Nobeli per Svetlana Aleksievich nuk është vetëm një vlerësim për një intelektuale që ka qenë nën presionin e regjimit të Lukashenkos e që lufton Putinin. Nobeli për Svetlana Aleksievich është një revolucion kulturor: pas dhjetëvjeçarësh, vlerësohet rrëfimi dhe jo letërsia fiction. Në botën anglofone, ose më mirë në atë botë që flet anglisht e që, edhe në letërsi, ka në qendër protestanizmin pozitiv, ky Nobel është një lloj tërmeti.
Këtë gjë e demostron mirë një artikull i Philip Gourevitch publikuar në New Yorker në datën 9 tetor 2014 dhe ripropozimi që vjen nga autori i këtij shkrimi në Twitter. Në New Yorker, Gourevitch tregon se për çfarë shkruan Svetlana Aleksievich, dhe aty shpjegohet sesa revolucionar do të ishte një Nobel që do të hapej më në fund për këtë lloj vizioni për botën, për atë lloj rrëfimi të realitetit që dukshëm i ikën të gjitha katalogjeve.
Pothuajse një profeci.
Ishin të shumtë ata që nuk besonin dhe qe mendonin se Nobeli do të vijonte të jepej duke ndjekur stilin klasik e duke vlerësuar letërsinë që ose është fiction, ose nuk ekziston fare.
Problemi është i llojit epistemologjik e për të argumentuar tezën e vet, Gourevitch citon Gay Talese-n që në një intervistë me “The Paris Review” thotë: “Shkrimtarët e letërsisë jo fiction janë qytetarë të dorës së dytë. Thjesht nuk do te mundin të hyjnë, e kjo më bën të nxehem”.
Por fjalët e Telese-s kristalizojnë drejtimin ku priret tregu letrar. Shpesh problem për një shkrimtar është të ndërtojë një libër që në treg të mund të katalogohet, të ketë një etiketë, që të mund të qëndrojë ekzaktësisht në një raft: por sa miope është kjo nevojë për të kataloguar të shkruarit. “Botuesit dhe librashitësit, shkruan Gourevitch, janë bashkëpunëtorë, së bashku me mbrojtësit e vlerësimeve në privimin filistin të shkrimeve të mëdha dokumentare duke rezervuar etiketën “letërsi” mbi kopertina dhe rafte, vetëm për veprat fiction.
Bibliotekarët dhe botuesit marrin pjesë të gjithë në keqkuptimin e madh duke quajtur letërsi vetëm atë që është shpikje e pastër dhe duke i atribuar rrëfimit që tregon realitetin një rol dytësor. Personalisht, besoj se vlen e kundërta dhe nuk kam ndër mend t’i lutem botës anglosaksone që në totalitarizmin e vet, imponon ligjin e ndarjes mes fiction-it dhe jo fiction-it.
Letërsia dhe të shkruarit, kaq intensive, shoqërohen me një seri pyetjesh parandaluese që e sterilizojnë shkrimin.
Çfarë është ekzaktësisht Svetlana Aleksievich, një gazetare apo një shkrimtare? Eshtë më shumë gazetare apo shkrimtare? Çfarë mendojnë për të gazetarët e tjerë? Eshtë ajo rigoroze në rrëfim apo merr leje? Këto pyetje janë devijuese pasi nuk marrin parasysh fundin. Dhe fundi është të krijuarit e një afresku letrar. Ja që edhe jo fiction mund të tregohet në këtë mënyrë: është një lloj letrar që nuk ka për objektiv lajmin, por ka si fund rrëfimin e së vërtetës. Shkrimtari i rrëfimit jo fiction merr hua për të punuar një të vërtetë të dokumentueshme, por përballet edhe me lirinë e poetizimit. Shkrimtari i rrëfimit jo fiction nuk krijon kronikë, por e përdor atë.
Aleksievich tregon duke përdorur copëza të dëgjuara në stacione, pas një interviste shpreh edhe neverinë që i ka krijuar. Nuk ka frikë që shkrimet që përzgjedh, që intervistat e veta të perceptohen si perfekte aq sa të duken si të shpikura.
Ajo e di se realiteti e tejkalon shumë imagjinatën dhe pranon të bëhet megafon, një shumëfishues i tij. Madhështia e saj qëndron pikërisht në kurajon letrare, për të mos mbetur në punën që imponojnë gazetat.
Të zgjedhësh një letërsi jo fiction, për më tepër, është një zgjedhje e stilit, e një mënyre të rrëfyeri.
