Një thënie e vjetër thotë se, sasia e të vërtetës në botë është gjithmonë e njëjta, e palëvizshme. Ajo që ndryshon në rritje të vazhdueshme është gjithmonë gënjeshtra.
Koha në të cilën jetojmë, është më shumë se kurrë e prirur për të pakësuar sasinë e palëvizshme të të vërtetës, sepse ajo për individin posmodern, nuk përfaqëson më nocionin e një standarti objektiv, sepse për të, nuk ka diçka absolute dhe e vërteta nuk është më sovrane.
Gjithçka është thjesht çështje interpretimi, dhe e vërteta e palëvizshme transformohet në një nocion relativ që shton gjithnjë e më tepër sasinë e gënjeshtrës. Për këtë, duhen promovuar ide, informacione si dhe sjellje irracionale që në formë instiktive e shtyjnë individin drejt humbjes së sensit të reales drejt besimit gati mitologjik, se sasia e të vertetës është thjesht çështje përceptimi. Kështu, na duhet të përdorim cilësimet dhe klasifikimet e kalçifikuara në vetëdijet tona, të instaluara si software të palëvizshëm, me anë të të cilit do të gjykojmë të jashtmen e cila është në dinamikë të pandërprerë.
E meqë e vërteta nuk është më e njëjta, nuk ëshë një nocion absolut dhe i palëvizshëm, atëherë edhe besimi në të kthehet në një çështje interpretimi, për me tepër, të kërkuarit e saj kthehet thjesht në një tentativë e cila flet me gjuhën e gënjeshtrës. Prandaj, një botë postmoderne në thelb të saj ëshë një botë e propagandës, sepse thelbi i kësaj marrëdhënie qëndron në prishjen e kufinjve ndarës të të vërtetës dhe gënjeshtrës, të realitetit dhe imagjinatës, të objektives me subjektiven.
Hapësira publike që na përshkon sot, mbushet me idenë se nuk ka rëndësi nëse informacioni është i vërtetë apo jo. Ajo që ka rëndësi, është se si paragjykimet, stereotipet apo mitet tona të kalçifikuara, të cilat manipulohen publikisht e vazhdimisht në mënyrë sistematike, të mund t’i transfomojmë mediatikisht nga paragjykime në argumente të logjikshme.
Që nga krijimi i “sferës publike” dhe me vazhdimin e kohës, ajo ka devijuar nga qëllimi primar i saj për të arritur konsensus publik përmes debateve të lira dhe të drejta. Ajo që ndodhi, është fragmentarizimi i kësaj sfere ne minisfera interesash kundërshtuese me njëra-tjetrën, shpesh edhe konfliktuese të cilat në vend të prodhimit të një konsensusi racional, prodhuan komprommise jo të qëndrueshme. Mainstream media, është padyshim ambasadorja e grupit sundues të një shoqërie, e cila përpiqet të bindë publikun se të vërtetat e këtij grupi janë të vërtetat e gjithë shoqërisë, se privatja e tyre është publikja e të gjithëve.
Një domethënie totalitare e demokracisë është përshkrimi më perfekt që mund t’i bëhej situatës së hipnozës që gjendet në shumë prej shoqërive tona sot. Historian Jakob Talmon e përdori këtë term në libri e tij “Origjina e Demokracisë Totalitare” për të treguar se përfaqësuesit politikë mund të zgjidhen saktë ligjërisht, por ama zgjedhësit e tyre pastaj, kanë pak ose aspak mundësi të bëhen pjesë e proçeseve të vendimarrjes, pikërisht për shkak të transformimit dhe keqpërdorimit të votës së tyre. Në raste të tilla lidhja mes një përfaqësimi të drejtë juridiksht dhe pasja e një elektorati fasadë, i cili nuk mund të ketë më fuqinë për të ndryshuar e përmirësuar gjërat, duhet të bëhet përmes një mekanizmi i cili edhe proçesin politik nuk e dëmton, pra i jep legjitimitet demokratik atij, por edhe masën e votuesve e mpin dhe e neutralizon. Ky mekanizëm i përdorur gjërsisht, është pikërisht propaganda.
Noam Chomsky, thotë në librin e tij: “Kontrolli Mediatik: Arritjet Spektakulare të Propagandës” se në rastet shteteve totalitare, gjëja bëhet e thjeshtë: mjafton të mbash një çekiç mbi kokat e njerëzve dhe nëse dikush del jashtë radhës, duhet t’ia përplasësh në kokë. Kurse në rastet e shoqërive më të lira dhe demokratike, ju nuk e keni këtë mundësi. Atëhere duhet t’i drejtohesh teknikave të propagandës. Pra thënë thjesht, propaganda në një demokraci është si “çekiçi mbi kokat e njerëzve” në shtetet totalitare. Në të dyja rastet, si në totalitarizëm, ashtu edhe në demokraci, justifikimi që përdoret është se e gjitha bëhet për të mirën e popullit të thjeshtë.
