Bisedoni një herë me një shqiptar dhe ka shumë të ngjarë që ai t’ju tregojë se populli i tij është më i lashti. Bisedoni një herë me një shqiptar nga Kosova dhe është e sigurt se ai do t’ju tregojë që populli i tij është më i lashti në Europë dhe se, që nga fillimi i historisë së botës, nuk ka lëvizur fare nga toka e vet.
Ç’është atëherë kjo lashtësi? Populli shqiptar, a është i lashtë? Pse jo. Populli grek, a është i lashtë? Sigurisht. Po bullgarët, italianët, gjermanët, turqit, rusët, kinezët? Po ç’është atëherë një popull i ri? Në fund del një absurditet, një krijim i homo balcanus-it gjithmonë në konkurrencë me fqinjët. Unë nuk dua të prek sensibilitete të Ballkanit, por kam përshtypjen të mos përdorim fjalën lashtësi, po t’i kthehemi të dhënave gjuhësore dhe dokumentare.
Është fakt se nuk ka asnjë të dhënë historike ose arkeologjike të qartë, që tregon se shqiptarët erdhën nga një vend tjetër. Kështu, ka shumë të ngjarë që shqiptarët gjithmonë të kenë jetuar në pjesën Jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, ku gjinden edhe sot. Por problemi, në fund të fundit, nuk është se “ku ishin shqiptarët”?, por “kush ishin”? Kjo çështje e shumëdiskutuar, d.m.th. prejardhja e popullit shqiptar, është jashtëzakonisht interesante, por përfundimisht nuk do të sqarohet kurrë.
Nuk kam për qëllim trajtimin, edhe një herë, të teorive të ndryshme mbi gjenezën e popullit shqiptar. Vetëm një tendencë të përgjithshme desha të theksoj. Gjatë historisë shqiptarët kanë qenë gjithmonë eklektikë, d.m.th. ata kanë pasur një qëndrim të hapur ndaj botës. Kanë ditur të marrin, të asimilojnë dhe të përshtasin elemente të shumtë. Ky qëndrim i hapur shihet më mirë në gjuhën shqipe, e cila është një përzierje e habitshme elementesh. Zor të gjesh një fjalë shqipe pa ndikim të huaj.
Ne dimë kush është shqiptari sot. Është anëtar i një komuniteti gjuhësor me një identitet të qartë dhe të theksuar. Mirëpo, kush ishte shqiptari para një mijë vjetëve ose para dy mijë vjetëve? Kjo është më e vështirë. Le t’i kthehemi fakteve konkrete. Në çfarë periudhe dolën shqiptarët në skenë nga mjegulla e historisë për t’u shfaqur si komunitet gjuhësor?
Në bazë të të dhënave që kemi, shqiptarët hynë në skenën e historisë së shkruar pasklasike në gjysmën e dytë të shekullit të njëmbëdhjetë dhe vetëm në këtë shekull mund të flasim me siguri mbi një popull shqiptar ashtu siç e njohim sot. Në historinë e tij të shkruar në vitet 1079-1080, historiani bizantin Mihal Ataliates (Michael Attaleiates) flet për Albanoi si pjesëmarrësit e një kryengritjeje kundër Kostantinopolit në vitin 1043 si dhe për Arbanitai si një popull i princit të Durrësit. Gjithashtu, rreth vitit 1081, Jan Skilica (Joannes Skylitzes) një historian tjetër bizantin, flet për Arbanites si ushtarë në trupat e mbledhura në Durrës nga Nikeforos Basilakios. Me përjashtim të veprës së gjeografit Ptolemeus nga periudha romake, këto janë rastet e para të përdorimit të shkruar të fjalës Aban-, Arban– çka tregon se populli shqiptar fillon të marrë nj fizionomi dhe një identitet edhe për popuj të tjerë.
Ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet për herë të parë në fund të shekullit të trembëdhjetë dhe bë fillim të shekullit të katërmbëdhjetë. Bile, brenda këtyre viteve, 1285 deri në 1332, ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet katër herë.
