Futbolli është sporti më i ndjekur në botë; atë e sheh dhe e luan çdo moshë, por më së shumti e ndjekin moshat e reja, sidomos të gjinisë mashkullore. Portali “History of Soccer” tregon mes të tjerash për një histori të lashtë, që futbolli luhej që në kohërat e vjetra. “Dëshmitë e hershme të futbollit janë se luhej si një sport, i shfaqur në Kinë gjatë shekullit II dhe III para erës së re. Në Kinë futbolli ishte i përhapur përgjatë dinastisë Han, dhe njerëzit gjuanin topa prej lëkure, duke e nisur atë në një rrjetë të vogël. Fakte të tjera që janë regjistruar gjithashtu mbështesin idenë se romakët dhe grekët e përdornin topin për të luajtur, për argëtim, dhe plot gjallëri. Disa fakte të tjera në Kioto të Japonisë tregojnë se gjuajtja e topit ishte një sport popullor.” Po ashtu, sipas faqes zyrtare të FIFA-s, 1863-shi është viti kur futbolli zyrtarizohet dhe merr pak a shumë formën që ka sot e kësaj dite.
Nga ana tjetër, për të kuptuar se si u përhap futbolli dhe sa shpenzohet për të në mbarë botën, në vijim do të shpalos disa statistika interesante. Sipas “World Stadiums”, në botë gjenden më shumë se 12 mijë stadiume në më shumë se 224 vende. Ndërsa nga Federata e Futbollit të Amerikës Jugore shprehen se, “Suksesi i investimeve të ndryshme të FIFA-s në zhvillimin e futbollit në mbarë botën jo vetëm që është shënuar në rritjen e numrit të spektatorëve në lojëra dhe duke i shikuar lojëra në shtëpi, por, sipas statistikave më të fundit, edhe në numrin e njerëzve që luajnë futboll. Bëhet fjalë për 265 milionë lojtarë, së bashku me më shumë se 5 milionë gjyqtarë zyrtarë, gjë që dëshmon popullaritetin e këtij sporti.” Pra, nëse i llogarisim këto shifra, atëherë i bie që rreth 4% e popullsisë botërorë luajnë futboll.
Ndërsa kur është fjala se sa harxhohet për futbollin, i referohemi merkatos së verës të vitit 2013. Për transferimet e lojtarëve u shpenzuan 2.3 miliardë euro.Vetëm liga angleze shpenzoi 600 milionë, kurse transferimi i një lojtari atë vit ishte më i shtrenjti në të gjitha kohërat në historinë e futbollit, plot 100 milionë euro. Nuk do të shpenzoheshin kaq shumë nëse nuk do të kishte tepër fitim. Pra, fitimi i stërmadh i parave solli edhe rritjen e çmimit të lojtarit. Por, nëse shpenzohen për lojtarët në këto shifra, vlera e fitimit te këtyre skuadrave është marramendëse.
Edhe vetë FIFA harxhon shumë kur është fjala për ndërtimin e stadiumeve dhe kampeve që presin konkurrentët gjatë kampionatit. Në vijim do të paraqesim katër vendet të cilat më së shumti kanë harxhuar për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit (FIFA World Cup): 1. Brazili (2014) 14 miliardë dollarë, 2. Gjermania (2006) 6 miliardë dollarë, 3. KOR/JPN (2002) 5 miliardë dollarë, 4. Italia (1990) 5 miliardë dollarë (marrë nga wikipedia.org). Pra, me shifra të tilla ekstravagante na bëjnë të mendojmë se vërtet përfitimet nga futbolli janë astronomike.Nëse e krahasojmë pak se sa paguhen lojtarët profesionistë të klubeve të mëdha evropiane, mund të themi se rroga e tyre vijon prej një mesatareje 100-300 mijë euro në javë, ndërsa, nga ana tjetër, liderët botërorë të shteteve më të fuqishme të botës paguhen pak në dallim me lojtarët: Hsieng Loong, kryeministri i Singaporit 1.136.515.59 dollarë, Barack Obama 276.522.74 dollarë, Vladimir Putin 90.957.73 dollarë, David Cameron 143.659.71 dollarë (marrë nga Ballkanweb). Ndërsa, nëse e krahasojmë me shtetet e varfëra, si Shqipëria dhe Kosova, atëherë diferenca do të dalë skajshmërisht më e madhe.
