Të ardhur nga një e kaluar shumë komplekse si pasojë e shtrydhjes shumëplanëshe që shqiptari pësoi nga e kaluara e tij e afërt, ndërtimi dhe ekspansioni deri në pore i hendekut social në Shqipërinë e pasluftës, ideologjizimi i ndarjes klasore, krahinore e kulturore i përtejskajshëm dhe i përtejbrezash në popullsinë e vendit tonë, zgavroi ndërgjegjen dhe moralin përmes rrafshimit shpirtëror e kulturor, formësuar nga deklasifikimi e destrukturimi i kultit religjioz.
Sterilizimi i ndjenjës së pronës, si një kod bazik në ADN-në e njeriut, përmes një kolektori gjigant të pronës shtetërore i cili thithte pronat private, dezinfektimi i ambientit dhe mendimit politik shqiptar nga opozita dhe opozitarizmi, krijimi i një makinerie të vetme propagande e mendimi, poqi në kallëpe standarte brumin e ri intelektual shqiptar. Njësimi i veprimit politik, social e kulturor të popullit me partinë-shtet, si dhe qindra hallka në miniaturë të cilat ndërtuan një psikologji krejt të kundërt me kriteret e një shoqërie të lirë dhe demokratike, sollën në vigjilje të ndryshimeve politike të viteve ’90, modelin e një shqiptari i cili kërkonte të mbahej në direkun e anijes së vet pa vela, përballë furtunës së re të demokracisë dhe kapializmit shqiptar.
Dy blloqe politike të përfaqësuara nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike si afilacione politike por që mbartnin në vetvehte jo vetëm kundërshti të karakterit politiko-programor, por, për shkak të së shkuarës edhe kundërshti shpesh konceptuale dhe shtresore, u konvertuan në institucione rehabilitimi, punësimi, tregëtimi, tenderimi, pasurimi, tarafllëku, homogjenizimi, politizimi ku secila ofronte bonuse për ata siç edhe kanë qejf ta quajnë “popullin e vet”.
Këta popuj, të majtë e të djathtë, brenda të njëjtit popull mëmë, atij shqiptar, politikisht as që nuk ia kishin idenë se çfarë përfaqësonte ndryshueshmëria programore e njërës apo tjetrës parti, bile, pothuaj asnjëri apo rrallëkush e kish kuptuar që e majta në pushtet kishte ndërtuar një sistem të djathtë trustesh, partneritetesh publike dhe private, korporata investimesh, dhe e djathta në pushtet po ndërmirrte reforma majtiste sociale e populiste financiare ku përfshihej edhe lufta kundër varfërisë, paga minimale etj.
Kësisoj, bindja, e vërteta, apo morali partiak, nga i cili ka zanafillën edhe aksioni politik, në shumicën e rasteve u dominua nga partitizmi dhe tifoja ndaj liderëve si baronë të kështjellave të parajsës së punësimit dhe ekonomisë.
Sa herë që vinte në pushtet njëri nga këta dy blloqe ku secili kishte mbledhur në një orbitë satelitare, partiza të të njëjtit identitet, kryente një revolucion në administratë, në të gjitha nivelet e buxhetorëve, në bizneset dhe fushën e tenderimeve, në liçensimet apo konçesionet e kudo duke favorizuar popullin e vet. Secili i punësuar apo ai që përfitonte nga bonuset e grupimeve në pushtet thërrmijëzohej në anëtarë familjeje e kështu me radhë, duke sjellë në pushtet një herë një popull pastaj duke sjellë në pushtet popullin tjetër. Kësisoj, u keqndërtua koncepti mbi demokracinë funksionale, e cila në shumë raste dilte nga binarët e ligjit dhe personalizohej sipas interesave të secilit popull të majtë apo djathë. Po kështu edhe “bindja partiake” trashëgohej tek brezi i ri si bonus i pushtetit ndaj baballarëve dhe familjes, duke verbuar analizën apo qëndrimin parimor.
Nuk u ngrit asnjëri popull si i majtë apo i djathtë kur cënoheshin parimet bazë programore të partive si pasojë e marrëveshjeve apo kulisave politike, ligjore e kushtetuese, as kur njëri popull tërhiqte popullin tjetër drejt aventurave ekonomike të pakontrolluara, të dyshimta dhe spekulative, sepse e vërteta dhe parimi është lideri, morali është lideri, dhe lufta është për liderin. Të ndodhur në kampet e veta, populli i djathtë dhe i majtë gjykojnë njëri-tjerin mbi të vërtetën e liderëve të tyre dhe ka humbur kapaciteti që mbi bazën e së vërtetës dhe parimit si thelb, të gjykohen liderët apo ngjarjet. E kur nuk lexohen ngjarjet, ata as që nuk përmirësohen dhe destabiliteti, dhuna fizike dhe ajo politike, thellojnë gjithmonë e më tepër pabarazinë dhe e bëjnë të pafund tranzicionin.
