Korrupsioni!
Nepotizmi!
Korrupsioni dhe nepotizmi!
Këshilli kombëtar kundër korrupsionit!
Agjencia kundër korrupsionit!
Java e luftës kundër korrupsionit!
Lufta kundër korrupsionit!
Siç po shihet, në Kosovë sot kemi:
Këshill kombëtar kundër korrupsionit.
Agjenci kundër korrupsionit.
Javë të luftës kundër korrupsionit.
Luftë kundër korrupsionit.
Por, nuk kemi as Këshill, as Agjenci, as Javë, as Luftë kundër nepotizmit, megjithëse nepotizmi është një përbërës i korrupsionit me pasoja të mëdha politike, administrative, shtetërore e morale në jetën shoqërore në Kosovë.
Në Këshillin kombëtar kundër korrupsionit dhe në Agjencinë kundër korrupsionit marrin pjesë, sigurisht të emëruar prej institucioneve të larta shtetërore, anëtarë të partive, për të cilët, pothuajse nuk dihet se si, në ç’mënyrë, me çka e luftojnë korrupsionin!
Në Javën kundër korrupsionit, përpos përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, marrin pjesë kur e kur edhe ambasadorë të huaj në Kosovë. Kështu, fjala vjen, në Javën e fundit të kësaj luftë kundër korrupsionit, mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delavi. Me këtë rast ai e tha edhe një fjalë shumë të rëndësishme: lufta kundër korrupsionit është me rëndësi shumë të madhe për Kosovën.
Në Luftën kundër korrupsionit, që s’është vetëm e Këshillit, as vetëm e Agjencisë, as vetëm e Javës, as vetëm mujore a vjetore, por “e përhershme”, thonë zyrtarët e Kosovës, por mosekzistuese, thonë qytetarët e Kosovës, marrin pjesë edhe disa përfaqësues të organizatave joqeveritare të Kosovës, edhe ndonjë intelektual, edhe ndonjë diplomat i huaj në Kosovë, por ndodh të marrë pjesë, ç’është e vërteta mjaft rrallë, edhe ndonjëri prej zyrtarëve të lartë të Kosovës. Kështu, fjala vjen, njëri prej tyre, që para disa ditësh mori pjesë në këtë luftën kundër korrupsionit, deklaroi se “lufta kundër korrupsionit është axhendë e jona e përditshme”, në të vërtetë axhendë e asnjëditshme e pushtetarëve, u përgjigj një gazetar zështerrur!
Por çka është edhe më e rëndësishme për Kosovën, në këtë Luftë të përhershme kundër korrupsionit në Kosovë, në të cilën përmblidhen edhe lufta e Këshillit, edhe lufta e Agjencisë, edhe lufta e Javës, edhe lufta mujore e edhe lufta vjetore kundër korrupsionit në Kosovë, marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Dhe, marrin pjesë në këtë luftë kundër korrupsionit në Kosovë me mendime më pak a më shumë të ndryshme. Kështu, fjala vjen, njëri prej tyre korrupsionin në Kosovë e ka quajtur korrupsion pandemik; një tjetër e ka quajtur kancer politik e shtetëror, kurse një i tretë, shumë kohë para këtyre të dyve, e ka quajtur tradhti ndaj popullit.
Dhe, me gjithë luftën e Këshillit kosovar për luftën kundër korrupsionit, dhe me gjithë luftën e Agjencisë kosovare kundër korrupsionit, dhe me gjithë luftën e Javës kosovare kundër korrupsionit, dhe me gjithë këtë luftë të “përditshme” të Luftës kundër korrupsionit, dhe me gjithë pjesëmarrjen në këtë Luftë heroike kundër korrupsionit të një vargu përfaqësuesish të organizatave joqeveritare, të një vargu njerëzish politikë, të disa zyrtarëve të parë politikë e shtetërorë, të disa diplomatëve të huaj në Kosovë dhe, më në fund, të disa autoriteteve të larta të Bashkimit Evropian, korrupsioni në Kosovë vazhdon të lulëzojë, vazhdon të jetë herë epidemik e herë pandemik, vazhdon të shtrihet gjerë, të depërtojë thellë e të ngrihet lart, deri në lartësitë më të mëdha politike e shtetërore të Kosovës!
Pse? Pse? Pse?
Pse kjo luftë kundër korrupsionit në Kosovë është kështu e pafryte, e parezultate, e kotë? E mjerë?
E para, sepse është luftë e rrejshme, demagogjike, mashtruese ndaj popullit!
E dyta, sepse është luftë me iluzione përfituese retorike e patetike atdhetare e të pushtetshmëve dhe e të papushtetshmëve!
E treta, sepse është luftë në thelbin e saj e sabotuar prej të gjithëpushtetshmëve dhe e të gjithëfuqishmëve të Kosovës dhe është e sabotuar prej tyre, sepse ata janë të frikësuar se po të bëhej kjo luftë kundër korrupsionit kur duhet, ku duhet, si duhet e me çka duhet ata do të mund të ishin shpallur të kryekorruptuarit e Kosovës.
E katërta, sepse është luftë në thelb e politizuar, sa për sy e faqe, e autoriteteve të Bashkimit Evropian. Po të mos ishte e tillë, po të mos ishte e politizuar, po të mos ishte e disafytyrshme sjellja e tij, EULEX-i nuk do të pësonte disfatë pothuaj komprometuese në Kosovë! Po të mos ishte kështu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Rori Okonell, betejën e tij disamujore kundër të keqes së madhe të quajtur nepotizëm nuk do ta heshtte përnjëherë dhe tani të shihet aq shpesh në shoqëri e në gosti me politikanët, përfituesit dhe zbatuesit e shquar të nepotizmit në Kosovë!