Santa Evita nga Tomá s Eloy Martínez është libri që tregon më mirë se gjithë të tjerët historinë e Evita Peron, por nuk rrëfen atë që cilësohet në mënyrë të pakontestueshme si e vërtetë. Ai mbledh faktet, shumë prej të cilëve ekzistojnë në versione dhe zgjedh ato që konsiderohen më afër së vërtetës ose më funksionale për rrëfimin. Mund edhe të përgënjeshtrohet
Martínez, dhe si mundësi të vetme të mbrojtjes do të kishte besueshmërinë e punës së tij, atë të kërkimit antropologjik.
Ka nga ata që kërkojnë që arti të mos jetë më art. Ka nga ata që pretendojnë që të jetë më i vërtetë sesa e vërteta. Më realiste sesa realiteti. Si të ishte një pantograf gjigand, por në fund të fundit i panevojshëm.
Kur Nobel për letërsinë shkon në drejtimin e kundërt, pasi nuk vlerëson vetëm kurajon e një disidenteje, por edhe, e sidomos, kurajon e një shkrimtareje që ka zgjedhur një metodë, e që me stilin e saj letrar ka kërcënuar pushtetin. E vërteta që rrëfen
Svetlana Aleksievich është universale edhe nuk mund të matet. Duke arsyetuar në lidhje me absurdin, çfarë kuptimi do të kishte që ajo të ofronte një listë me të gjitha intervistat, me emër e mbiemër, për të treguar se ato biseda kanë ndodhur pikërisht ashtu si i lexojmë. Dukshëm nuk do të kishte pasur asnjë kuptim
Pasi lexuesit i intereson një e vërtetë tjetër: të mbledhë faktet e t’i flitrojë ato përmes reflektimit letrar, reflektimit njerëzor, kurës së fjalëve.
T’i bëjë ato krijim, dhe jo kronikë. Shkrimtarët e rrëfimit jo fiction kanë mbetur deri më sot në një gjendje limboje të pabesueshmërisë.
Svetlana Aleksievich (që madje, ishte quajtur edhe spiune pasi në Bjellorusi besohej të ishte agjente e CIA-s) likuidohej nga kolegët me avazin e përhershëm “të gjithë jemi marrë me Afganistanin” “të gjithë kemi shkruar për Cernobilin” “nuk shkruan asgjë që nuk e dimë”.
Sigurisht, ekzistojnë me dhjetëra e qindra reportazhe: por Aleksievich nuk ka treguar vetëm Afganistanin apo Çernobilin, ajo ka krijuar një Afganistan dhe një Çernobil me shumë dimensione, të kundërtat e atyre që edicionet e lajmeve kishin gjurmuar apo që kishin rrëfyer reportazhet. Ka treguar atë që qëndron brenda, sipër dhe afër fakteve, jo faktet, ato ia ka lënë kronistëve, apo atyre që rindërtojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Ka treguar vetveten dhe botën përmes atyre jetëve dhe atyre vdekjeve. Ka treguar atë që nuk ishte e dukshme por ekzistonte: ndjenjat e saj, stimujt e saj dhe supozimet e saj edhe pse në mungesë të provave të sigurta. Kjo kronikë nuk mund të bëhet, por është detyrë e letërsisë. T’i shtosh romanit realitetin, ta zbusesh ftohtësinë e kronikës, janë e vetmja rrugë që ekziston për të sjellë argumente “të ndjeshme” në vëmendjen e lexuesve.
Truman Capote shkruante: “Kam idenë të bëj një vepër të madhe dhe imponuese: duhet të jetë tamam si një roman, me ndryshimin e vetëm: çdo fjalë e tij duhet të jetë e vërtetë, nga fillimi deri në fund”. Për Capote-në sot do të ishte shumë më e vështirë të shkruante dhe të mbronte me gjakftohtësi. E kanë masakruar kur doli dhe sot do të kishin bërë edhe më keq, pasi mëkati kapital i manipulimit, (që nuk do të thotë flasifikim) të realitetit shihet si një cënim i fushës nga ata që bëjnë kronikën.
Tom Wolfe, teoricien i Gazetarisë së Re, pohonte se nuk mjafton të sjellësh fjalët e protagonistëve të tu (të vërtetë e jo të shpikur) por duhet ndërtuar konteksti në të cilin ata veprojnë dhe flasin. Dhe këtu hyn në lojë letërsia.
