“Nëse më duhet të vdes, të paktën të ndodhë në vendin tim”, thotë Tetiana Kocheva.
Ukrainasit, që janë strehuar në Izrael që nga pushtimi rus, po largohen prej aty për t’u kthyer në Ukrainë, megjithëse vendi i tyre është ende në luftë.
Kur forcat e Moskës pushtuan Ukrainën, në fund të shkurtit 2022, Tetiana, 39 vjeçe, dhe tre fëmijët e saj, tani 14, 10 dhe tre vjeç, ishin në Kharkiv, pranë kufirit rus.
I sulmuar pa pushim, qyteti i madh ishte një nga objektivat e parë të sulmuesve ruse.
Nëna dhe fëmijët e saj qëndruan të strehuar në një bodrum për 10 ditë, përpara se të iknin rreth 50 kilometra më larg.
Në korrik 2022, ajo përfundoi duke u larguar nga Ukraina për të shkuar në Izrael, ku bashkëshorti punonte që përpara pushtimit rus.
”Mendova se do të qëndroja atje për tre muaj dhe më pas do të kthehesha, por lufta nuk mbaroi”, tha ajo.
Më pas, ajo do të vendoset për më shumë se një vit në Ashkelon, një qytet pranë Gaza-s.
”Më 7 tetor, gjatë sulmit të Hamasit, duart filluan të më dridheshin dhe pata të njëjtën ndjenjë si atëherë kur filloi në vendin tonë”, shton Tetiana.
“E frikshme”
“Kur gjendja u rëndua fillova të më zërë paniku, u tremba dhe kuptova se duhej të kthehesha në shtëpi”, shpjegon ajo.
E evakuuar në Izraelin qendror, ajo qëndroi atje për disa ditë, përpara se të nisej për në Ukrainë, ku mbërriti më 20 tetor dhe u vendos në Kharkiv. Qyteti është shënjestruar rregullisht nga bombat ruse, por për pak më shumë se një vit, ai nuk është kërcënuar me pushtim.
Që nga 7 tetori, rreth 4 000 ukrainas janë larguar nga Izraeli, sipas shifrave të dhëna nga ambasada ukrainase.
”Ja ku po eci, kjo është vendlindja ime, flamuri ynë, nuk di si ta shpreh, jam e lumtur”, shpjegon Tetiana.
”Nëse më duhet të vdes, të paktën kjo të ndodhë në vendin tim”, thotë ajo.
Rreth 400 kilometra larg, në kryeqytetin Kiev, 8-vjeçarja Diana kërcen mbi një “tapet” me gjethe të rëna, në një park me diell në brigjet e lumit Dnjepër.
Vajza e re dhe nëna e saj, Anna Lyachko, 28 vjeçe, u kthyen nga Izraeli në mes të tetorit, pasi u larguan nga Ukraina në fillim të marsit 2022.
Në atë kohë ato jetonin në një qytet të pushtuar nga rusët afër Kievit, ”ku ishim nën shpërthime, pa energji elektrike, pa ujë dhe pa komunikim”, kujton nëna e re, e cila që atëherë është ndarë nga i shoqi.
“Vajza ime ishte shumë e frikësuar dhe unë vendosa të largohesha dhe të bashkohesha me një kushëri që ishte në Izrael për një ose dy vjet”, shton ajo.
“Por, më 7 tetor, lufta filloi edhe atje. Ndjenjat ishin të njëjta si më 24 shkurt në Ukrainë. E pashë vajzën time dhe pashë frikë në sytë e saj. E kuptova që nuk mund të qëndroja. Kisha shumë frikë”, thekson ajo.
Ajo dhe fëmija i saj fluturuan nga Tel Avivi më 14 tetor, të ndihmuar nga ambasada e Ukrainës.
“Dy ditë më vonë, kur mbërrita në Kiev, pashë në sytë e vajzës sime lumturinë e saj që ishte në shtëpi, me gjyshërit e saj. Ajo është shumë e lumtur”, shton ajo.
“Më e qetë se në Izrael”
Në bregun tjetër të Dnjeprit, në një zyrë të vogël në qendër të kryeqytetit, Oksana Sokolovska thotë gjithashtu se është “e lumtur që ka ardhur në shtëpi”, edhe nëse “është e vështirë të lëmë një luftë për një tjetër”.
Me tre fëmijët e saj, ajo u largua nga Ukraina dhe rrethinat e Kievit më 16 mars 2022.
“Kur filloi lufta, nuk kisha të drejtë morale të rrezikoja jetën e tyre”, shpjegon kjo avokate beqare 39-vjeçare.
Duke folur hebraisht, ajo zgjodhi të shkonte në Izrael sepse “mendova se ishte vendi më i sigurt në botë”.
Me fëmijët e saj, ajo u vendos në Rishon Le Tzion, afër Tel Avivit.
“Mëngjesin e 7 tetorit, kur filloi sulmi i Hamasit, dëgjuam sirenat paralajmëruese, filluan bombardimet masive dhe gjithë ditën qëndruam në bunker me fëmijët”, thotë ajo.
Shumë shpejt ajo vendosi të largohej nga Izraeli, për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve, duke marrë avionin, më 14 tetor.
“Aktualisht, në Kiev dhe rajonin e tij, situata është më e qetë se në Izrael (…) Kjo është e vetmja arsye pse u ktheva këtu”, thotë avokatja. /atsh/