Sërish debati i martesës të së njëjtës gjini u hap nga mediumet shqiptare, rreth ndryshimit të ligjit për sa i përket kodit të familjes. Por a është e arsyeshme që shteti shqiptar të marrë një iniciativë të tillë dhe të lejojë martesën gej? Sipas hulumtimeve sociologjike, dhe atyre psikologjike, peshorja rëndon më tepër në pasojat negative të atyre shteteve të cilat kanë disa vite që e lejojnë një gjë të tillë. Sidomos kur është fjala për fëmijët, ata janë më të prekurit nga ky aspekt. Ngase, sipas argumentimeve të këtyre të fundit, fëmijët kanë pasoja të mëdha, duke mos u gjendur në një mjedis të një familje natyrale, ku jemi mësuar të gjithë.
Përveç të tjerash, Shtetet e Bashkuara, si shteti më demokratik në botë, dhe njëkohësisht më i zhvilluari, vetëm vitin e kaluar e legalizuan ligjin në fjalë. Ndërsa ne nuk i kemi kushtet e SHBA-ve që të ndërmarrin një veprim të tillë. Kurse Italia, nga ana tjetër, renditet ndër vendet me numrin më të lartë të homoseksualëve, dhe kur vjen puna, ajo akoma se ka bërë një veprim të tillë. Sepse prioritetet e saj janë diku tjetër, në problemet e tjera reale, ekonomike, që është duke i hasur kohët e fundit. Gjithashtu, duke pasur parasysh se publiku italian sa është laik, është edhe religjioz. Pak a shumë siç jemi edhe ne, por që, sipas statistikave, rezulton të jemi më religjiozë dhe tradicionalë. Sidomos kur kjo e fundit është e lidhur ngushtë me fenë. Pra, shoqëria shqiptare e ka të bashkëdyjëzuar brenda traditës edhe fenë. Rrjedhimisht, kjo sjell që botëkuptimi ynë dhe realiteti në të cilën jetojmë nuk disponon kushte të favorshme për legalizimin e këtij ligji.
Prandaj, për pasojë, përqendrimi i shkrimit do jetë me shumë te trajtimi i një tjetër spektri të problemit, i cili gjykoj se është i arsyeshëm të merret për bazë. Duke treguar se ne patjetër duhet të shohim në radhë të parë se kur e kanë miratuar shtetet e tjera, dhe përse. Cila kushte dhe rrethana i kanë detyruar ato vende të pranojnë një gjë të tillë. Jo më larg se tre vite më parë, Franca ndërmori një akt të tillë, por kundërshtia e popullatës ishte mjaft e madhe, saqë dolën miliona njerëz nëpër rrugë duke protestuar. Megjithëse Franca është promotore e demokracisë dhe e lirisë së individit në Evropë, prapëseprapë kishte njerëz të pakënaqur. Kjo ndodhi në Francë, në një nga shtetet më të zhvilluara të Evropës, dhe që nuk është një shoqëri tradicionale. Çfarë do të ndodhte në Shqipëri nëse do të miratohej ligji? Dyshoj se do të kishim reagime pozitive. Dhe këto fenomene shfaqen te këto shtete të zhvilluara, që nuk kanë probleme të shumta të natyrës politko-ekonomike si Shqipëria dhe Kosova. Si nga aspekti politik (korrupsioni), apo ekonomik (të papunësisë dhe varfërisë), dhe ai social, siç janë vrasja, krimi i organizuar, etj., por që shpesh kanë lidhshmëri me faktorët e sipërpërmendur.
Bota i ka gjithsej 196 shtete; vetëm 21 prej tyre e kanë lejuar martesën mes gjinisë së njëjtë, dhe këto martesa janë lejuar vetëm këto 16 vitet e fundit. Pjesa më e madhe e shteteve të cilat e kanë lejuar janë kryesisht në Evropën Perëndimore. Bëjnë përjashtim këtu vetëm SHBA-të, Kanadaja, Argjentina, Uruguaji, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut.
Sipas “Pew Research Center”, të artikullit të publikuar më 26 qershor 2015, me titull “Countries That Allow Gay Marriage” (Shtetet që e lejojnë martesën gej), tregohet se janë 21 shtete në botë që e lejojnë martesën midis gjinive të njëjta. Aty përmenden shtetet të cilat e kanë legalizuar ligjin në fjalë: “Netherlands (2000), Belgium (2003), Canada (2005), Spain (2005), South Africa (2006), Norway (2009), Sweden (2009), Argentina (2010), Iceland (2010), Portugal (2010), Denmark (2012), Brazil (2013), England and Wales (2013), France (2013), New Zealand (2013), Uruguay (2013), Luxembourg (2014), Scotland (2014), Finland: (signed 2015, do të hyjë në fuqi më 2017), Ireland: (2015)”. Pra, Evropa kryeson listën, duke qënë si një lloj promovuese e martesave gej.
Nga kjo del që nga 28 shtete të Bashkimi Evropian, vetëm 12 prej tyre e lejojnë martesën midis gjinisë së njëjtë. Pra, më pak se gjysma. Ndërsa 16 të tjera e ndalojnë, duke përfshirë këtu edhe shtetet kryesore të zhvilluara, të cilat njëherësh cilësohen edhe si shtylla lëvizëse e motorit të komuniteti ekonomik evropian, si Gjermania dhe Italia. Përgjithësisht, pjesa lindore e Evropës rezulton kundra. Duket sikur Evropa është ndarë në dy tabore. Kjo për shkak të ndikimi të kishës katolike dhe asaj ortodokse në këto vende, e cila ka ndikim të madh. Pavarësisht kësaj, edhe opinioni publik kryesisht është kundër këtyre martesave, ashtu siç është edhe në Shqipëri e Kosovë.
