj edhe ndërtimi i këtyre shmang konsiderueshëm gjasat e keqkuptimit; për pasojë, njerëzit do ta kuptojnë sa më mirë fenë. Sa më pak objekte kulti, aq më shumë keqkuptime do të ketë mbi fenë. Kështu, do të kemi më pak ekstremizëm fetar. Vend ka gjithashtu për organizimin e seminareve të ndryshme, Por ajo që mendoj se është më e rëndësishmja, pa dyshim se edukimi i moshave të reja, zë një vend të veçantë në tërësinë e formësimit të identitetit të tyre, gjegjësisht të fëmijëve, të cilët marrin dije për religjionin, mbi fenë, në mënyrë që të njihen sa më mirë me të.
Prandaj edukimi mbi fenë nëpër shkolla nuk është i nevojshëm vetëm për atë njerëz që zgjedhin të besojnë; gjithashtu është i nevojshëm dhe i dobishëm për tjetrin, i cili zgjedh të kundërtën. Po ashtu kjo do të gjeneronte fronte të reja të debateve konstruktive, si nëpër shkolla dhe nëpër ambiente të ndryshme, si në seminare dhe konferenca të ndryshme. Ndër të tjera, mësimi mbi fenë jo që nuk do ta cenonte laicitetin e shtetit apo të kushtetutës, por do ta zbukuronte më shumë, ngase do të tregonte barazinë e religjioneve të ndryshme në raport me shtetin dhe dhënien e hapësirave aq të nevojshme, duke qenë njëkohësisht mundësi e shkëlqyer për edukim sa më të kompletuar për brezat.
Në këtë mënyrë do të mund të shkollonim rini të pajisur me dijen e duhur rreth fesë, se çfarë përfaqëson ajo, dhe cilat janë mesazhet e saj, si vlerat, normat, morali, etj. Dhe të mos marrin informacionin që zakonisht lakohet herë pas here nga mediume të ndryshme. Për rrjedhojë, mësimi nëpër shkolla do të anashkalonte dhe keqkuptimet e paragjykimet që tashmë jemi mësuar t’i ndeshim pandërprerë, megjithëse në demokracinë tonë të brishtë ka hapësira që njerëzit të informohen dhe të besojnë lirshëm. Shumë shtete të zhvilluara dhe demokratike në botë kanë lejuar të mësuarin e fesë në për shkollat laike, si Amerika, Gjermania, Anglia, Skocia, Norvegjia, Japonia, e ndër to edhe Italia fqinje po ashtu. Pra, nëse do e cenonte laicitetin mësimi për fenë, shtetet që kanë një kulturë shekullore demokratike nuk do ta kishin bërë këtë. Për pasojë, edhe ne duhet të ndjekim të njëjtën shembull nga ky aspekt. /tesheshi.com/