Situata politike në Shqipëri ka mbi dy dekada që konfigurohet në raport me veten dhe në raport me zgjedhësit ekskluzivisht dhe posaçërisht vetëm përmes krizave të njëpasnjëshme, të cilat të paepura sendërtohen gati-gati në një rend kronologjik për t’u patur zili. Për të mos thënë që kriza, dhe shpeshherë skandali ( i cili në vetvete prodhon krizë), kanë qenë mënyrat e vetme për të formatuar dhe riformatuar pushtete në Shqipëri. Madje, kjo formë është kaq e përhapur, sa skandali ka riformatuar pushtete edhe të sferës ekonomike, akademike, e shpesh kulturore, tek ne. Pra, me pak fjalë, një shoqëri e mësuar të riformatohet përmes skandalesh të cilat prodhojnë në formë të vazhdueshme kriza e ka të pamundur të kuptojë, dhe, në fund, edhe të shijojë, atë që quhet stabilitet dhe njëtrajtshmëri e proceseve të veta politike.
E kemi përmendur disa herë përpjekjen e gjatë për të realizuar Reformën e fundit shqiptare në Drejtësi, e cila qëndronte mes presionit për reformë dhe rrezikut të rënies brenda ciklit të vjetër të gjysmëreformave që kishin gjithmonë nevojë të reformoheshin. Ndryshimi kësaj radhe qëndron në angazhimin e faktorit ndërkombëtar, i cili është më i vendosur se kurrë që reforma të mos transformohet në gjysmëreformë, por në një epokë të re në administrimin e drejtësisë shqiptare, nga ku pritet edhe çlirimi përfundimtar nga prangat e korrupsionit dhe të taksidarëve të drejtësisë.
Mirëpo mënyra se si kanë rrjedhur zhvillimet e procesit të Refomës në Drejtësi vitin e fundit nuk është se ka sjellë ndonjë ndryshim nga format e vjetra të të bërit reformë, pavarësisht investimit personal dhe institucional të faktorit ndërkombëtar, që kulmon me dy figurat më të rëndësishme, si ambasadori amerikan Lu dhe kreu i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorja Vlahudin. Gjuha e përfaqësuesve ndërkombëtarë sa vinte e bëhej më konkrete, reale, dhe bile edhe kërcënuese, ndërsa, nga ana tjetër, gjuha e përfaqësuesve shqiptarë të politikës sa vinte dhe anonte nga metafora dhe përhumbja e thelbit konkret të iniciativës së reformës. Pra, dy vektorë interesash ndiqnin kahje të kundërta, për faktin se kjo reformë do të sulmonte folenë e korrupsionit dhe të padrejtësisë në këtë vend, e cila lidhej me qindra fije me politikën dhe sferën e saj të influencës.
Jo vetëm kaq, por ekzistonte edhe një rrezik tjetër, që njëra nga palët politike në pushtet tek ne të përdorte sebepin e reformës për të akumuluar më shumë energji për eliminimin apo dobësimin e kundërshtarit politik. Pra, me këtë rast, politika shqiptare, në kufijtë maksimalë të pragmatizimit, mendoi ta shfrytëzonte këtë mundësi për të goditur politikisht dhe për ta shkatërruar fuqinë politike të kundërshtarit pikërisht përmes kleçkave që parashikonte Reforma në Drejtësi.
Kësaj atmosfere të luftës së “principatave” politike shqiptare duket se nuk i kanë shpëtuar përfaqësuesit ndërkombëtarë, gjuha e të cilëve sa erdhi dhe u rëndua, duke shënuar kulmin me deklaratën e ambasadorti amerikan Lu, e cila, në formën e një letre, tregonte hapur mosbesimin për klasën politike shqiptare, e sidomos për opozitën e përfaqësuar nga Partia Demokratike, Në këtë letër, ambasadori Lu u shmanget politikanëve, duke u bërë thirrje të rinjve dhe popullit t’i marrin në dorë fatet e tyre me sensibilizimin për këtë reformë kaq të rëndësishme. Pra, kemi një përpjekje për ta nxjerrë Reformën në Drejtësi nga duart e politikës drejt një ndjeshmërie popullore. Ardhja e zj. Nuland pak ditë më parë shënoi rikthimin e procesit në duart e politikës, duke defaktorizuar në një farë mënyrë metodologjinë e ndjekur deri më tani nga ambasadori Lu. Në këtë pikë u shtruan shumë pikëpyetje, të tipit: A është e koordinuar politika e jashtme amerikane në vetvete? A ishte vendim personal letra e ambasadorit Lu, apo ai kishte vepruar si përfaqësues direkt i presidentit të Shteteve të Bashkuara (ashtu siç edhe na është kujtuar shpesh nga ambasadorët amerikanë)? Apo politika e jashtme amerikane për Shqipërinë iu nështrua në një farë mënyre atij që quhet “inat shqiptari”? Një gjë është e sigurt, se tashmë ambasadori amerikan ka humbur shumë nga stofi i tij në raport me krerët e partive politike shqiptare. Propozimi i ri i zj. Nuland i ka dhënë zë më shumë opozitës, si dhe kryetarit z. Basha, duke e shpëtuar atë, le të themi, nga një shënjestrim i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, ardhur pak ditë më parë.
Duke parë se si po rrjedhin ngjarjet, një frikë e natyrshme i shoqëron të gjitha audiencat shqiptare në lidhje me këtë reformë. A mos ndoshta humbja e energjive pa fund në lojërat dhe rrugicat pa krye të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së pushteteve politike në Shqipëri do ta dëmtojë vetë thelbin e kësaj reforme? Për sa kohë kërkohet të bëhet një reformë kaq e rëndësishme brenda të njëjtës godinë të rrënuar dhe me të njëjtët njerëz të komprometuar, atëherë ka një frikë evidente që thelbi i reformës, i cili konsiston në pastrimin dhe kthimin e drejtësisë reale në këtë vend, të përfundojë në një lojë shahu politik, që për hir të stabilitetit në rajon të sakrifikojmë edhe kësaj radhe gjëra të rëndësishme të ndërtimit të shtetit të së drejtës në këtë Shqipërinë tonë. /tesheshi.com/