Kohët e fundit me iniciativën e deputetes Majlinda Bregu, në Komisionin Parlamentar të Medias është paraqitur një projektligj i cili synon të ndalojë komentet fyese dhe denigruese në mediat on-line. Kjo sipërmarrje, pushtoi menjëherë hapësirën mediatike në Shqipëri duke nxitur një debat të madh mes asaj se sa cënohet liria e shprehjes dhe sa me këtë ligj politika shqiptare po lëviz drejt çensurës mediatike.
Ky është një debat i madh, i cili është zhvilluar prej kohësh në Perëndim dhe ka shkaktuar përqasje të botës akademike dhe universiteteve më të mëdha të botës për të përkufizuar përfundimisht kufirin ndarës mes dy të drejtave themelore sic janë e drejta për t’u shprehur i lirë dhe e drejta për të qenë i mbrojtur nga dëmet e kësaj lirie. Vënde të ndryshme e kanë trajtuar në forma të ndryshme çështjen dhe në fund të llogarive del se ajo që përcakton kufirin ndarës të tërë çështjes është koncepti që ka një vend i caktuar apo një shoqëri e caktuar për përgjegjshmërinë. Prej këtij përcaktimi pastaj, shihet se si ky vend zhvillon sjelljen publike e për pasojë se si e bën edhe ndarjen mes dobisë dhe dëmit që shkakton liria e shprehjes në raport me dinjitetin njerëzor. Shoqëria njerëzore është e krijuar e ndryshme në etni, raca, fe, ngjyra dhe të jetuarit bashkë është si të thuash sfida e kësaj ekzistence. Për ta mbajtur të gjallë shoqërinë njerëzore me gjithë diversitetin e vet, u pa se gjithpërfshirja është garancia më e madhe që ajo të vazhdojë të ekzistojë. Elementi garantues i kësaj ekzistence, përkarshi diversitetit të sojit njerëzor dhe nevojës për gjithpërfshirje të tij, është dinjiteti njerëzor dhe respektimi i këtij dinjiteti, i jep jetë ndjenjës së sigurisë publike e cila në të njëjtën kohë është një e mirë publike që garanton jetëgjatësi.
Tani, Jeremy Waldron i Universitetit të New York-ut, School of Law, një studiues eminent në fushën e së drejtës, në këndvështrimin e tij, sheh se gjuha e urrejtjes, ose siç rëndom quhet hate speech, e materializuar kudo edhe në mediat on-line përmes fyerjeve ndaj dinjitetit të njeriut, nuk bën gjë tjetër por si pararendëse e dhunës, minon rendin dinjitoz të shoqërisë si e mirë publike, i cili është i domosdoshëm për të ndërtuar ato që quhen, shoqëri të mirë-rregulluara dhe përmes shprehjeve të dukshme publike të urrejtjes dhe përjashtimit, prish thurjen sociale duke tensionuar marrëdhëniet e anëtarëve të shoqërisë. Një shoqëri e mirë-rregulluar është ajo shoqëri që dinjitetin njerëzor dhe mirëmbatjtjen e tij e konsideron si detyrë të vazhdueshme dhe të përhershme dhe e cila nuk lejon që gjuha e urrejtjes të adoptojë lirshmërinë e saj në sferën publike dhe për pasojë, në sajë të shpeshtësisë së saj, të kthehet nga moral i individëve të caktuar, në moral publik dhe politik dhe nga koncepti i të mirës publike të kthehet në rivalin e keq të saj, të kaosit dhe dhunës publike.
Duke u kthyer tek projektligji “Bregu”, besoj se është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për të çensuruar lirinë e shprehjes, sepse të kufizuarit e gjuhës së urrejtjes përmes mekanizmave të normimit ligjor, është një iniciativë e cila rezulton mëse normale për një sërë vendesh të zhvilluara siç janë Franca, Gjermania, Britania, Danimarka, Australia, Zelanda e Re etj. të cilat kanë hartuar një kuadër ligjor kundra hate speech. Në rastin konkret, nuk duhet të ngatërrojmë objektivat, sepse këtu kemi të bëjmë më shumë me keqpërdorimin e lirisë së shprehjes se sa me vetë këtë liri. Kemi të bëjmë me deformimin dhe anomalinë e saj përmes hate speech që në vetvete është kërcënimi dhe abuzimi më serioz me vetë lirinë e shprehjes si vlerë e shoqërive. Liria e shprehjes si një liri shumë e rëndësishme e korpusit të lirive themelore të njeriut, duhet parë në qënësinë e saj dhe jo si një liçensë publike për ta ekzekutuar tjetrin moralisht. Një shoqëri shihet se sa e avancuar është, duke parë shkallën e përgjegjshmërisë së lirisë. Ekuilibri i lirive është karakteristikë e shoqërive të përparuara për shkak se ata e konsiderojnë lirinë e shprehjes si bashkëudhëtare me përgjegjshmërinë.
