A ka turizëm hallall? Për ne që jemi vendalinj është pak e vështirë ta kuptosh turizmin dhe për më tepër turizmin hallall aty ku banon…
Para pak ditësh mora vesh nga një turist që lëviz brenda vendit, se në një nga pikat mu në qendër të Tiranës shiteshin edhe hamburgera me mish qeni (kjo si përmbushje ndaj nevojave të turistëve kinezë, por që vetë pronarët e këtij restoranti nuk i bënin fort reklamë për arsye që vetë kuptohen). Unë si vendali lind e rritur në Tiranë me thënë të drejtën u pataksa, se mu kujtuan ata qentë e zhdukur te zona e Medresesë pasi zbarkuan familjet e para kineze në atë zonë dhe filluan të merreshin me tregti. Mirëpo vllau jem prishtinali për nevojat e veta të hallallit ju desh të përballej me këtë fakt dhe unë i tregova atij më pas disa vende pranë xhamisë Dine Hoxha, ku mund të hahet hallall si dhe brenda Pazarit të Ri.
Prej vitesh unë vetë kam dhënë një kontribut modest për logon hallall në Shqipëri dhe i di mungesat dhe disavantazhet tona në këtë drejtim. Mund të vërej me kompetencë, se ne nuk kemi hapësirat e mundshme për ta bërë realitet një hapësirë hallall edhe në kuptimin e fjalës të ushqimit dhe të vendeve, ku mund të shpenzosh kohën në mënyrë hallall.
Një nga vështirësitë që turizmi prej kohësh i has këtu në Tiranë është, se nuk ka një guidë hallalli, ku këtu të hyjnë edhe vendndodhjet e xhamive. Ka pasur dikur një iniciativë të tillë, por që nuk u çua deri në fund. Flitet për xhaminë e Et’hem beut, por nuk ka një shenjë për xhaminë e Sulejman pashës, xhamisë që themeloi Tiranën. Është e nevojshme të prodhohen fletëpalosje me historikun e xhamisë së Et’hem beut, Islamit dhe ndonjë çështje tjetër për turistët e huaj dhe jomuslimanë. Njerëzit nga vendet muslimane që vizitojnë Tiranën hasin nga vështirësitë më të ndryshme dhe ndër to mezi i gjejnë xhamitë për t’u falur.
Mos të harrojmë që kemi nevojë edhe për një plazh, ku të rrijmë të qetë dhe të shijojmë natyrën, që na e ka falur Zoti i Madh, dhe jo të rrimë ngjitur me shezllonet e plazhit me çdolloj njeriu. Plazhe që i respektojnë disa norma, sidomos për gratë. Dikush mund të listojë edhe gjëra të tjera, që kanë të bëjnë me turizmin, dhe atë që kërkon të gjejë rehat në vende të ndryshme të Shqipërisë, apo edhe të Ballkanit.
Kafene apo edhe çajtore në kuptimin klasik të fjalës vështirë se i gjen në Tiranë, dhe kudo me ndonjë përjashtim, sepse alkooli është i pranishëm gjerësisht nëpër këto vende. Pra, edhe ëmbëltoret sot i gjen që kanë pa përjashtim alkool në shërbimet e tyre dhe ti nuk mund të gjesh një kafene alcool free, ashtu si mund të gjesh birra me zero alkool në lokalet ku shitet alkooli.
Prandaj turizmi hallall merr një kuptim shumë të gjerë jo vetëm pse ka alkool apo mish derri e qeni, por edhe për hapësirën ku veprohet dhe tregtohet, e cila ka nevojë më shumë për njerëz, që e kanë hallallin pjesë të jetës së tyre. Do të doja të përmendja këtu, se nuk është e nevojshme për atë “auto lavazhin hallall”, i cili është edhe një shembull i kotësisë njerëzore.
Por na duhet një autoritet, i cili ta kontrollojë dhe ta vendosi zyrtarisht logon hallall në të gjithë ato lloje biznesesh, e sidomos të ushqimit social, ku ne si muslimanë kemi nevojë ta shohim dhe ta perceprojmë sigurinë tonë individuale dhe familjare. Ja pse ka edhe turizëm hallall.