Holanda mban flamurin për legalizimin e martesave gej. Kjo gjë ka ndodhur sipas një vetëdijësimi që ka atje për homoseksualitetin, duke mos harruar edhe numrin e lartë të homoseksualëve. Sipas hulumtimeve, llogaritet që 1 në 7 meshkuj në Holandë është gej. Rrjedhimisht, është e kuptueshme edhe legalizimi për një ligj të tillë, duke pasur parasysh edhe shkallën e arsimimit dhe të nivelit të lartë ekonomik të këtij shteti. Jo vetëm kaq, por edhe vendet e tjera të ulëta, dhe ato skandinave, bashkë me Francën dhe Britaninë e Madhe, kanë një zhvillim të lartë ekonomik, teknologjik, arsimor. Si të thuash, këto shtete nuk përballen me sfidat jetësore (papunësi e madhe, varfëri ekstreme) dhe shkallën e lartë të korrupsionit, për kundruall shteteve jo të zhvilluara, të cilat cilësohen me një ekonomi të dobët, jo të qëndrueshme, në të cilat jetesa është bërë një sfidë e vërtetë, siç është shembulli i vendit tonë dhe Kosovës.
Shtete të zhvilluara, si Kina, Japonia, Italia, Rusia, India, Brazili, Koreja e Jugut, e ndalojnë dhe janë kundër. Përveç Kinës, që është komuniste, të tjerat gëzojnë një demokraci të mirëfilltë. Por, nga ana tjetër, këto shtete janë shumë moderne, me infrastrukturë të zhvilluar, e me një GDP të lartë, sidomos Kina dhe Japonia. Po ashtu, tradita familjare është e theksuar, dhe në epiqendër të kulturës aziatike. Ngase, sipas atyre, familja është themeli i shoqërisë, ajo ka një piedestal të lartë në shoqërinë e tyre. Në fakt, duhet ta pranojmë se e njëjta gjë është edhe në shoqërinë shqiptare. Kultura dhe zakoni është një tipar dallues në Azi, që formëson rregullat dhe normat shoqërore, që kanë mbijetuar me mijëra vjet. Dhe legalizimi i martesave gej do ta destabilizonte rendin e tyre social në përgjithësi, dhe familjen në veçanti. Ndërsa religjioni i përzier me traditën është kryesisht i përqendruar në shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, edhe te disa shtete të Amerikës Latine, siç është Brazili. Ku problemi shihet më tepër i lidhur me fenë, duke mos anashkaluar edhe ato shoqërore.
Ndërsa, për sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, këto janë shoqëri kryesisht tradicionale, dhe tradita zakonisht është e ndërthurur në pjesën më të madhe me fenë, ashtu siç e përmendëm më sipër. Për rrjedhojë, me një demokraci të brishtë, dhe si shtet akoma në tranzicion, me shumë probleme politiko-ekonomike, social-kulturore, sjell një klimë të papërshtatshme për legalizimin e këtij ligji. Ku shkalla e urrejtjes dhe e averzionit shoqëror është e lartë. Dhe mund të gjenerojë situata agresive, e protesta të mëdha shoqërore. Gjithashtu, pjesa më e madhe e popullsisë është religjioze. Prandaj, këto janë situata të pafavorshme për shoqërinë shqiptare, që asnjëri nga ne nuk do t’i dëshironte.
Si përfundim, atyre 21 shteteve që e kanë legalizuar martesën gej nëpër botë ju është dashur kaq shumë kohë, dhe meqenëse janë të zhvilluara dhe kanë një përqindje të konsiderueshme të gejve në vendet e tyre, në një farë mënyre janë detyruar ta legalizojnë një gjë të tillë. Ndërsa ne kemi një numër fare të vogël dhe një situatë krejt ndryshe nga shtetet e sipërpërmendura. Kurse, për sa i përket politikës, demokracia në ato vende është shumë e lartë, dhe niveli i korrupsionit është nga më të ultit në botë. Ndërkaq, te ne demokracia është tepër e brishtë, korrupsioni kap shifrat më të larta në Evropë, dhe çdo vit përshkallëzon akoma edhe më shumë. Duke sunduar një oligarki, e cila kontrollon thuajse çdo gjë në vend. Në krahun tjetër, niveli i papunësisë në këto shtete është mjaft i ulët, porse në Shqipëri dhe Kosovë është ekstremisht i lartë. Kemi një varfëri të skajshme, ku populli vuan për bukën e gojës. Krimi i organizuar renditet në nivele të larta sipas Bashkimit Evropian. Lista e të këqijave është aq e gjatë, sa nëse vazhdojmë duke i numëruar kush e di kur ndalemi. Pra, kemi probleme shumë më të mëdha që shteti të merret me legalizimin e martesave gej. Nuk i kemi kushtet e duhura për ta bërë një gjë të tillë. Legalizimi i ligjit mund të nxirrte probleme të reja, të cilat do ta përshkallëzonin edhe më shumë situatën e rëndë ekonomike dhe sociale në të cilën ndodhemi. Për shkak se për t’u bërë legalizimi duhen parë një sërë kushtesh të favorshme, të cilat nuk i kemi, si ato politiko-ekonomike, social-kulturore, problemet e shumta shoqërore. Dhe në këtë prizëm, duke i tubuar të gjitha argumentet së bashku, vijmë në përfundimin se është e papërshtatshme që të legalizohet ligji i martesave gej në vendin tonë. /tesheshi.com/