Në tranzicion të tranzicionit
Në Shqipërinë tonë të dashur e të shtrenjtë ku edhe parashikimet e motit polarizohen sipas bindjeve partiake, ku biznesi dhe prodhimi është ndarë në të majtë e të djathtë të cilët favorizohen apo persekutohen sa herë që rrota e pushtetit bën një gjysëm xhiroje, ku qeverisja lokale ndahet pothuajse gjithmonë mes kryebashkiakësh të majtë e këshillash bashkiakë të djathtë dhe anasjelltas, ku mediat e shkruara dhe televizionet kanë ndërtuar tashmë kështjellat e veta partiake nga ku argumenti i liderit të secilës përbën bosht programacioni, ku bota e spektaklit dhe e reality show ka nga dy programe argëtuese djathtas e majtas, ku ka Miss Shqipëria dhe Miss Albania, ku edhe TV show i së dielës është i dyzuar, arritja e një opinioni konsensual mbi çka ndodh në vendin tonë është një luks që mund t’ia lejosh vetes vetëm gjatë sezonit të plazhit.
Të gjithë këtë proçes tranzicional, e udhëheq kryesisht dhe veçanërisht politika, përmes një kalvari sfidues. Çështja është se si mundet të arrihet një tranzicion përmes një zhvendsojeje politike pa u politizuar në ekstrem?
Teza se tranzicioni i një shoqërie do të jetë më efektiv nëse ai lidhet me një aktivitet radikal politik është një tezë e dështuar sepse radikalizimi dhe ekstremizimi politik vetëm se e kthen tranzicionin nga një fenomen i përkohshëm në një fenomen të përhershëm, në një status-quo. Si e tillë pataj, kjo gjendje e anormalitetit të normalizuar kërkon përsëri një tranzicion më vete. Pra tranzicion të tranzicionit. A nuk është pikërisht kjo që po ndodh tek ne në Shqipëri ku tranzicioni është ktheyr në status-quo dhe ku tranzicioni ynë ka nevojë për tranzicion?
Është themelore që në shoqëritë postkomuniste të shkohet drejt shmangies së diferencimeve sociale që sistemet e vjetra trashëgojnë. Rimoralizimi i ekonomisë tek ne duhet bërë jo vetëm në terma tregëtarë dhe ligjorë sepse tashmë tek ne kjo është bërë, por duhet të bëhet rimoralizimi i shpërndarjes së ekonomisë duke garantuar akses të barabartë të dy kampeve të djathtë e të majtë në ndërtimin e prosperitetit shqiptar si dhe rimoralizim të konceptit mbi korrupsionin. Kjo, duhet bërë mbi të gjitha duke i dhënë përparësi barazisë përmes drejtësisë, identitetit kombëtar dhe mënyrës së jetesës së shqiptarëve.
Ajo që ka kohë që ndodh tek ne në Shqipëri, është pikërisht tentativa për të ndërtuar drejtësi sociale me anë të padrejtësive zgjedhore. Prandaj shoqëria jonë në thelb ka vuajtur dhe tranzicioni ka zgjatur në mënyrë të dhimbshme sepse ajo që shitej si drejtësi sociale përmes sistemit politik, në fakt ishte një padrejtësi e ndërtuar shpesh mbi elementë të rrejshmë zgjedhorë të cilët nga ana e tyre prodhuan institucione të lëkundura përsa i përket besueshmërisë, legjitimitetit dhe përcaktueshmërisë si vullnet popullor. Më ironikja e të gjithë historisë tonë të tranzicionit është fakti se padrejtësia sociale që u shpërfaq që nga ciklika zgjedhore e 1996-tës e cila vazhdoi për pothuaj dekada të tëra, u trajtua si amalgam shpirtëror i popujve politikë për të shëruar një popull politik nga rreziku i ardhjes në pushtet të popullit tjetër politik brenda së njëjtës Shqipëri të vogël. Për këtë arsye u hartuan kode zgjedhore me masa sigurie juridike të lartë, u ndërtua një infrastrukturë zgjedhore brenda një sistemi super të kyçur dhe një botë e pafund kodesh e kyçesh, u investua në sistemin e transmetimeve në kohë reale, pikërisht për të sulmuar direkt skepticizmin dhe mosbesueshmërinë që gëzonin partitë politike dhe popujt politikë respektivë ndaj njëri –tjetrit.
Ne, nuk po arrijmë të ndajmë luftën politike nga lufta për mbijetesë. Problemi i qeverisjes shqiptare nuk është problem thjesht politik, por është problem i përhershmërisë së të bërit të të njëjtit gabim. Kështu, situata e emergjencës politike i kaloi caqet e të arsyeshmes dhe tashmë është kthyer në një sistem. Mirëpo, kjo formë e ekzistencës së identiteve të dyfishta politike dhe kufinjve të dyfishtë të ndarjes morale, në fakt ka prodhuar në formë ciklike të këqija dhe tani pas tre dekadash jemi përsëri në të njëjtën situatë. /tesheshi.com/