Autoritetet e Bashkimit Evropian, po deshën ta luftojnë sinqerisht, po deshën ta luftojnë vendosmërisht korrupsionin (dhe nepotizmin) në Kosovë, nuk e kanë aspak të vështirë: do të duhej të bëjnë në këtë luftë çka bëjnë në vendet e tyre. Ata e dinë mirë se korrupsioni (e nepotizmi) nuk parandalohen, nuk pakësohen, nuk çrrënjosen duke burgosur për korrupsion pylltarë, infermierë, kamerierë, mësues në fshatra e qyteza, korrierë partiakë e shkollorë, analfabetë e çerekintelektualë të profesioneve të ndryshme, po duke luftuar më së pari korrupsionin e të gjithëpushtetshmëve e të gjithëfuqishmëve, sot 30,40 apo 50 herë më të pasur se ditën kur janë ulur në postet politike, të cilët me pasuritë ë tyre e të familjarëve të tyre, me sjelljet e tyre e me disa “ligje” të tyre, në të vërtetë e kanë legalizuar korrupsionin dhe të cilët tashmë kapardisen si sundimtarë të sulltanizuar, që Kosovën e trajtojnë shtet të tyre privat!
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Zonja Natali Apostollova, fjala e së cilës tingëllon e sinqertë, e bindshme dhe përshtypjebërëse, nuk ka nevojë të harxhojë shumë fjalë për korrupsionin këtu në Kosovë: Ajo do të duhej të përpiqej që në Bruksel të krijohet vetëdija e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian se për të pakësuar, për të parandaluar, për të çrrënjosur një ditë korrupsionin në Kosovë duhet të bëhet ajo që është bërë në shtetin e saj – në Bullgari: e para, duhet të miratohet Ligji për prejardhjen e pasurive të zyrtarëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj”, në Kosovë, duke filluar prej kryetarit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit e të “peshqve të tjerë të mëdhenj e të mesëm” pas tyre; e dyta, duhet të caktohet prokuror i veçantë, pra i veçantë e jo rrogëtar i kryetarit e kryeministrit, i cili do të merrej me hetimin, prejardhjen, grumbullimin e atyre pasurive; dhe, e treta, duhet të nxirret gjyqësori kosovar prej thonjve të kryepronarëve sulltanorë të shtetit të Kosovës!
Ç’është e vërteta Kosova ka Këshill kombëtar për luftë kundër korrupsionit, Agjenci kombëtare kundër korrupsionit, Javë të luftës kundër korrupsionit, prokuror për luftë kundër korrupsionit e shumëçka tjetër që ka të bëjë me korrupsionin, por pushteti në Kosovë sot shumë më shumë se luftë kundër korrupsionit ka gënjeshtra, mashtrime, dallavere, falsifikime, trillime, sabotime vrazhdësi, kërcënime, dhunë, zhvatje, reket, privilegje, derdhje të financave shtetërore, shantazhime që e asgjësojnë atë luftë kundër korrupsionit. Për të gjitha këto arsye Kosova ka nevojë për një prokuror të veçantë, të pavarur, me integritet të veçantë politik, profesional, moral, që puthadorësit e puthakëmbësit e të gjithë të pushtetshmëve siç është prokurorja e lavdishme rumune, Laura Kovesi, e cila me vendosmërinë e saj të pamposhtshme ka arritur t’i nxjerrë para gjykatave të kryekorruptuarit e Rumanisë dhe t’i mbushë burgjet me ta e me të korruptuar të tjerë si ata. Në sajë të veprimtarisë së saj si prokurore me përgjegjshmëri e përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj drejtësisë, demokracisë dhe popullit të cilit i takon, që brenda një viti, si shkruajnë mediet evropiane, i realizon deri në njëmijë hetime të zyrtarëve shtetërorë prej të cilëve 90 përqind përfundojnë në burgje, ajo është bërë gjerësisht e njohur dhe e çmuar në Evropë e në botë. Është lartëçmuar prej Kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, prej medieve të njohura si Nju Jork Tajms e Gardian dhe, më në fund, është çmuar edhe me dekoratën më të lartë të Francës: me Dekoratën e Nderit.
Vetëm ashtu, me ligj, dhe vetëm me ligj, me shtet të së drejtës dhe vetëm me shtet të së drejtës, mund të shërohet Kosova prej sëmundjes së rëndë të quajtur korrupsion (e nepotizëm), që cenon, shfytyron demokracinë tonë ende rurale, që pengon zhvillimin ekonomik, që vret shtetin social, që nxit dëshpërimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe vendit të vet, që nxit mosdurimin e arsyeshëm të qytetarëve ndaj strukturave politike, partiake e shtetërore, që nxit zhvendosjen sidomos të të rinjve prej Kosovës, që bëhet rëndesë, domethënë fuqi tërheqëse e krimit të organizuar, që e përshtrin dhe e përthellon krizën morale të shoqërisë e shtetit të Kosovës! Të gjitha këto pasoja të korrupsionit janë të mjafta që ai, korrupsioni, të quhet siç e ka quajtur ai evropiani i shumëpërvojshëm: tradhti ndaj popullit. /tesheshi.com/