Në një përkufizim të përgjithshëm, patriotizmi është dashuria për atdheun, por format e shfaqjes së tij janë të shumëllojshme. Për një ekonomist, patriotizëm do të thotë ndikimi i të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësimin e situatës ekonomike në një periudhë të vështirë. Të jesh patriot në ekonomi do të thotë të kontribuosh në nxitjen e prodhimit shqiptar, të stimulosh kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime, të inkurajosh dhe të ndikosh në rritjen e eksporteve, që janë në nivel shumë të ulët në krahasim me importet, duke i bërë kështu mallrat tona më konkurruese. Këtë duhet ta bëjë para së gjithash qeveria, çdo sipërmarrës dhe qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi.
Një ekonomi është e pamundur të mos përballet me kriza, të cilat ndodhin për shkaqe të ndryshme. Pikërisht në kohë krize duhet të jemi të gatshëm dhe më këmbëngulës për të gjetur ku qëndron gabimi dhe për ta përmirësuar situatën. Vitet e fundit, ekonomia shqiptare është goditur nga kriza që preku dhe vendet e fuqishme perëndimore, dhe ritmet e rritjes së saj janë shumë të ngadalta. Këtë pasivitet të ekonomisë shqiptare po e lidh me gabimet në menaxhimin që u është bërë pasurive kombëtare të përtëritshme dhe të papërtëritshme, me keqpërdorimin e fondeve nga ana e shtetit për gjithë periudhën e demokracisë, për sa u përket politikave që ndjek për sektorë të caktuar të ekonomisë, politikave sociale, si dhe me informalitetin e ekonomisë shqiptare sa u përket mbledhjes së taksave.
Pas viteve ‘90, me ligjin Nr.7501, dt. 19.07.1991, “Për tokën”, u bë copëzimi i tokës në ngastra të vogla; një ndarje e gabuar, problemet e së cilës janë shfaqur dhe kanë ndikuar negativisht në ekonominë tonë. Disa vite më vonë u bë kanalizimi i kapitalit në sektorin e ndërtimit, i cili pati një zhvillim të lartë, e sot ndodhet në gjendje krize; por këto ndërtime të bëra shpesh pa asnjë plan urbanistik kanë çuar në zvogëlimin e sipërfaqeve të tokave të punueshme. Toka dhe nëntoka janë pasuri të papërtëritshme, prandaj është e nevojshme një ndërhyrje e menjëhershme nga ana e shtetit për ta menaxhuar sa më mirë situatën në të cilën ndodhemi.
Ndërkohë, situata aktuale ekonomike e Shqipërisë nuk është edhe aq premtuese sa duhet të ishte 26 vite pas rënies së komunizmit. Borxhi publik arriti shifrën rekord në 2015-tën, me 72.2% të GDP-së sipas të dhënave nga Ministria e Financave, ndërsa në tremujorin e parë të 2016-tës borxhi publik zbret në nivelin 69.22% të GDP-së; një ogur i mirë për ekonominë shqiptare, por përsëri shumë larg nivelit prej 60%. Niveli i të ardhurave totale në raport me GDP-në është 26.4% për vitin 2015 sipas Raportit të Progresit të Monitorimit të Strategjisë së Financave Publike, ndërsa niveli i shpenzimeve është 30.2% e GDP-së. Një nivel më i ulët i të ardhurave në krahasim me shpenzimet nënkupton realizim jo të plotë të investimeve publike, detyrim të qeverisë për të rritur nivelin e borxhit publik, apo zhvillimin e një politike fiskale shtrënguese. Të gjitha këto çojnë në një mjedis jo të favorshëm për zhvillimin ekonomik, sidomos për bizneset prodhuese.
Si mund të nxitet prodhimi shqiptar?
Një ngastër e vogël toke nuk është produktive, ndërsa bashkimi i tyre, duke formuar “kooperativa të vogla bujqësore”, rrit dukshëm produktivitetin, duke prodhuar për të përmbushur kërkesën e tregut vendas, por edhe duke u fokusuar në një treg të vogël të jashtëm të produkteve bio. Produktet bio po bëhen gjithmonë e më pak të gjetshme, dhe gjithmonë e më shumë të kërkuara, dhe ne i kemi mundësitë për shkak të pozitës gjeografike, kushteve klimaterike, për t’i siguruar këto produkte me cilësi dhe standarde. Në këtë mënyrë i japim zhvillim një sektori strategjik siç është bujqësia dhe blektoria, por gjithashtu do të kemi një rritje edhe në eksporte, duke përmirësuar kështu edhe bilancin tregtar. Deri më sot janë bërë investime të vogla në bujqësi, por edhe në sektorë të tjerë, duke ndryshuar çdo mandat qeverisës edhe sektorët prioritarë për zhvillimin e ekonomisë. Mirëpo ne nuk e kemi luksin për të investuar tek të gjithë “pothuajse” në mënyrë të barabartë dhe aspak mjaftueshëm për secilin. Çdo vend ka një avantazh krahasues, duke prodhuar një produkt me cilësi dhe standarde më të mira se një tjetër, dhe, sipas mendimit tim, ky avantazh për ne është bujqësia dhe blegtoria. Përqendrimi i të gjitha forcave dhe investimi më i madh në këtë sektor strategjik do të na shndërronte nga një shoqëri konsumi, ku importet mbizotërojnë në vlera të larta ndaj eksporteve, në shoqëri prodhimi. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vlera e importeve për 3-mujorin e parë të vitit 2015 është 118,570.9 mln ALL, ndërsa për të njëjtën periudhë të 2016-tës rritet në 123,655.5 mln ALL, dhe raporti i eksporteve për të njëjtat periudha krahasuese është 58334 mln ALL dhe 53332.5 mln ALL, vlera këto të cilat çojnë në përkeqësim të bilancit tregtar dhe në mungesën e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
Çdo investim nga ana e sipërmarrësve është patriotizëm, e rrit numrin e të punësuarve, duke ndikuar në përmirësimin e gjendjes së tyre sociale. Sepse një individ i kënaqur dhe me më shumë të ardhura është më i dobishëm për ekonominë, duke shpenzuar më tepër për konsum; në këtë mënyrë rritet kërkesa e brendshme për mallra dhe shërbime.
