Çështja që shtrohet është se a mundet një sistem politik si ky i yni, me këta politikanë që kemi, të mund të bëjë drejtësi në rastin “Tahiri” ?
Ngjarja aq e përfolur këto ditët e fundit, ku në përgjimet e bëra bisedave të pjestarëve të bandës së Habilajve, përmendej emri i ish-minisrit të Brendshëm, Saimir Tahiri (për të qenë korrekt me tekstin e përgjimeve, përmendet vetëm “Saimir” pa “Tahiri” nga pas), nuk është produkt apo vullnet i institucioneve shqiptare të luftës kundër krimit të organizuar apo trafiqeve. Ky përgjim, i cili sillet të paktën mediatikisht në cilësinë e provës, është një fakt i imponuar nga jashtë për të influencuar, modifikuar apo ndryshuar realitetet politike brenda Shqipërisë.
Kjo ngjarje, së pari tregon se ne nuk kemi mbërritur akoma tek stadi i pasjes vullnet apo dëshirë për të luftuar krimin dhe korrupsionin në këtë vend. Një vend si ky i yni, ku dy realitete pluskojnë njëkohësisht, njëri, ai zyrtar ku gjithçka shkon sipas ligjit, dhe i dyti, realiteti i asaj që të gjithë e njohim dhe bisedojnë, ai i korrupsionit të papreçedent të politikës sonë, u bashkuan në një pikë të vetme pikërisht nga prurja që erdhi nga jashtë kufinjve.
Së dyti, e gjithë makineria e shtetit shqiptar, pas ardhjes së përgjimeve, u vu në lëvizje për të shpërfaqur atë që ajo nuk e ka, ndershmërinë dhe seriozitetin. Tani, le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë sforcoje gjigande do të duhet të bëjnë njerëz që ndershmërinë dhe seriozitetin e kanë vetëm retorikë; sa mund e lodhje për t’u sjellur mediatikisht në mënyrë anormale pasi normalitet për ta është krejt e kundërta. E gjitha, për një betejë mediatike ndershmërie dhe serioziteti. Loja me fjalët me qëndrimet “parimore”, me gjoja “proçedurat” të cilat garantojnë të drejtat në këtë vend, teatraliteti me shtetin ligjor i cili aktivizohet me porosi në telefon, ngjashëm me “pizza taxi”, fjalim elokuent i Kryeministrit mbi drejtësinë e cila qëndron mbi Saimirin dhe një Saimir pa pushtet partiak që qëndron nën drejtësinë e kështu me radhë, janë përpjekje për të treguar anormalitetin dhe mundimin që establishmenti ynë ndërmerr sa herë që përpiqet “të zbatojë ligjin”
Pyetja se nëse kjo klasë politike a do të mund të bëjë drejtësi në rastin “Tahiri”, ngel e mekur pa përgjigje kur shikon se si një pjesë e opozitës në cilësinë edhe të “first lady”, gruaja e presidentit, del në foltore dhe tund flamurin e drejtësisë, duke harruar që “burri i opozitës” përpiqej me të njëjtin mund e sforco të “bënte drejtësi” duke përdorur edhe valixhen e “Baba Takut” si vazelinë e cila do të lubrifikonte ingrazhet e ndryshkura të institucioneve tona. Pyetje të tilla ngelin po ashtu pa përgjigje kur “aleanca e qelbësirave” për të rrëzuar Saliun në 2013-tën , zëvendësohet me “aleancën e tretësirave” (politike) në 2017-tën për një rend të ri moral në këtë shtet.
Dikush pat thënë se në Shqipëri, (duke iu referuar partive politike si banda ) është më mirë të kesh tre banda se sa vetëm dy të tilla, pasi ato do të mund të garantojnë, le të themi një farë “pluraliteti” apo kontrolli të ndërsjelltë të territoreve të pushtetit duke ndërtuar një soj ekuilibri në të keqe.
Kur e lexon këtë tezë, gjëja e parë që përjeton është përvoja e tipit –Ahaaa—sepse e kupton se këtu bëhet fjalë për një dorëzim total intelektual ndaj një të keqeje endemike e cila në praktikë mund të pushtojë çdo gjë por jo mendjen dhe zemrën e askujt. Faktet deri më tani, pak a shumë, e vërtetojnë idenë se partitë politike shqiptare (dikush më shumë e dikush më pak) janë një formë e sofistikuar e bandave, pasi janë veshur me pushtete të cilat më së shumti jo vetëm që përpiqen t’u japin legjitimitet poltik atyre, por edhe të ndërtojnë alibinë ligjore mbi ekzistencën dhe mbarëvajtjen pa probleme.
Për hir të së vërtetës, bandat, sado që të jenë, qoftë një apo edhe më shumë, në themel të tyre janë banda. Kërkimi i ekuilibrit tek bandat, kur mungon vetë ekuilibri i pushtetit politik, është pak problematik, sepse në ndryshim nga pluraliteti politik i cili është i dizenjuar të prodhojë dhe të mbrojë të drejta, pluraliteti banditesk prodhon vetëm shumëfishim të së keqes dhe bjerrje të të drejtave. Në një situatë të dëshpëruar ku pluraliteti politik është kapur peng pikërisht nga këto banda në pushtet, kërkimi i së drejtës duke u mbështetur tek pluraliteti banditesk është i destinuar të dështojë, për shkak të parimit se nga e keqja vështirë të prodhohet e mira sociale.
Tani, situata e rastit “Tahiri” ka ngelur peng i “zgjidhjes” nga partitë (bandat) politike dhe vullnetit të tyre të cilat akoma edhe sot nuk japin asnjë garanci për zbatim të drejtë dhe të paanshëm të drejtësisë në këtë vend nga institucionet përkatëse.
Në këtë situatë, hyn në punë loja me proçedurat për ta nxjerrë të larë atë që nuk mundte të jetë i larë. Mirëpo, ndershmëria nuk është proçedurë dhe as që nuk kuptohet përmes proçedurave, për të mos thënë që shumë proçedura janë hartuar pikërisht për t’i dhënë një sens invers gjërave, që shkelja të mund të çertifikohet si ndershmëri proçeduriale.
Për këtë arsye i gjen partitë politike tek ne që i tundin njëra-tjetrës rastet e “ndershmërive” proçeduriale apo vendimet e gjykatave si pastërti juridike, por vështirë të gjesh ndër to pastërti vërtet morale që nuk ka nevojë për proçedurë. Prandaj mund të shohim dhe do të shohim se si do të bëhet drejtësi proçeduriale me ish-ministrin e Brendshëm Tahiri, por asesi ndershmëri morale me të. Sigurisht që pastrimi i bandave nuk mund të vijë nga bandat, sepse ato kanë nevojë për njëra-tjetrën për të vegjetuar. Pastrimi as që duhet të vijë për proçedurë. Ai duhet së pari të ngulitet në vetëdijet tona si standart moral politik. Pa arritur këtë, ne përsëri do të endemi mes proçedurash që kërkojnë të shfaqen pafajshmërisht morale. /tesheshi.com/