Rex Tillerson pjesërisht ishte një person që thoshte të vërteta. Në një takim të sigurisë kombëtare, ai pati thellimin e mprehtë dhe ndershmërinë ta quante Donald Trump një “hajvan” – me gjasa hajvan i llojit anglo-sakson. Megjithatë, ashtu si dhe shefi i tij, atij i mungonte ndërgjegjësimi për të ditur që e njëjta kritikë i përshtatej edhe atij vetë, si sekretari-hajvan i Shtetit.
Kishte plot shenja përgjatë rrugës, shumë prej të cilave u pikasën nga njeriu që ai e përçmoi hapur. Ishte një shef-hajvan që sfidoi sekretarin-hajvan të Shtetit në një garë të hapur për pushtet intelektual. “Mendoj se është lajm i rremë”, tha Trump për revistën “Forbes”, duke hedhur poshtë komentet për hajvanllëkun. “Por, nëse ai e ka thënë këtë, mendoj se duhet të krahasojmë testet e inteligjencës. Dhe mund të them që tani se kush do të fitojë”.
Por, Tillerson nuk pati zgjuarësinë që ta ngrinte fuqinë e tij analitike deri në arritjen e një përfundimi, duke ngritur një citadelë të mrekullueshme në departamentin e diplomacisë. Në vend të kundër-ballancimit të politikës së jashtme hajvane që dilte nga Shtëpia e Bardhë, ai çmontoi vetë stafin e tij dhe buxhetin për të.
Në të njëjtën kohë, ai u detyrua të duronte një fluks konstant përqeshjesh fëminore që vinte nga shefi i tij, i cili përdorte Tuiterin për t’i thënë atij dhe pjesës tjetër të botës se qasja ndaj Koresë së Veriut ishte totalisht e papërdorshme.
“I thashë Rex Tillerson, sekretarit tonë të mrekullueshëm të Shtetit, që po humbet kohë duke u përpjekur të negociojë me burrin e vogël raketë”, shkroi shefi i tij i mrekullueshëm në tetor. “Të qënit të sjellshëm me burrin e vogël raketë nuk ka funksionuar për 25 vjet, përse do funksiononte tani? Klintoni dështoi, Bushi dështoi, edhe Obama dështoi. Unë nuk do të dështoj”.
Përse do të duhet të funksionojë tani? Kjo është një pyetje e madhe që Tillerson duhet t’ia bëjë Trump-it nëse siguron një intervistë për largim nga puna. Apo ndoshta kjo është arsyeja e intervistës së tij të largimit.
Këto ndryshime të tensionuara opinionesh – tashmë të dyshimta nga vendimi i Trump për t’u ulur me Kim Jong-un –bënë që të nxirreshin në dritë edhe më shumë të vërteta për Tillerson dhe Trump, këtë herë nga Bob Corker, senatori republikan që kryeson komitetin e marrëdhënieve me jashtë.
“Nuk mund të tredhësh publikisht sekretarin tënd të Shtetit”, tha Corker për “Washington Post”, “pa minuar vetë diplomacinë tënde”. E gjitha kjo solli batuta për tredhjen, që mbahen mend si një periudhë e mjerë.
Në një vit në detyrë, Tillerson ra dakord për një shkurtim tronditës prej 31 për qind të buxhetit të tij, ndjekur edhe nga 29 për qind shkurtime një vit më pas. Këto buxhete do të krasisnin stafin dhe operacionet e departamentit, sikundër edhe ndihmën ndërkombëtare dhe më së shumti, u injoruan nga Kongresi.
Tillerson nuk i kishte shumë problem shkurtimet. Në fakt, ai i racionalizoi ato duke thënë se nuk do kishte nevojë për kaq shumë para pasi ishte shumë pranë zgjidhjes së problemeve të botës.
“Pjesë e uljes së këtyre numrave buxhetorë është reflektim i pritshmërisë që ne do të kemi sukses në disa prej zonave të konfliktit, duke i zgjidhur ato dhe duke u zhvendosur në vende të tjera në kuptimin e mbështetjes që duhet të japim”, tha ai në një konferencë shtypi.
Nëse kjo deklaratë nuk e kualifikon për statusin e hajvanit, çfarë mundet tjetër.
Tillerson mbërriti në detyrën e tij me të gjitha aftësitë ekzekutive që mund të priten nga një karrierë shumë e gjatë dhe triumfuese në krye të një prej koorporatave më të mëdha të botës: ExxonMobil, ku ai ishte shef ekzekutiv për një dekadë.
Trishtueshëm, këto cilësi nuk përfshinin aftësinë për të mbajtur apo ndërtuar një staf të mirë në departamentin e shtetit, ku eksodi i përvojës dhe talentit ka qenë një prej shuplakave më të mëdha diplomatike.
Pozicioni i Tillerson ishte kaq i keq, saqë nxiti marrëveshje dypalëshe, tepër të rralla. Senatorët republikanë u bashkuan me ata demokratë ndërsa vunë në dukje se po dobësohej fuqia diplomatike e Amerikës.
E megjithatë, Tillersoni fatkeq e i pashpresë ndonjëherë mund të thoshte të vërteten për shefin e tij akoma edhe më shumë fatkeq e të pashpresë. Irani dhe bisedimet me Korenë e Veriut. Madje, ai nuk ra dakord edhe për Rusinë, duke thënë se sulmi me agjent nervor në Britani ishte vepër e Moskës, edhe kur Shtëpia e Bardhë refuzoi ta përfshinte Moskën në këtë punë.
Pasardhësi i tij, Mike Pompeo, ka qenë më i zëshëm në dënimin për ndërhyrjen ruse, por si drejtor i CIA-s, ai nuk ka bërë të qartë se çfarë ka bërë për ta ndalur atë.
Po nga vinte besimi dhe kokëfortësia e Tillerson, nëse jo nga kompetenca në kryerjen e detyrës? Ndoshta edhe të vërtetat e tij të pjesshme ishin rezultat i sigurisë së skajshme financiare. Është pak më e lehtë të dalësh kundër shefit kur merr 180 milionë dollarë paketë pensionimi përpara se të hysh në administratë.
Pra, lamtumirë, Rex. Vetëm pak Reksa që janë bërë të njohur, ka pasur në kohën tonë. Ishte i jashtëzakonshmi Rex Harrison, aktori që e hapi rrugën e tij me shumë shfaqje të mëdha muzikore. Pati disa Rex Hunts, një ish-guvernator i ishujve Falklands e një tjetër futbollist australian.
Tillerson: ti bie në mesataren e kësaj liste. Ke qenë tragjik, por nuk je Edipi.
*Richard Wolffe është kolumnist për të përditshmen britanike “The Guardian”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/