Gjithashtu, futbolli sot është një industri shumëmiliardëshe, e përhapur në të gjithë globin. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e futbollit ka luajtur edhe globalizimi, sidomos ai ekonomik. Me zhvillimin e hovshëm teknologjik të kohës moderne, përhapja ka qenë e pashmangshme, ashtu si edhe e lojërave të tjera në mbarë rruzullin tokësor. Ndërsa kompanitë multinacionale, të cilat shpesh herë janë financuese të skuadrave futbollistike, po ashtu luajnë rolin e mbështetësit apo të tutorit në arenën ndërkombëtare. Ky argëtim kaq i ndjekur është në esencë një kapital tepër i çmuar për të mbushur xhepat e bosëve të skuadrave dhe të atyre që e menaxhojnë futbollin në përgjithësi, si edhe bastet apo lotot (bastoret), dhe shefat e FIFA-s në veçanti. Në fakt, pazaret që përsëriten vazhdimisht ndërmjet atyre të cilët e kontrollojnë futbollin dhe lotot sportive janë si të thuash njëlloj “burse ndërkombëtare”, e mbushur përplot me aksionerë të fuqishëm në industrinë shumëmiliardëshe të futbollit në botë. Pazaret janë thuajse të kudondodhura, dhe tepër të ndërlikuara për t’u rënë në fije. Historikun real të tyre e dinë vetëm bosët që e komandojnë futbollin në përgjithësi. Në shumë ndeshje, sidomos kur koeficienti i tyre është i lartë, rezultati shpesh vendoset nga shkon koeficienti. Kjo anë e errët e futbollit shpeshherë është bërë shënjestër e kritikëve, të cilët jo rrallëherë lançojnë mesazhe therëse në drejtim të strumbullarëve të futbollit. Ndërkaq, këto turbullojnë edhe mendjen e tifozëve besnikë, të cilët habiten kur rezultati i ndeshjes nuk ka kuptim për ta apo kur veprimet e arbitrave në fushë janë pa vend. Këtë mund ta argumentojmë fare mirë edhe me abuzimet që kanë dalë në shesh së fundi të drejtuesve të FIFA-s.
Pavarësisht kësaj, loja me top mbetet e dashur për shumë njerëz, që njëkohësisht e ngre futbollin në një ekonomi të mbështetur në argëtim. Gjë e cila luan rolin edhe të një kontrollori të popullatës së gjerë, duke i bërë ata pasivë dhe indiferentë ndaj shumë gjërave, dhe më së shumti të ndikuar janë tifozët. Sepse për tifozët futbolli është pjesë skajshmërish e rëndësishme e jetës së tyre. Ngase ata ngado që shkojnë flasin në çdo vend, pavarësisht se ku janë, qoftë në shtëpi, punë, kafe, në shëtitje e kudo. Tifozët jetojnë në një botë brenda një bote tjetër, në një kulturë brenda një kulture tjetër më të vogël, e cila në sociologji quhet subkulturë. Tifozët me gjuhën e tyre të kodeve argo, me veshjen e fanellave të lojtarëve të skuadrës së preferuar, zhyten thellë në dimensionin e lojës me apo pa e kuptuar. Atje ku bie bilbili i arbitrit, dhe zërat zhurmues kur pjesëmarrësit bërtasin gjatë golave, adrenalina shkon deri në fund. Si të thuash, një botë çudirash shpesh herë surreale, larg prej realitetit.