Rasti më i hershëm, i vitit 1285, i takon jo Shqipërisë vetë, por krahinës së Dubrovnikut ose të Raguzës, ku jetonin mjaft shqiptarë. Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro de Volcio nga Belena, një farë Matheus, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte, siç duket, një dëshmitar i krimit, raportoi kështu latinisht: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën albaneske).
Rastin e dytë, njëzet e tre vjet më vonë, e gjejmë në një përshkim të Shqipërisë në një vepër anonime të quajtur Anonymi Descripto Europea Orientalis (Përshkrim Anonim e Europës Lindore). Kjo vepër mesjetare latine e vitit 1308 trajton vendet dhe viset e Europës Lindore, veçanërisht vendet e Gadishullit Ballkanik. Mendohet se autori ishte një prift frëng i urdhrit dominikan, i cili u dërgua nga kisha në Serbi. Teksti i Anonymi Descripto Europea Orientalis ekziston në disa dorëshkrime, si për shembull Ms. Lat 5515 dhe Ms. Lat 14693 në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, Ms 263 në Bibliotekën e qytetit Poatie (Poitiers) në Francë dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Laiden-it të Holandës. Përshkrimi Anonim ka kapituj mbi viset e ndryshme të Greqisë bizantine, mbi Rashën, Bullgarinë, Ruteninë, Hungarinë, Poloninë, Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, një përshkrim të rrallë të këtij vendi dhe të këtij populli në shekullin e katërmbëdhjetë. Në tekst thuhet se Shqipëria ka “banorë me të vërtetë luftëtarë, të cilët janë harkëtarë dhe ushtarë të shkëlqyeshëm… të cilët nuk kanë qytete, kampe, fortifikime ose ferma, por jetojnë në çadra dhe janë gjithmonë në lëvizje nga një vend në tjetrin”. Kapitulli mbi Shqipërinë mbaron duke theksuar edhe këtu ekzistencën e gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prelati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e lartpërmendur kanë jnë gjuhë të veçantë nga gjuha e latinëve, grekëve dhe sllavëve , kështu që nuk mund të komunikojnë fare me kombe të tjerë).
Rasti i tretë, ku gjuha shqipe përmendet gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë në udhëtimin për në Tokën e Shenjtë në vitin 1322. Shkrimet e shtegtarëve në rrugën për Tokën e Shenjtë përbëjnë një burim kryesor informacioni mbi vendet e Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë angloirlandezë me emrat Symeon Semeonis dhe Hugo Iluminator, që mund t’i quajmë shqip Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori, kaluan në Shqipëri në vitin 1322 dhe Simoni shkroi përshtypjet e tij në një lloj udhëpërshkrimi. Kjo vepër na jep një përshkrim mjaft të vlefshëm të bregdetit shqiptar në shekullin e katërmbëdhjetë. Simon Simoni, një murg i urdhrit françeskan u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 me shokun e tij Hugo Iluminator. Ata kaluan në Londër, Kanëbëri, Dovër, Visant, Paris, Bon, Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobbio, Piaçencë, Parmë, MAntova, Veronë, Vinçncë deri në Venedik. Nga Venediku udhëtuan me një anije tregtare për në Tokën e Shenjtë duke qëndruar gjatë rrugës në Pulë, Zadar, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të arrijë në Aleksandri. Vepra e Simonit, e njohur si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Rruga e Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë) ruhet në Bibliotekën e Kolegjit Corpus Christi në Kembrixh të Anglisë. Duke udhëtuar në bregdetin shqiptar, Simoni shënoi ndër të tjera: “Albanya est provinca inter Sclavoniam et Ramanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një krahinë mes Sllavonisë dhe Romanisë, e cila ka një gjuhë të vetën). Për qytetin e Durrësit vazhdon kështu: “Inhabitatur enim Latinis, Grecis, Judeis prefidis, et barbanis Albanesibus” (Banohet kështu nga latinët, grekët, çifutët e pabesë dhe barbarët shqiptarë). Në trajtimin e qytetit të Dubrovnikut flet edhe për gjuhën e këtyre barbarëve, duke thënë: “In eadem dominatur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu et lingua Latinis in omnibus difformest” (Në këtë [qytet] mbretërojnë venedikasit dhe qarkullojnë këtu edhe sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë skismatikë, të cilët ndryshojnë krejt nga latinët në zakonet, veshjet dhe gjuhën e tyre).