Mendoj se i gjithë debati që zhvillohet për lirinë e shprehjes vjen nga një i kuptuar i cënuar i karakterit dhe filozofisë së vetë lirisë. Nuk mund të kuptojmë lirinë e shprehjes nëse nuk kuptojmë origjinën dhe thelbin e lirisë. Aq më tepër, nëse nuk kuptojmë që liria është një gjëndje e cila vjen si pasojë e daljes nga statusi i të qënurit i penguar. Pra, liria merr kuptim përmes kufizimit, pa qenë kufizimi liria nuk do të kishte kuptim dhe as që do të emërtohej si e tillë. Pra, e vetmja rrugë për të folur për lirinë në shoqëri, është përmes kufizimeve të saj dhe kufizimet e lirisë përfshihen në atë konsensusin e madh të kufizimeve pë të cilin njeriu ka rënë dakort në hapësirën publike. Një ekuilibër mes rendit e sigurisë publike dhe lirive individuale të secilit. E gjitha, përmblidhet në një shoqëri të ekuilibruar lirish ku në fakt duhet të marrësh leje për të qenë i lirë, leje për të ushtruar aktivitete sociale, biznesi, politike, për manifestime, leje për të ndërtuar, leje për të drejtuar automjetin, leje për të aktualizuar lirinë tënde. Nëse çdo liri merr kuptim përmes kufizimit, përse atëhere liria e shprehjes nuk duhet të marrë kuptim po përmes kufizimit të saj? Kufizim i cili duhet të shtrihet deri tek dinjiteti i tjetrit. Përse lirinë e shprehjes duhet ta kthejmë në një liri “të padisiplinueshme” në raport me liritë e tjera ?
Dallimi mes lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit me lirinë e shprehjes është kriteri i së vërtetës. Për sa kohë liria e shprehjes ndodhet në të vërtetën, pra e pasqyron atë, ajo është një liri e virtytshme, racionale, e domosdoshme dhe një e mirë publike që duhet mbrojtur me çdo kusht. Në momentin që ajo del nga e vërteta përmes shpifjes e ofendimit, e humb kriterin e të vërtetës së vet duke humbur vetë lirën e saj dhe përballet me kufizimin . Pra, ndodhet në situatën e dëshpëruar kur liria humb lirinë e saj të paktën moralisht. Këtu pastaj hyn në lojë shteti si garantues i ekuilibrit të lirive në shoqëri. John Gray, në librin e tij “The Nature and Source of the Law”, shpjegon se ekziston një strukturë trekëndore midis dëshirës për tu shprehur i lirë, dëshirës për të qenë i mbrojtur nga shprehja e lirë e të tjerëve, dhe shtetit si mbrojtës i të drejtave të të dy grupimeve të mësipërme. E gjithë kjo strukturë trekëndore – thotë Gray- shndërrohet në konflikt në momentin kur shteti mbron vetëm njërën palë dhe lë tjetrën të zbuluar, kur jep garanci ligjore vetëm për lirinë e shprehjes por jo për individët apo grupimet e dëmtuara nga abuzimi me këtë liri. Për këtë arsye, kuadri ligjor i cili kufizon abuzimin e lirisë së shprehjes përmes gjuhës së urrjetjes edhe në mediat on-line, nuk është gjë tjetër vetëm një detyrë e shtetit për të luajtur rolin e tij si ekulibrues midis të drejtave individuale dhe interesit e sigurisë publike.
Pastaj, nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që gjuha e urrejtjes, me gjithë derivatet e saj, ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë ajo shkakton dëm ndaj dinjitetit të personit apo grupimit të cilit i adresohet, dhe nga ana tjetër i shkakton dëm edhe shpifësit apo autorit të gjuhës së urrejtjes, ngase një njeri kur shpif, është një njeri më i keq seç ishte më parë. Parë në këtë këndvështrim, kufizimi i këtij abuzimi rezulton me dobi të dyanshme si për të dëmtuarin po ashtu edhe për dëmtuesin. Ne, nuk duhet kurrë të harrojmë se shpifja, poshtrimi, fyerja apo çfarëdo lloj gjuhe e kësaj natyre, nuk mund të prodhojë akte lirie. Liria nuk mundet kurrë të jetë produkt i poshtrimit. Gjithashtu, është gabim të mendohet se liria e shprehjes dhe demokracia duhet të merren herë pas here në provim dhe si tezë provimi duhet të jetë hate speech. Kjo ngjan me një eksperiment pervers i cili më shumë se sa të testojë lirinë e shprehjes në një vend, tregon për rënien e lirë të shoqërisë së atij vendi drejt humbjes së vlerave. /tesheshi.com/