Një ndikim të madh në rritjen e kësaj kërkese ka edhe shteti nëpërmjet politikave proteksioniste për produktet shqiptare. Në mënyrë logjike, kjo do të çonte në zvogëlimin e importeve, dhe zvogëlimi i importeve do të thotë më shumë para të shpenzuara brenda vendit. Prandaj, çdo qytetar i përgjegjshëm, çdo sipërmarrës, si dhe vetë shteti, ndikon në përmirësimin e situatës ekonomike duke e bërë shpenzimin e parave brenda vendit, duke filluar me paratë publike të mbledhura nga taksat apo të marra borxh në emër dhe për llogari të qytetarëve shqiptarë, e deri tek paratë që shpenzojnë të gjithë qytetarët e thjeshtë; pra, kjo do të thotë patriotizëm! Zvogëlimi i informalitetit nga çdo qytetar dhe sipërmarrës i përgjegjshëm në pagesën e taksave, të cilat do të përdoren në investime publike për përfitimin e të gjithë shqiptarëve, por, sigurisht, nëse edhe qeveria do të jetë po kaq e përgjegjshme në përdorimin e plotë të të ardhurave për një të mirë publike. Një mirëmenaxhim i fondeve për ndihmën ekonomike do të ndikonte jo në thellimin e mëtejshëm të krizës ekonomike. Dhe është shumë e rëndësishme ta përsëris edhe një herë: duhet një ndërhyrje e menjëhershme nga ana e shtetit për t’i ruajtur dhe shfrytëzuar sa më mirë të gjitha burimet tona pasurore të papërtëritshme.
Po patriotizmi shqiptar midis Kosovës dhe Shqipërisë a ndikon në zhvillimin ekonomik midis dy vendeve? Ndonëse shqiptarët shquhen për patriotizëm të theksuar, ky patriotizëm vihet re vetëm në futboll, ku shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës janë të bashkuar rreth një zëri, “O sa mirë me qenë shqiptar!” Por mendoj se bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë më parësor. Tregtia e jashtme e Shqipërisë dhe Kosovës për katërmujorin e parë të 2015-tës ka qenë 7,121 mln ALL eksporte dhe 1,703 mln ALL importe, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2016 vlerat variojnë në 5,003 mln ALL eksporte dhe 1,540 mln ALL importe. Nga krahasimi i këtyre dy periudhave vihet re një rënie e konsiderueshme e tregtisë së jashtme për produktet që tregtohen midis dy vendeve, si rrjedhojë e mungesës së një bashkëpunimi ekonomik më të frytshëm. Shqipëria dhe Kosova kanë një ekonomi të brishtë dhe jo të qëndrueshme, prandaj duhet të punojnë në ndërtimin e një strategjie afatgjatë të zhvillimit ekonomik, duke mbështetur prodhimin vendas për krijimin e markave shqiptare “Made in Albania” dhe “Made in Kosova”, të cilat të synojnë jo vetëm tregun e këtyre vendeve, por edhe tregun evropian, me të gjitha standardet e kërkuara. Secili shtet duhet t’i përqendrojë investimet në atë produkt për të cilin ka avantazh krahasues në cilësi, sasi, çmim, dhe në këtë mënyrë kërkesa për disa produkte është e mbuluar nga oferta e produkteve shqiptare me standarde evropiane. Shqipëria mund të sigurojë produkte, si fasule, arra, mollë, agrume dhe vreshta, ullinj të bregdetit Jon, produkte të bulmetit, për të cilin zonat malore të këtij vendi janë me emër, si dhe shegë, në sasi dhe cilësi të lartë nëse investohet në fabrika për përpunimin dhe ruajtjen e tyre. Ndërsa Kosova mund ta mbulojë tregun shqiptar me produkte të tjera, si grurë, drithëra të tjera, luledielli, duhan, patate, suxhuk, pa qenë nevoja të importohen nga vende të rajonit apo më gjerë. Në këtë mënyrë, të dy vendet i mbulojnë kërkesat e tregut me produkte cilësore dhe të lira, ndërsa sigurojnë vende pune, duke pakësuar kështu emigracionin e madh të shqiptarëve, si dhe rrisin tregtinë e jashtme, duke ndikuar në përmirësimin e bilancit tregtar e, si rrjedhojë, të të gjithë ekonomisë.
Bashkimi i shqiptarëve nuk ndodh vetëm me bashkimin e kufijve, por bashkimi ekonomik është ai që na nevojitet më tepër në kushtet ku jemi sot. Patriotizmi është i vërtetë atëherë kur sjell një vlerë të shtuar, prandaj bashkëpunimi i dy shteteve shqiptare është një domosdoshmëri në rrugën e gjatë të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, e rëndësishme për t’u theksuar është ndërgjegjja e çdo shqiptari për të “blerë shqip”, dhe, sigurisht, produkte që i plotësojnë të gjitha kushtet e konsumit, sepse rritja e konsumit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike.
Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë nevojë se shtetet e tjera për atdhetarë që nuk janë të tillë thjesht për emër dhe partiakë, por që janë racionalë dhe me vullnet për të ndihmuar në funksionimin më të mirë të institucioneve të ndërtuara për të gjithë ne. /tesheshi.com/