Në sociologjinë e sportit, përveç pjesëve të ndryshme, si në trajtimin e temave në lidhje me sportin, po ashtu gjen hapësirë të bollshme edhe shqyrtimi i cili bëhet nga spektri i vështrimit të Ndërveprimit Simbolik të George Herbet Meadit. Nëse do ta shqyrtojmë në pika të shkurta Ndërveprimin Simbolik, mund të themi se ndahet në tre pika kritike: “Ndërveprimi midis aktorit dhe botës, (që në rastin tonë kemi tifozin, se si reagon ndaj ambientit përreth), e dyta, vështrimi mbi aktorin dhe botën si proces dinamik, dhe e fundit, aftësia e aktorit për të interpretuar realitetin social.” (Ritzer dhe Goodman 2008) Interpretimi i realitetit social nga tifozët është modeli se si e sheh ai veten në shoqëri gjegjësisht në grup. Ky botëkuptim formohet në saje të relacioneve ndërmjet grupeve shoqërore dhe mjedisit social. Termi i famshëm i Meadit, “Tjetri i Përgjithësuar”, është qëndrimi i gjithë komunitetit, dhe në këtë rast grupi ndikon tek të tjerët, ashtu siç thotë edhe Meadi, “Shoqëria ndikon te vetja”. Kësaj fraze i përgjigjet Gidensi, kur shpjegon ndërveprimin simbolik. Ai mes të tjerash thotë, “Gjatë ndërveprimeve sociale, njerëzit mësojnë kuptimet dhe simbolet që u lejojnë atyre të përdorin veçorinë e tyre njerëzore të të menduarit.”
Përveç botëkuptimit të tifozit që brendësohet për shkak të mjedisit ku jeton, dhe, në këtë rast, ambienti i tifozerisë si në klube, lokale, shoqëri e kudo. Gjithashtu kemi edhe pasojat të cilat shfaqen. Me hyrjen nëpër klube të tifozëve, ose kur është tifoz i flaktë, kjo gjë mund të çojë deri në konflikte të ndryshme, si me shokët ashtu edhe me tifozët e tjerë të grupimeve të ndryshme. Sidomos kur ofendohet skuadra apo lojtari i preferuar. Shkurt e shqip, plas sherri për një fjalë goje. Pra, për rrjedhojë, sjell rritjen e intolerancën, e cila mund t’i kthejë njerëzit në tipa të dhunshëm. Për pasojë, duke i dhënë rëndësi shumë futbollit, bie ndjeshëm rëndësia e gjërave të tjera, dhe kështu tifozi i jep më shumë prioritet futbollit sesa veprimtarive reale esenciale, si për shembull, familjes. Rrjedhimisht, nga ky aspekt, futbolli mund edhe të shkaktojë konflikte ndërmjet familjes, në shumicën e rasteve midis bashkëshortëve.
Kur tifozët çirren gjatë lojës, diku gjetkë, në ndonjë hotel me pesë yje, bosët e futbollit, të mbështetur nëpër karrige luksoze, buzëqeshin në formë ironike kur u shtohen çdo sekondë shifrat në llogaritë e tyre. Tifozët e sportit janë si shembulli i atyre burime të cila bashkohen dhe formojnë lumenj, e këto lumenjtë derdhen në dete, dhe këto dete bashkohen në oqeane. Tifozi në këtë rast është burimi i parasë, ndërsa rezultati që përfitohet nga derdhja e gjithë këtyre parave është oqeani, të cilin e posedojnë bosët e futbollit.
Ashtu siç e cekëm edhe më lart, futbolli është një industri e stërmadhe. Më përpara, transmetimin e ndeshjeve e kanë pasur eksluzivitet vetëm televizionet shtetërore, dhe ato transmetonin kryesisht ndeshjet kryesore, që mendohej se kishin shikueshmëri të madhe. Kurse sot puna qëndron shumë ndryshe. Sot jo vetëm që televizionet publike kanë të drejtë të transmetojnë disa ndeshje kryesore, por gjithashtu televizione private të fuqishme blejnë me shuma të mëdha parash transmetimin e ndeshjeve bombastike, siç janë ato të Kampionatit Botëror, Evropian, të Ligës së Kampionëve, etj.
Së fundmi, ajo çfarë nxjerrim në përfundim prej gjithë kësaj është se futbolli, ashtu siç e pamë deri tani, luan një rol tejet evident në jetën tonë, sidomos te tifozët, dhe përhapja e tij sa vjen e rritet. Njëkohësisht, kjo do të thotë që bosët e futbollit pasurohen akoma edhe më shumë. Pra, industri shumëmiliardëshe, e cila paret i merr nga xhepat tanë. Ne më shumë preokupohemi për gjëra dytësore sesa për ato reale, që me të vërtetë na shqetësojnë në shoqërinë tonë. /tesheshi.com/