Populli i thjeshtë, të mirën e të cilit klasa politike me aq entuziazëm e kërkon, është një masë heterogjene përkatësisht dhe identitetesh të cilat variojnë nga forma se si ato janë shtresëzuar në shoqëritë përkatëse. Propaganda, e cila duhet pikërisht të punojë me “popullin e thjeshtë” duhet së pari të ndërtojë një opinion publik të unifikuar mbi këto përkatësi heterogjene, një opinion, siç Gjuro Shushnjiq në “Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë” e quante, “opinion artificial” i cili shkon drejt manipulimit të identiteve të cilat transformohen në identitete të manipuluara dhe identitetet e manipuluara në fund të fundit nuk janë gjë tjetër veçse identitete artificiale. Pra, në formë të përmbledhur mund të themi se që një demokraci të transformohet në demokraci totalitare duhet të përdorë propagandën me qëllim që të ndërtojë identitete artificiale zgjedhësish në shërbim të paaftësimit, mpirjes dhe paralizimit të fuqisë së tyre elektorale dhe transformuese.
Sot, është më e rëndësishme të dish jo si ta kënaqësh publikun, por të dish si ta lëkundësh atë. Kjo në fund, nënkupton se përmbajtja e propagandës, nuk është një gjë e natyrshme e përthithur natyrshëm nga masat e audiencave, fakti që ajo ka nevojë për t’u transfomuar në një çekiç, do të thotë që është diçka e huaj e cila me forcë duhet përvetësuar, në mënyrë që interesi personal, ai familjar dhe ai shoqëror, të flasë me gjuhën e interesit dhe bindjes ndaj një organizmi politik apo elite politike. “E vërteta ëhtë e madhe, por është më e madhe heshtja për të vërtetën” – thoshte Eric Fromm.
Mirëpo, propaganda nuk është aq e thjeshtë sa do të ishte të kuptuarit e një çekiçi, funksioni i të cilit ka qenë dhe është një dimensional. Propaganda, për sa kohë do të transformojë identitete nga natyrshmëria drejt artificialitetit të tyre, është një proçes i cili duhet të ketë dy karakteristika. Së pari, duhte të ketë një burim autoritativ dhe së dyti duhet të jetë një proçes i vazhdueshëm me etapa të caktuara që në formë insistuese gërryën të shkuarën, transfomon të tashmen dhe ndërton të renë në territorin psiqik të audiencave. Qëllimi i saj përmblidhet në krijimin e konfuzionit mes reales dhe një realiteti të ndërtuar simbolik, ku imazhi është më i fuqishëmn se fjala, ku media dhe televizionet janë dominuese ndaj penës dhe bojës, ku tradita dhe komunitetet janë tashmë thjesht nocione të zbehura nga ndërtuesit dhe paketuesit e identeteve të reja moderne.
Është tashmë e ditur se propaganda nuk synon të bindë çdonjerin prej nesh, ajo është projektuar për të bindur një pjesë të shoqërisë e cila është e gatshme ta besojë e ta ndjekë atë. Ky grup, që transformohet në viktimë të propagandës, është i mjaftueshëm për të punuar me një pjesë tjetër të shoqërisë e cila është gjithmonë në dyshime dhe skepticizëm. Pastaj e gjitha kjo masë e ndikuar nga propaganda përbën një pjesë aq të bollshme të shoqërisë, saqë pjesa tjetër që ngelet nuk ka fare rëndësi nëse e beson apo jo lojën e saj. Joseph de Maistre ka një shprehje e cila thotë: “Opinionet e fallsifikuara janë si paratë e fallsifikuara, të futura fillimisht nga grupe kriminale, pastaj të qarkulluara nga njerëzit e ndershëm të cilët e përphapin krimin pa e ditur se çfarë janë duke bërë”. Në të njëjtën formë, propaganda më efektive është ajo e nisur nga një grup interesi pastaj e përhapur dhe qarkulluar nga miliona njerëz të ndershëm në emer të të vertetës pa e ditur se po promovojnë gënjeshtrën. Duke krijuar versionin elektronik të realitetit, propaganda jo vetëm që favorizon disa informacine në kurriz të të tjerave, por krijon edhe heronj të rremë. Mbi të gjitha ajo që krijon më së shumti është një adhurim të rrëmë mbi heronjtë e rrëmë. Fallsifikim mbi fallsifikim.
E gjithë kjo situatë pastaj përmblidhet në ekzistenëcën e asaj që Jean Baudrillard e quan “hiperrealitet”, një gjëndje e paaftësisë së ndërgjegjes së njerëzve për të dalluar realitetin nga simulimi i tij, pikërisht në epokën e digjitales dhe shoqërive të ndërlidhura teknologjikisht. Aty ku realja dhe e sajuara janë kaq të përziera me njëra-tjetrën, kaq të ndërthura, saqë ndarja e tyre bëhet e , deri sa ndodh që shumë njerëz të rehatohen më shumë me hiperrealitetin imagjinar se me përditshmërinë fizike të tyre, duke rritur sasinë e gësnjeshtrës dhe zvoglëuar atë të të vërtetës.
Propaganda pikërisht për të mbajtur gjallë këtë atmosferë të konfuzionit mes reales dhe hiperreales, ndërton mite përmes të cilave, ne njerëzit, duhet të gjykojmë më pas realitetin tonë. “Mite të vdekshme” që “ringjallen” sa herë që në pikëpyetje vendoset mbushja e humnerës midis reales dhe joreales. Bota sot në mënyrë të pakuptuar po shndërrohet gradualisht në një produkt të unifikuar të propagandës, suksesi i së cilës qëndron në bazamentet e veta komunikuese përmes “patriarkanës dixhitale” që mbretëron në sytë dhe mendjet e tufës së vet kokëulur. Kur disa njerëzve u jepen mekanizma të papreçedent force, atëhere manipulimi i njerëzve të tjerë bëhet i papreçedent. /tesheshi.com/