Rastin e katërt ku përmendet ekzistenca e gjuhës shqipe e kemi në vitin 1332 në veprën e një murgu frëng të urdhrit dominikan me emrin Brokard (Lat. Brocardus monacus). Në traktatin e tij latin të quajtur Directorium ad passagiumfaciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), Brokardi shënon fjalinë tashmë të njohur në letërsinë shqipe: “Licet Albaneses aliam omnio linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithatë, përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre). Kjo fjali u interpretua nga shkencëtarët shqiptarë si një dëshmi për ekzistencën e librave në gjuhën shqipe, por ka më shumë të ngjarë se Brokardi e kishte fjalën ëpr gjuhën latine të përdorur në Shqipëri.
Çfarë rëndësie u jepet këtyre katër rasteve, që u shënuan brenda një periudhe prej dyzet e shtatë vjetësh (1285-1332)? Ata tregojnë me qartësi se në atë kohë, për herë të parë, shqiptarët kanë dalë përfundimisht në skenë si komb me një gjuhë dhe zakonet e veta. Çfarë kishte ndodhur?
Që nga mbërritja e sllavëve në jug të Gadishullit Ballkanik, dhe në Shqipëri deri në pushtimin turk në shekullin e pesëmbëdhjetë, shqiptarët jetuan në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me fqinjët sllavë. Mund të flitet bile dhe për një simbiozë apo bashkëjetesë sllavo-shqiptare në shumë krahina të Shqipërisë.
Gjatë kohës së kësaj bashkëjetese, fiset nomade shqiptare po asimiloheshin nga sllavët. Një pjesë e popullsisë shqiptare qe asimiluar krejtësisht dhe një pjesë tjetër u tërhoq dalë ngadalë në tokën e mirëfilltë shqiptare, në malësi. Në Mesjetë nuk kishte shumë banorë shqiptarë nëpër qytetet e bregdetit shqiptar. Banorët e Durrësit ishin kryesisht venedikas, grekë, çifutë dhe sllavë. Në Shkodër banonin venedikas dhe sllavë, kurse në Vlorë grekët bizantinë. Ashtu si indianët në Amerikën Veriore pas kolonizimit evropian, popullata shqiptare qe mënjanuar në vendin e vet.
Në fund të shekullit të dhjetë, Perandoria e Madhe Bullgare u pushtua nga grekët e Bizantit duke u dhënë fiseve shqiptare, po ta quajmë kështu, një mundësi për të zgjeruar tokën. Gjatë shekujve njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë shqiptarët filluan të lëviznin nga malësia, duke zënë vend në fushën bregdetare të Shqipërisë Veriore dhe të Mesme. Në këtë periudhë u themelua shteti i parë shqiptar Arbanon, i cili pati jetë prej vitit 1190 deri në vitin 1216. Deri në shekullin e trembëdhjetë shqiptarët u konsoliduan si komb dhe u zgjeruan dalë ngadalë në drejtim të jugut duke marrë Shqipërinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore. Me kohë zunë vend edhe në të gjithë Greqinë. Me këtë zgjerim tokësor dhe këtë konsolidim kuptohet që në këtë periudhë shqiptarët nuk ishin më barbarë nomadë të rrallë, të cilët bridhnin në luginat e largëta të malësisë, por kishin filluar të bëheshin të dukshëm si komb për popujt e tjerë.
Në periudhën 1285-1332, siç e pamë, gjuha shqipe për herë të parë u bë një dukuri për shkrimtarët e huaj që kishin kontakt me pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në shekullin e pesëmbëdhjetë dolën dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe: 1405, 1462, 1483, 1497 dhe kështu, pas shumë shekujve në errësirë, kultura dhe letërsia shqipe filluan më në fund të lulëzojnë. Ironia e fatit për ne është se hapi i parë i daljes në skenë të gjuhës shqipe lidhet me një vjedhje. Sa material i bukur për një humorist!
Marrë nga: Përpjekja nr. 6
Përgatiti për publikim: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/