Po ndoshta ekziston një arsye politike për të cilën letërsia jo fiction konsiderohet një lloj shtrese e ulët dhe është kjo: t’ia besosh rrëfimin e botës vetëm punës së kronikanëve, apo matjes përmes lajmit, do të thotë ta thyesh, ta izolosh e në njëfarë mënyre t’i shtosh përmasat negative.
Përballimi nga ana tjetër i të njëjtit rrëfim me metodën narrative, do të thotë të krijosh një afresk shumë të kuptueshëm, të ndalësh konsumin e lajmeve dhe të nisësh nga tretja e mekanizmit, do të thotë të rikompozosh mozaikun dhe të flasësh për ato që lajmet nuk do të kishin folur kurrë, për ato që do të ishin të kuptueshme vetëm po të hapësh planin. Provoni të lexoni faqe nga Aleksievich për perëndimin e ideologjisë komuniste, për vetëvrasjet e atyre që besonin, e do të kuptoni se ato fjalë janë ngjitur në lokomotivën e letërsisë dhe kanë prekur pikën e duhur. Aleksievich merr përgjegjësinë për të ndërhyrë në realitet dhe nuk merret me riparimin e tij. E atëherë nuk kuptoj sesi në Itali, kur diskutohet për shkrimtarët e mëdhenj që jetojnë nuk flitet sidomos për Corrado Stajano.
Letërsia është Luftëra Politike, prova jo fiction e Goffredo Parise është superior ndaj shumë librave të tij fiction.
Letërsia e “Banditë e Krenarë” e Frano Cagnetta, u katalogua me shpejtësi si studim antropologjik. Letërsia e “Një popull milingonash” e Tommaso Fiore që duhet ta lexojëçdo 20-vjeçar në jug e në veri, letërsia e hetimit të vdekjes së Francesca Spada në “Mister napoletan” i Ermanno Rea,dhe provenciali i Giorgio Bocca.
Jam duke cituar libra që shpesh nuk përmenden kur diskutohet për letërsinë italiane, e megjithatë janë prurjet më të mira të dhjetëvjeçarëve të fundit. Letërsia është libri i fundit “Në anën tjetër të detit”, rrëfimi mes refugjatëve sirianë.
Si mund të mos konsiderohen letërsi “Dispacci” të Michael Herr apo librat e Kapuscinsky, që sistematikisht është akuzuar kur ishte gjallë e pas vdekjes, se ishte duhe shpikur, ai që konsiderohej një reporter e kështu duhet të demostronte të vërtetën e tij.
Letërsia është libri më i bukur që është shkruar ndonjëherë për urinë në botë “Uria e Caparros”. Të gjithë shkrimtarët që kam cituar, përpara dhënies së këtij Nobeli, kanë bashkëjetuar me fantazmën e mosbesimit dhe të gjitha teoritë e tyre për romanin jo fiction apo edhe gazetarinë e re u perceptuan si justifikime apo ekstravaganca artistike.
Kjo ka ndodhur madje, edhe me babain e të gjithë shkrimtarëve jo fiction, Rodolfo Walsh që tregoi në vitin 1957 me teknika letrare në “Operacioni Masakra” një episod të panjohur dhe shumë të dhunshëm të represionit ushtarak në Argjentinë.
Denoncimi i tij shpërtheu në botë pikërisht për stilin me të cilin zgjodhi të përballet me temën. Edhe në kinema ka ndodhur e njëjta gjë. Regjisorët si Vittorio De Seta dhe Francesco Rosi janë akuzuar gjithnjë në heshtje se “manipulojnë” të vërtetën.
Të dashur dhe të vlerësuar në pikëpamjen artistike, por që u druheshin dhe që u ndalën kur punët e tyre ndërhynin në debatin politik.
Rasti Mattei sot do të kishte shkaktuar grindje e akuza për mosbesnikëri, e ndërkohë është ndoshta kryevepra që më shumë se çfarëdo tjetër, rrëfen atë që Italia mund të ishte pas luftës por që nuk u bë kurrë. Këtë radhë, Nobeli ishte kurajoz dhe vlerësoi një person që përcaktohet si mendimtare, gazetare apo edhe reportere, ndërsa gjithnjë ka qenë një shkrimtare.
Shpresoj të realizohet profecia e Gourevitch, që një vit më parë në New Yorker kishte shkruar: “Sapo të jetë rrëzuar pengesa për Nobelin që i jepet letërsisë jo fiction, do të duket absurde madje, që kjo pengesë ka ekzistuar”. /tesheshi.com/
Përktheu: Juli Prifti